64 vendet ku është e paligjshme të jesh person LGBTQ+ – Po, është faji i kolonializmit
Në sa vende është ende e paligjshme të jesh dylber në 2024? Me siguri, në më shumë se sa mendoni.
Por, fillimisht po ua tregojmë disa lajme të mira. Shumëçka ka ndryshuar gjatë dekadave të fundit lidhur për të drejtat e personave LGBTQ+.
Shumë njerëz queer tani kanë mundësinë të martohen me partnerët e tyre, ndërsa njerëzit trans në disa pjesë të botës mund të ndryshojnë ligjërisht gjininë e tyre, shkruan PinkNews.
Ky përparim duhet të festohet, por është shumë e lehtë të harrohet se në sfond, njerëz të panumërt LGBTQ+ po jetojnë nën regjime të ashpra në të cilat ekzistenca e tyre ndiqet penalisht.
Sipas Human Dignity Trust, në përgjigjen e pyetjes “në sa vende është e paligjshme të jesh dylber”, ata përcaktuan 64 juridiksione ku aktiviteti LGBTQ+ kriminalizohet.
Personat trans gjithashtu përballen me kriminalizim sipas ligjeve që ndalojnë crossdressing (veshjet me rrobat e gjinisë tjetër), “imitimin” dhe “maskimin”. Njerëz të shumtë me gjini diverse janë nën shënjestër të ligjeve që ndalojnë aktivitetin seksual të të njëjtit seks.
Është gjithashtu jetike që t’i vendosim ato ligje brenda kontekstit të duhur. Kolonializmi – konkretisht kolonializmi britanik – është i pandashëm nga plaga e ligjeve anti-LGBTQ+. Perandoria Britanike ishte e rëndësishme në përhapjen e ligjeve homofobe në të gjithë botën. Dylberat në ish-koloni vazhdojnë të përballen me pasojat e trashëgimisë koloniale edhe sot e kësaj dite.
Britania dhe forcat e tjera koloniale luajtën rol të rëndësishëm në përhapjen e homofobisë
Alistair Stewart, kreu i programit për avokim në Human Dignity Trust, thotë për PinkNews se legjislacioni i këtillë, i ka rrënjët te ligjet fetare, i zbatuar fillimisht në Evropë e që më vonë u bë pjesë e ligjeve laike.
“Gjatë epokës koloniale fuqitë evropiane i eksportuan këto sisteme ligjore dhe ligjet që kriminalizojnë personat LGBTQ+, në të gjithë botën, duke i imponuar ato ndonjëherë edhe te traditat e ndryshme vendase (autoktone) ku aktiviteti i të njëjtit seks dhe diversiteti gjinor nuk ishin domosdoshmërisht tabu”, thotë Stewart.
“Shembulli më i qartë i kësaj është në Commonwealth. Shumica, apo 33 vende të Commonwealth-it, të cilat e kriminalizojnë aktivitetin e të njëjtit seks, e bëjnë këtë duke u thirrur në ligje që rrjedhin nga epoka koloniale dhe kanë mbetur të pandryshuara për rreth 50 ose 100 vjet”.
“Trashëgimia e kodeve penale specifike të epokës koloniale britanike figuron shpesh në historinë e kriminalizimit – kjo pasi më shumë se gjysma e vendeve që kriminalizojnë personat LGBTQ+ sot e bëjnë këtë shkaku i atyre ligjeve. Kriminalizimi bashkëkohor i dylberave është i lidhur në mënyrë të pandashme me historinë koloniale. Pikërisht për këtë po bëjmë fushatë për ndryshim; ky borxh historik të njihet.”
Ligje të tilla prodhojnë pasoja madhore edhe kur ato nuk zbatohen rreptësisht. Njerëzit LGBTQ+ në mbarë botën përballen me diskriminim në punësim, arsim dhe strehim. Ligjet ndëshkuese i bëjnë ata më të cenueshëm ndaj abuzimit dhe dhunës që nganjëherë kulmon në vrasje.
“Ekzistojnë shembuj të shumtë të torturave dhe keqtrajtimit të të paraburgosurve LGBTQ+ në vendet kriminalizuese,” thotë Stewart.
“Edhe aty ku ligji nuk zbatohet, kriminalizimi i bën personat LGBTQ+ cak ngacmimi dhe haraçi (shantazhi e kërcënimi me qëllim të përfitimit të parave) prej policëve dhe personave të tjerë. Ekzistenca e këtyre ligjeve ngurtëson stigmën dhe paragjykimin”.
