Tu e lexu qitash
Letër prej t’ardhmes tone 

Letër prej t’ardhmes tone 

Nëse s’ke dalë hala hapun si dylber, kjo letër osht’ për ty

I/e dashtun dylber, 

Nalu për nji moment edhe merr frymë. Tash për tash, kudo që je n’rrugëtimin tond, ke dalë a nuk ke dalë hapun si dylber, na t’shohim. E nijmë peshën që e man përmi shpinë, i shohim andrrat që i ki dhe e dijmë krejt tutën që t’pushton për çdo ditë. 

Edhe na e dijmë qysh osht’ me u ndi i pasigurt ose e shqetësume. Jemi kon’ edhe na n’pikën që kemi dashtë me dalë hapun, ama s’jena kon’ gati. E mira edhe e keqja osht’ që nuk ki naj hartë për me t’pri n’rrugëtimin tond. Nëse tash ja ke nisë me kuptu se kush je ose e din për ni kohë t’gjatë amo s’i ke tregu kërkujt, osht’ n’rregull.  

Pavarësisht ku je, e kuptojmë që nuk osht’ e letë me jetu si dylber, sidomos me jetu me barrën e pritshmërive t’tjerve. Familja, shoqnia, veni i punës edhe çfarëdo hapsine tjetër n’cilat diskutohët për dylbera si ti, pa e ditë për ty, mujnë me t’bo me u ndi sikur me kon’ mshelun me ni kafaz. Mujnë me ta dhonë ndjesinë që zemra jote osht’ ni sekret që nuk ndahët me botën, se me kon’ vetvetja t’bon me u ndi n’rrezik. Ama diçka mos harro, n’asni moment nuk je vet. Sado e vështirë që munët mu dukë, e ardhmja ka ven për ty, me krejt dylberizmin tond, madje edhe tash, këtu. 

Paramenoje ni sen: mas do vjetve çohësh n’mëngjes edhe zemra tu ka lehtësu. Je tu pi kafe me shoqni që ta din krejt storien, bash qato qe pe man mrena tash. Ose nashta je tu u kqyrë n’pasqyrë edhe nihësh krenar me veten për herë t’parë – pa ndjenjën e fajit, pa ndjenjën e “gjynahit”, pa ndjenjën e urrejtjes. Je veç ti, me veten tone, n’liri. Nuk je tu u mshefë mo. 

Munët mu dukë shumë larg. Ideja për me dalë hapun me ni ven ku krejt e njohim njoni-tjetrin, munët me kon’ shumë e frikshme. Ama qashtu qysh nuk ka hartë, s’ka as kohë t’caktume. Dalja hapun osht’ moment veç i joti edhe ki me ditë kur osht’ koha e duhun me bo qato. Nëse qaj moment t’dukët shumë larg, prap osht’ n’rregull. Nuk ka afate e as rregulla.    

Osht’ e randsishme që ti me ja nisë me njoftë veten. Nashta t’vërtetën ja ke pëshpëritë vetes veç natën ose nashta s’ja ke thon’ as vetes. Kado që je, veç bonu bujar me veten. Me kon’ vetvetja nuk osht’ gabim. Je i mjaftueshëm, qashtu qysh je. 

Nëse ni sen mujmë me t’premtu, osht’ që e ardhmja ka me pasë momente t’mira. Gjithqysh që ka sfida, ama ki mi pasë edhe njerëzit që kanë me t’dashtë e ki me i dashtë shlirë. Edhe a din çka? Qaj komunitet veçse ekziston. N’Dylberizm e kemi kriju qat’ hapsinë, ku me kon’ dylber pranohësh e s’ki nevojë mu mshefë. Dole a s’dole hapun, Dylberizm osht’ këtu për ty. 

Nëse najher ki nevojë mu shprehë dikun, na jemi këtu. N’daç tu na dërgu mesazhe ose storie dije që platforma osht’ e jotja. Storiet e tua për daljen hapun kanë gjithmonë ven te na. 

Mos harro, vetja prej t’ardhmes dhe krejt na n’Dylberizm t’thojmë se: ni ardhme ma e mirë osht’ e mundshme! 

Njerzt t’dojnë, t’vlerësojnë e ta dijnë randsinë. Kur nji ditë t’jesh gati me i tregu ngjyrat tua t’larmishme, bota ka me kon’ gati me taku personin e jashtëzakonshëm që gjithmonë je kon’. 

Shumë dashni,
Dylberizm 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top