Policia pakistaneze: Dy burra vranë dy gra trans në shtëpinë e tyre
Paralajmërim: Ky artikull diskuton vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTIQ+, andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.
Dy burra të armatosur me thika vranë dy gra transgjinore në shtëpinë e tyre në Pakistanin veriperëndimor konservator në mbrëmje dhe më pas ikën nga vendi i ngjarjes, njoftoi policia. Kjo është shenjë e rritjes së dhunës ndaj personave trans në vend.
Vrasjet ndodhën në mbrëmjen e 20 tetorit në Mardan, qytet në krahinën Khyber Pakhtunkhwa, tha shefi i policisë lokale Fahim Khan. Ai u shpreh se motivi prapa vrasjeve është i paqartë dhe se zyrtarët policorë janë duke zhvilluar hetime lidhur me rastin. Viktimat u varrosën në varrezat e qytetit.
Khan tha se janë arrestuar dy të dyshuar lidhur me vrasjet, por nuk pranoi të ndajë detaje të mëtejshme. Nuk tregoi se a janë përfshirë apo jo dy burrat e arrestuar drejtpërdrejt në vrasje.
Personat trans përballen shpesh me ngacmim, abuzim e sulme në shtetin me shumicë myslimane. Ata janë po ashtu viktima e të ashtuquajturave “vrasje nderi”, që i kryejnë të afërmit e tyre, për t’i ndëshkuar për ato që perceptohen si sjellje të shthurura seksuale.
Megjithatë, parlamenti i Pakistanit në vitin 2018 miratoi Ligjin për Personat Transgjinorë (Mbrojtja e të Drejtave) për t’ua siguruar të drejtat themelore pakistanezëve transgjinorë, duke ua njohur ligjërisht gjininë. Institucionet pakistaneze iu lëshojë personave transgjinorë letërnjoftime në përputhje me identitetin gjinor të tyre.
Por, shumë njerëz kanë pikëpamje negative të rrënjosura mbi gjininë e seksualitetin dhe personat trans shpesh konsiderohen të leçitur (të përjashtuar) nga shoqëria. Për të fituar para, disa prej tyre detyrohen të lypin në rrugë, të vallëzojnë, madje edhe të merren me prostitucion. Jeta e tyre përshkohet nga frika se do të përballen me sulme.
Farzana Jan, kryetare e grupit të të drejtave të Trans Action në Khyber Pakhtunkhwa, tha se që nga janari nëntë persona të tjerë trans janë vrarë prej sulmeve me armë në këtë krahinë. Ajo tregoi se asnjë nga sulmuesit e përfshirë në rastet e mëparshme nuk është sjellë para drejtësisë, kryesisht meqë prokurorët nuk i kanë trajtuar rastet me seriozitet.
Komuniteti trans ka kërcënuar me protesta nëse sulmuesit nuk arrestohen. “Ne i kemi dhënë një afat treditor policisë për arrestimin e atyre që qëndrojnë prapa vrasjeve të fundit në Mardan”, tha Jan. “Ne do të organizojmë tubime nëse vrasësit e dy anëtarëve të komunitetit tonë nuk arrestohen”, u shpreh ajo.
Nuk ka shifra të sakta për numrin e personave trans në Pakistan, por Jan vlerëson se rreth 75.000 jetojnë në krahinën Khyber Pakhtunkhwa.
Artikulli u publikua në The Washington Post dhe u përkthye nga Dylberizm.