Julia Ehrt, drejtore ekzekutive e ILGA World (Asociacioni Ndërkombëtar për Lezbike, Gej, Biseksual, Trans dhe Interseks), thotë se ligjet anti-LGBTQ+ parandalojnë përfundimisht bashkimin e komuniteteve të dylberave dhe shumë prej tyre e jetojnë jetën e tyre në fshehtësi.
“Kjo ka efekte të shumta negative sa i përket qasjes në jetë sociale. Ka shumë dhunë në rrugë dhe në familje. Shumë dylberave u duhet të fshihen”.
Sipas Ehrt, është jetike të flasim për kolonializmin kur bisedojmë për ligjet anti-LGBTQ+, e megjithatë është e rëndësishme po ashtu që “zhvillimet më të reja” të mos injorohen.
“Disa vende e kanë futur kriminalizimin në fuqi përsëri përgjatë viteve të fundit. Indonezia ka miratuar një kod të ri penal që kriminalizon marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. Meqë martesat mes të njëjtit seks nuk parashihen me ligj, të gjitha aktivitetet seksuale mes personave të të njëjtit seks llogariten si kriminale. Mbetet për t’u parë nëse do të interpretohet kështu, por frika e ndërlikimi kanë ardhur tashmë”, thotë Ehrt.
Megjithatë, ish-kolonizuesit si Britania e Madhe kanë përgjegjësi për t’i luftuar ligjet kundër dylberave që ata i krijuan dhe duhet ta bëjnë këtë në një mënyrë që nuk i riprodhon strukturat e kolonializmit.
“Mbretëria e Bashkuar e ka për detyrë t’i mbështesë lëvizjet lokale për ta shtyrë përpara dekriminalizimin në këto vende,” thotë Ehrt.
Zgjidhja është që aktivistët në vendet perëndimore të “dëgjojnë komunitetet në terren” dhe të punojnë me njerëzit LGBTQ+ në vendet ku ligjet anti-LGBTQ+ janë ende në fuqi.
“Duhet të bëhet një përpjekje,” thotë Ehrt.
Stewart thotë po ashtu se komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë rol në shfuqizimin e ligjeve anti-LGBTQ+ dhe se duhet të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur aktivistët vendas në punën e tyre.
“Roli i komunitetit ndërkombëtar është jetik, qoftë nëpërmjet punës së organizatave bamirëse ndërkombëtare LGBTQ+, që ofrojnë mbështetjen e nevojshme për bamirësitë dhe komunitetet LGBTQ+ në rend të parë, qoftë përmes qeverive miqësore ndaj dylberave të cilat ushtrojnë presion diplomatik, apo edhe individëve që informohen për këtë çështje e aty ku munden japin donacione për çështjet ndërkombëtare LGBTQ+”.
“Të gjitha këto janë metoda dhe mënyra të provuara për të bërë fushatë drejt ndryshimeve në ligje, e dhe te zemrat dhe mendjet e njerëzve. Megjithatë, kjo nuk do të funksiononte po të mos merreshin parasysh konsideratat (ndjeshmëritë) kulturore”.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë këshilla nga organizatat dhe komunitetet lokale LGBTQ+ se si t’i mbështesin betejat e tyre kundër kriminalizimit dhe diskriminimit”.
“Respekti duhet të jetë themeli mbi të cilin kërkohet ndryshimi”.
Këtu mund ta gjeni listën e 64 vendeve dhe territoreve ku personat LGBTQ+ janë ende të kriminalizuar
Në vijim është një listë e 64 vendeve dhe territoreve që ende kriminalizojnë identitetet LGBTQ+, sipas Human Dignity Trust.
Këto ligje ndryshojnë ndjeshëm për nga ashpërsia e tyre. Disa vende dhe territore kanë ende ligje anti-LGBTQ+ zyrtarisht, por i zbatojnë rrallë. Edhe në vende të këtilla, dylberat përballen me diskriminimin prej shtetit.
Në vende të tjera, ligjet anti-LGBTQ+ zbatohen rregullisht dhe dylberat përballen me persekutim, dënime me burg, madje në disa vende dylberat përballen me dënimin me vdekje – të gjitha për krimin e thjeshtë të të qenit vetvetja.
Afganistani: Personat LGBTQ+ mund të dënohen me vdekje. Aktiviteti seksual mes të njëjtit seks është i paligjshëm dhe pushteti taliban ka bërë që dylberat të përballen me persekutim edhe më të ashpër.
