Tu e lexu qitash
Dylberat pa strehimore e shërbime, Kuvendi me gjuhë të urrejtjes: BE-ja ia përsërit Kosovës gjetjet në raportin vjetor

Dylberat pa strehimore e shërbime, Kuvendi me gjuhë të urrejtjes: BE-ja ia përsërit Kosovës gjetjet në raportin vjetor

Raporti i Bashkimit Evropian për Kosovën lidhur me vitin 2024 i ka përsëritur gjetjet sa i përket të drejtave të personave LGBTIQ+, teksa institucionet nuk kanë avancuar në mbrojtjen dhe ofrimin e shërbimeve thelbësore për dylberat. Raporti thekson se megjithëse Parada Krenarisë vazhdon të mbahet pa incidente, ende mungon një plan veprimi gjithëpërfshirës i Qeverisë dhe nuk është realizuar asnjë fushatë për ta ndërgjegjësuar publikun për të drejtat LGBTIQ+.

Mosreagimi institucional kundër gjuhës së urrejtjes që është përhapur vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës dhe në rrjete sociale, vazhdojnë t’i shtyjnë dylberat edhe më shumë në margjina, thotë raporti. Pavarësisht garancive kushtetuese për të drejtat e dylberave, sipas raportit të Komisionit Evropian, ata/ato ende përballen me diskriminim të gjerë, qasje të kufizuar në përkujdesje shëndetësore, mbështetje psiko-sociale dhe shërbime ligjore.

Për më shumë, Projektligji i Kodit Civil, i cili potencialisht do t’i njihte bashkësitë civile të çifteve të të njëjtit seks, ka mbetur i bllokuar në Kuvend. Raporti thekson gjithashtu se diskutimet mbi këtë çështje kanë çuar në retorikë diskriminuese nga figurat publike, duke përkeqësuar opinionin publik ndaj individëve LGBTIQ+. Dokumenti i Komisionit Evropian përmend përsëri faktin që planet për ndërtimin e strehimores për dylberat që janë viktima të dhunës në familje mbeten të papërmbushura. Në të njëjtën kohë, KE-ja në raport shkruan se edhe Projektligji për Gjendjen Civile që i hap rrugë e njohjes ligjore të gjinisë në përputhje me identitetin gjinor të qytetarëve është ende në pritje për miratim në Kuvend. Çka tregojnë raportet e BE-së për Kosovën nga viti 2021 në 2024?

Gjetjet e raportit tregojnë se institucionet e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë veprime thelbësore që mbrojnë të drejtat LGBTIQ+ dhe që adresojnë nevojat edhe më urgjente sesa pjesëmarrja në ngjarje publike. 

  1. Kuadri ligjor i pamjaftueshëm dhe mungesa e mbrojtjes ligjore

    Në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën është evidentuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në përgjithësi mbështesin parimisht liritë dhe të drejtat LGBTI. Raporti i vitit 2024 thekson se Parada e Krenarisë e mbajtur në qershor u zhvillua pa incidente, gjë që tregon pranimin në rritje të dylberave nga shoqëria. Kurse në raportet e viteve 2022 dhe 2023 thuhet se edhe pse Kushtetua ofron mbrojtje, janë raportuar boshllëqe të konsiderueshme sa i përket mbrojtjes konkrete: veçanërisht në aspektin e njohjes ligjore të bashkësive civile të të njëjtit seks dhe njohjes ligjore të personave transgjinorë. 

  2. Ndërgjegjësimi dhe Qëndrimet shoqërore
     
    Fusha ku Komisioni Evropian ka evidentuar më së paku përmirësim është ndërgjegjësimi i publikut drejt pranimit të dylberave. Raporti i vitit 2024 vë në pah mungesën e një strategjie dhe të një plani gjithëpërfshirës të veprimit që adreson të drejtat LGBTIQ+. Raportet e mëhershme theksuan përhapjen e gjuhës diskriminuese në debate publike dhe media, e cila vazhdon ta pengojë progresin. Veçanërisht, diskutimet mbi draft Kodin Civil, të cilat kanë dëmtuar progresin nga retorika homofobe e deputetëve të Kuvendit dhe e figurave të tjera publike.

  3.  Reagimet institucionale dhe Shërbimet Mbështetëse 

    Raporti i vitit 2024 i jep njohje mbështetjes publike të Qeverisë karshi ngjarjeve të Javës së Krenarisë. Ai gjithashtu vë në pah mospërputhjet në përgjigjen institucionale ndaj gjuhës së urrejtjes dhe homofobisë. Gjithashtu, në këto dokumente theksohet se ndërtimi i strehimores për viktimat LGBTI mbetet i paplotësuar. Raportet e mëparshme theksonin nevojën urgjente për shërbime sociale të dedikuara për dylberat, njashtu edhe trajnimet specifike për zbatimin e ligjeve që mbrojnë të drejtat LGBTIQ+, fusha të cilat nuk është bërë progres i mjaftueshëm.

  4. Dhuna dhe Diskriminimi

    Të gjitha raportet theksojnë dhunën e vazhdueshme dhe diskriminimin e personave LGBTIQ+, veçanërisht në kontekstin e dhunës në familje dhe shëndetit mendor. Raporti i vitit 2023 vuri në dukje rritjen e shkallës së vetëvrasjes tek personat LGBTIQ+ dhe rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Mungesa e strehimores dhe mungesa e mekanizmave efektiv për ankesë (mjeteve juridike efektive) ndaj diskriminimit vazhdojnë të përbejnë kërcënim serioz për sigurinë dhe mirëqenien e dylberave.

  5. Mungesa e legjislacionit

    Vonesat e vazhdueshme në miratimin e Kodit Civil i cili do të njihte bashkësitë civile mes çifteve të të njëjtit seks dhe njohjen ligjore të gjinisë, mbeten çështje kritike. Raporti i vitit 2024 tregon se këto propozime legjislative kanë mbetur pezull, kurse raportet e mëparshme theksojnë se diskursi rreth këtyre ligjeve shpesh provokonte njëfarë armiqësie dhe dialog aspak konstruktiv. 

Raportet e BE-së paraqesin ngecje në rrugën e Kosovës drejt respektimit dhe njohjes ligjore të dylberave. Derisa avantazhet kushtetuese ndihmojnë në dukshmërinë dhe pranimin e dylberave, sfidat e rrënjosura vazhdojnë dukshëm sa i përket qëndrimeve shoqërore, mbështetjes institucionale dhe veprimeve që ndërlidhen me miratimin e ligjeve të reja. 

Nevoja për fushata ndërgjegjësuese strategjike dhe ofrimin e shërbimeve jetike për dylbera, janë më të nevojshme se kurrë. Siç shihet edhe në raportin e vitit 2024, lufta për të drejtat LGBTI në Kosovë është duke vazhduar dhe se avokimi i vazhdueshëm është më se thelbësor për të ushqyer gjithpërfshirjen. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top