Chase Strangio, avokati i parë haptas transgjinor që do të paraqesë argumente para Gjykatës Supreme amerikane
Chase Strangio, nga Unioni Amerikan për Liritë Civile (ACLU), do ta bëjë historinë si avokati i parë transgjinor i cili do të paraqesë argumente para Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Avokati Strangio është përfaqësues i një grupi personash transgjinorë të cilët kundërshtojnë ligjin që ndalon kujdesin mjekësor për afirmimin gjinor për të miturit trans në shtetin e Tennessee. 41-vjeçari përfaqëson grupin që bëri padi kundër masës që ndalon trajtimet mjekësore, duke përfshirë hormonet dhe operacionet kirurgjike për të miturit që përjetojnë disfori gjinore.
Në njërin nga rastet më të rëndësishme të mandatit aktual nëntëmujor të gjykatës, nëntë gjyqtarët do të dëgjojnë argumentet më 4 dhjetor në një ankesë nga administrata e Presidentit Joe Biden lidhur me vendimin e një gjykate më të ulët që mbështet ndalesën e vendosur nga shteti i Tennessee.
Gjykata Supreme ka vendosur që koha e argumentimit për kundërshtarët e ndalesës të ndahet në mes të Departamentit të Drejtësisë dhe avokatëve që përfaqësojnë paditësit fillestarë që u ankuan ndaj ligjit. Strangio do t’i paraqesë argumentet në emër të dyja palëve paditëse në foltoren e gjykatës që është ekuivalente me Gjykatën Kushtetuese në Kosovë.
Drejtoresha për Çështje Ligjore në ACLU, Cecillia Wang, e quajti Strangio ekspert ligjor kryesor të SHBA-së për të drejtat trans.
“Ai sjell në foltore jo vetëm avokatinë e shkëlqyer kushtetuese, por edhe këmbënguljen dhe zemrën e një kampioni të të drejtave civile,” tha Wang.
Strangio ka përfaqësuar njerëz në raste të profilit të lartë, duke përfshirë studentin transgjinor Gavin Grimm, i cili luftoi me një bord të një shkolle në shtetin e Virginia për të përdorur banjon që përshtatej me identitetin e tij gjinor, dhe Chelsea Manning, ish-ushtarin amerikan transgjinor, i cili vuajti dënim me burg për zbulim të dokumenteve të klasifikuara.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, Tennessee është një nga 22 shtetet që kanë miratuar masa të cilat kanë nën shënjestër ndërhyrjet mjekësore te adoleshentët me disfori gjinore – diagnoza klinike e shqetësimit të konsiderueshëm që mund të rezultojë nga një mospërputhje në mes të identitetit gjinor të një personi dhe gjinisë që i është caktuar në lindje.
Ligjvënësit e shtetit Tennessee që mbështesin kufizimin i kanë quajtur këto trajtime eksperimentale dhe potencialisht të dëmshme. Shoqatat mjekësore, duke vënë në dukje se disforia gjinore është e lidhur me shkallë më të lartë të vetëvrasjeve, kanë thënë se trajtimet mjekësore që shërbejnë për të mbështetur e afirmuar identitetin gjinor mund të jetë shpëtues për jetën dhe se studimet afatgjata dëshmojnë efektivitetin e tij.
Artikulli u publikua në Reuters dhe u përkthye nga Dylberizm.