Bangladeshi: Marrëdhëniet seksuale mes burrave janë të paligjshme. Sipas ligjit të epokës koloniale, dënimi maksimal është me burgim të përjetshëm. Ligji zbatohet rrallë, por ekzistenca e tij krahas ligjeve të tjera mund të përdoret për zullum ndaj personave LGBTQ+.
Brunei: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm, si për burrat ashtu edhe për gratë në Brunei, sipas një ligji të epokës koloniale. Burrat mund të përballen me dënim me vdekje, ndërsa gratë mund t’i nënshtrohen rrahjes me shkop ose edhe burgosjes. Personat trans gjithashtu janë të kriminalizuar. Pezullimi i dënimit me vdekje është vendosur që nga viti 2019. Nuk ka asnjë provë për zbatimin e ligjeve kundër dylberave përgjatë viteve e fundit.
Indonezia: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i kriminalizuar. Një ligj kundër pornografisë përdoret për të ndjekur e përndjekur personat LGBTQ+. Ligji i miratuar në dhjetor 2022 e bën të kundërligjshëm seksin jashtëmartesor, për çka aktivistët kanë paralajmëruar se mund të rezultojë në persekutim më të madh për dylberat, meqë martesa mes personave të të njëjtit seks nuk është e ligjshme.
Irani: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm dhe dënohet me burgim ose me vdekje.
Iraku: Derisa aktiviteti seksual mes njerëzve të të njëjtit seks nuk është shprehimisht i ndaluar me ligj në Irak, vepra të tilla si “veprimet jomodeste (sjelljet seksuale jashtë normave)” dhe “prostitucioni” – si dhe prania e Sheriatit – nënkuptojnë se personat LGBTQ+ ende përballen me ndjekje penale.
Kuvajti: Aktiviteti seksual mes burrave është i paligjshëm sipas një ligji të epokës koloniale, i cili lejon dënim deri në shtatë vjet burgim.
Libani: Aktiviteti seksual midis burrave është i paligjshëm sipas Kodit Penal të vitit 1943, i cili penalizon “marrëdhëniet seksuale kundër natyrës”. Ata që shpallen fajtorë mund të përballen me një vit burg. Personat trans gjithashtu përballen me persekutim.
Malajzia: Aktiviteti seksual mes personave të të njëtit seks është i jashtëligjshëm, si mes burrave ashtu edhe mes grave, sipas një ligji të epokës koloniale. Personat trans gjithashtu përballen me kriminalizim. Dënimi maksimal është 20 vjet burg dhe rrahje me kamxhik.
Maldivet: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm, i dënueshëm deri me tetë vjet burgim dhe 100 rrahje (goditje) me kamxhik.
Mjanmari (Birmania): Seksi mes burrave është i paligjshëm dhe personat trans përballen me kriminalizim sipas një ligji të trashëguar nga Britania. Dënimi maksimal është 10 vjet burg.
Omani: Seksi mes burrave ashtu edhe seksi mes grave është i paligjshëm dhe shprehja gjinore e personave trans është e kriminalizuar. Dënimi maksimal është tre vjet burgim. Nuk ka asnjë dëshmi për zbatimin e ligjeve kundër dylberave që nga viti 2009, por ligjet që ndalojnë veshjen crossdresing (veshjen e rrobave të gjinisë tjetër) mendohet se zbatohen.
Pakistani: Kodi penal penalizon “njohjen trupore kundër rendit të natyrës”, që do të thotë se burrat mund të persekutohen për aktivitete seksuale të të njëjtit seks. Dënimi maksimal është me burgim të përjetshëm. Ligji u vendos për herë të parë nën sundimin britanik.
Palestina: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks teknikisht është i paligjshëm në Gaza. Këtë dispozitë ligjore e vendosi Britania gjatë mandatit të saj mbi Palestinën, megjithëse ka pak prova që ligji zbatohet sot.
Sqarim shtesë i redaksisë së Dylberizm lidhur me Palestinën:
Popullsia e Gazës aktualisht po përballet me sulme sistematike prej ushtrisë së Izraelit. Që prej sulmit të Hamasit më 7 tetor, Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se Izraeli i ka vrarë mbi 41.500 banorë civilë të Gazës. Së paku 34 fëmijë vlerësohet se kanë vdekur nga uria sipas ekspertëve të OKB-së, shkaku që Izraeli i bllokon edhe ndihmat humanitare. Sipas këtyre ekspertëve vendosja nën shënjeshtër e civilëve prej autoriteteve izrealite përmes bllokimit të ndihmave është i qëllimshëm. Sulmet e ushtrisë Izraelite kanë vrarë mbi 250 punëtorë të ndihmave humanitare sipas Human Rights Watch dhe të paktën 130 gazetarë sipas Reporterët Pa Kufij. Në fillim të vitit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi Izraelin t’i ndalë sulmet në Rafah, por sulmet e ushtrisë mbi popullatën civile nuk janë ndalur.
