Tu e lexu qitash
Italia ua ndalon shtetasve të saj surrogacinë edhe jashtë shtetit

Italia ua ndalon shtetasve të saj surrogacinë edhe jashtë shtetit

Parlamenti i Italisë që nga 16 tetori ua ka ndaluar me ligj çifteve të shkojnë jashtë vendit për t’u bërë me fëmijë nëpërmjet surrogacisë*. Ligji i miratuar është projekt që e ka qejf partia e kryeministres Giorgia Meloni, por aktivistët thonë se ai i ka nën shënjestër çiftet e të njëjtit seks.

Qëkur e mori detyrën në vitin 2022, Meloni ka ndjekur një agjendë sociale shumë konservatore, me përpjekje për t’i promovuar ato që ajo i sheh si vlera tradicionale të familjes, duke ia bërë gjithnjë e më të vështirë çifteve LGBTIQ+ të bëhen prindër të ligjshëm.

Dhoma e lartë e Senatit miratoi projektligjin e propozuar nga Vëllezërit e Italisë, partia e Melonit, me 84 vota për dhe 58 kundër. Ky ligj u pat miratuar nga dhoma e ulët e Senatit vitin e kaluar.

Përderisa brenda Italisë surrogacia është ndaluar nga viti 2004, akti i ri ligjor e zgjeron ndalesën edhe te çiftet italiane që shkojnë në vende si Shtetet e Bashkuara apo Kanadaja, ku është praktikë mjekësore e ligjshme. Dënimi tash është me deri në dy vjet burgim dhe gjobë deri në 1 milion euro.

“Amësia është absolutisht e veçantë, nuk mund të zëvendësohet me surrogaci dhe është themeli i qytetërimit tonë,” tha senatorja e Vëllezërve të Italisë, Lavinia Mennuni, gjatë debatit parlamentar. Duam ta çrrënjosim fenomenin e turizmit surrogat,” tha ajo.

Në fillim të këtij viti, Meloni e quajti surrogacinë praktikë “çnjerëzore” që i trajton fëmijët si produkte supermarketi, duke e shtyrë një qëndrim të ngjashëm me atë të Kishës Katolike.

Demonstruesit u mblodhën pranë Senatit të martën e kaluar, ku shprehën zemërimin e tyre ndaj projektligjit, duke thënë se qeveria po i godet dylberat dhe po i dëmton ata që dëshirojnë të kenë fëmijë, pavarësisht faktit se Italia ka rënie të fortë të lindshmërisë.

“Nëse dikush bën fëmijë, duhet t’i jepet medalje. Këtu të çojnë në burg… nëse nuk bën fëmijë në mënyrën tradicionale,” tha për Reuters Franco Grillini, aktivist i njohur për të drejtat e dylberave në Itali.

Kryetarja e organizatës Rainbow Families, Alessia Crocini, tha se 90 për qind e italianëve që bëhen prindër përmes surrogacisë janë çifte heteroseksuale, por ata kryesisht e bëjnë këtë fshehtazi, që do të thotë se ndalesa e re faktikisht do t’i prekë më së shumti çiftet homoseksuale që nuk mund ta fshehin këtë.

Ndalimi i surrogacisë po ndodh në kontekstin e uljes së lindshmërisë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, ISTAT, lindjet kanë rënë në një rekord minimal gjatë 2023-tës – rënie kjo që po ndodh për 15 vjet radhazi.

“Ky është ligj monstruoz. Asnjë vend në botë nuk e ka një gjë të tillë,” tha Grillini, duke iu referuar politikës që ia pamundëson italianëve të përfitojnë nga praktikat që janë krejt të ligjshme në disa vende.

Terminologji:
Surrogacia [Procesi në të cilin një grua bart dhe lind fëmijën për një çift tjetër. Në aspekt mjekësor bëhet përmes Fertilizimit i Asistuar Mjekësor (IVF) te nënat surrogate. Në mes të prindërve dhe nënave surrogate zakonisht lidhen kontrata para se të fillojë procedura mjekësore] 

Artikulli u publikua në CNN dhe u përkthye nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top