Territoret palestineze nuk përfshijnë vetëm Gazën por edhe Bregun Perëndimor. Në Bregun Perëndimor nuk ekziston ndalimi i aktivitetit seksual mes personave të seksit të njëjtë, i cili është shfuqizuar më 1951 sipas Outright International. Edhe në këtë pjesë, Izraeli po ashtu aplikon politikë të spastrimit etnik, duke i nxjerrë palestinezët prej shtëpive të tyre e duke i vendosur kolonët izreaelitë në vendin ku ata i kanë shtëpitë. Veprimet e Izraelit në territorin e okupuar të Bregut Perëndimor, sipas një Mendimi Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare të luftës, përfshirë Konventat e Hagës, ato të Gjenevës, si dhe në kundështim me Konventën Ndërkombëtare mbi Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor. Kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se është frustruese se si ende nuk ka plan për armëpushim dhe lirim të pengjeve izraelite që po i mban Hamasi. Derisa i ka bërë thirrje komitetit ndërkombëtar të zgjohet, ai ka shprehur frikën se konflikti mund të eskalojë edhe më shumë nëpër shtetet e tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.
Katari: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm dhe i dënueshëm deri në shtatë vjet burgim për të dënuarit. Ka pak prova për zbatimin e ligjit përgjatë viteve të fundit.
Arabia Saudite: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë. Personat trans janë gjithashtu të kriminalizuar.
Sri Lanka: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë. Personat trans gjithashtu përballen me kriminalizim. Dënimi maksimal është 10 vjet burg dhe gjobë. Ligji u vendos nën sundimin kolonial britanik.
Siria: Marrëdhëniet e të njëjtit seks janë të kriminalizuara si për burrat ashtu edhe për gratë, ndërsa dënimi shkon deri në tre vjet burgim.
Turkmenistani: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks mes burrave është i paligjshëm. Dënimi maksimal është dy vjet burgim.
Emiratet e Bashkuara Arabe: Të gjitha aktivitetet seksuale të të njëjtit seks janë të paligjshme dhe personat trans janë gjithashtu të kriminalizuar. Dënimi maksimal është 14 vjet burg, por edhe dënimi me vdekje mund të zbatohet edhe duke u thirrur te Sheriati.
Uzbekistani: Aktiviteti seksual mes burrave është i paligjshëm dhe i dënueshëm deri në tre vjet burgim.
Jemeni: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm. Dënimi maksimal është dënimi me vdekje, duke e hedhur personin e dënuar me gurë. Ka pak prova për zbatimin e ligjit në vitet e fundit, megjithatë raportet sugjerojnë se burrat gej janë ekzekutuar nga grupe militante.
Algjeria: “Aktet e homoseksualitetit” dhe “paturpësisë publike” janë të paligjshme dhe dënohen me maksimum tre vjet burgim, si te burrat ashtu edhe te gratë.
Burundi: Aktiviteti seksual mes njerëzve të të njëjtit seks është i paligjshëm, si për burrat ashtu edhe për gratë. Dënimi maksimal është dy vjet burgim.
Kameruni: Burrat dhe gratë mund të dënohen deri në pesë vjet burg nëse zbulohet se janë përfshirë në aktivitete seksuale të të njëjtit seks.
Çadi: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë. Të dënuarit rrezikojnë deri në dy vjet burgim e edhe të gjobiten.
Ishujt Komore: Deri në pesë vjet burg dhe gjobë është dënimi për burrat dhe gratë për përfshirje në “akte të pahijshme ose të panatyrshme”. Këtij ligji duket i ka dalë koha dhe nuk ka asnjë provë që është zbatuar aktualisht.
Egjipti: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm sipas kodit penal, i cili penalizon “paturpësinë”, “aktet skandaloze” dhe “shfrenimin”. Të dënuarit rrezikojnë deri në tre vjet burg dhe gjobë.
Eritrea: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë. Dënimi maksimal është me shtatë vjet burgim. Ka prova të kufizuara që ligji është zbatuar viteve të fundit.
Esvatini: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është e paligjshme, megjithëse nuk ka prova që ligji i epokës koloniale zbatohet.
Etiopia: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i kriminalizuar si për burrat ashtu edhe për gratë dhe sanksionohet me dënim maksimal prej një viti burg. Është një nga vendet e pakta afrikane që ka miratuar ligjet e veta anti-queer – shumica i kanë trashëguar ato nga Britania.
Gana: Seksi mes burrave është i kriminalizuar, me dënimin maksimal deri në tre vjet burg. Ka disa dëshmi të arrestimit të personave LGBTQ+, por nuk ka dëshmi të dënimeve në vitet e fundit.
Guinea: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks, si për burrat ashtu edhe për gratë, është i paligjshëm sipas kodin penal që ndalon “veprimet e pahijshme ose veprimet kundër natyrës”. Dënimi maksimal është deri në tre vjet burgim. Ka pak prova për zbatimin e ligjit përgjatë viteve e fundit.
Kenia: Seksi mes meshkujve është i kriminalizuar, me dënimin maksimal prej 14 vjetësh burg. Është ligj i epokës koloniale të imponuar nga britanikët. Raportet sugjerojnë se policia ka më shumë gjasa t’i ketë cak burrat gej duke u thirrur në ligjet kundër qëndrimit pa arsye në hapësirë publike dhe shtytjes në vepra penale.
Liberia: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënimin maksimal prej një viti burgim.
Libia: Si burrat ashtu edhe gratë mund të përballen me bugim deri pesë vjet për aktivitete seksuale të të njëjtit seks.
Malavi: Aktiviteti seksual mes njerëzve të të njëjtit seks, mes burrave e edhe mes grave është i kriminalizuar, ashtu siç është e ndaluar edhe shprehja gjinore e njerëzve trans. Një pezullim mbi ligjin është vendosur që nga viti 2014, pra nuk ka pasur ndjekje penale që atëherë.
Mauritania: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm, si për burrat ashtu edhe për gratë, me ndëshkim maksimal dënimin me vdekje përmes goditjes me gurë – megjithatë sipas Human Dignity Trust, ekziston një pezullim “de-facto” në shqiptimin e këtij dënimi.
Maroku: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënim maksimal prej tre vjetësh burg.
Namibia: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks mes burrave është i kriminalizuar, megjithatë dënimi është i paqartë dhe nuk ka asnjë provë që ligji është zbatuar që kur vendi u pavarësua nga Afrika e Jugut në 1990.
Sqarim shtesë i Redaksisë së Dylberizm lidhur me Namibinë:
Gjykata e Lartë e Namibisë në qershor të 2024-ës i ka rrëzuar dy ligje që kriminalizojnë seksin mes personave të seksit të njëjtë. Mediat namibiane kanë raportuar se aktivistët dylbera në Namibi kanë shprehur shqetësim, meqë Qeveria ka ushtruar ankesë kundër këtij vendimi në Gjykatën Supreme.
Nigeria: Aktiviteti seksual ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks është i paligjshëm, si për burrat ashtu edhe për gratë. Shprehja transgjinore është gjithashtu e kriminalizuar. Dënimi maksimal në është me 14 vjet burg, por në nivel shtetëror mund të vendoset ligji i Sheriatit, i cili përcakton dënimin me vdekje (hedhje me gurë ndaj të dënuarit). Ligjet i kanë rrënjët në kolonizimin britanik, por Nigeria i ashpërsoi edhe më shumë ligjet e saj anti-LGBTQ+ në vitin 2013.
Senegali: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm midis burrave dhe grave, me dënim deri në pesë vjet burg.
Sierra Leone: Seksi mes burrave është i kriminalizuar, me dënimin maksimal me burgim të përjetshëm. Ka prova të kufizuara që ligji është zbatuar vitet e fundit.
Somalia: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënim deri në tre vjet burgim – megjithatë, mund të zbatohet edhe ligji i Sheriatit, sipas të cilit parashihet dënimi me vdekje. Ligji u trashëgua prej kolonizimit britanik.
Sudani i Jugut: Seksi mes meshkujve dhe shprehja gjinore e personave trans janë të kriminalizuara, me dënim maksimal me 14 vjet burgim dhe gjobë. Ligji është trashëguar nga Britania dhe ka pak prova për zbatimin e tij në vitet e fundit.
Sudani: Aktiviteti seksual si mes burrave ashtu edhe mes grave, është i kriminalizuar dhe dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm. Ligji është trashëguar nga Britania.
Tanzania: Aktiviteti seksual mes personave të të njëjtit seks është i kriminalizuar, si për burrat ashtu edhe për gratë. Dënimini maksimal është me burgim të përjetshëm. Ligji u vendos për herë të parë nën sundimin britanik.
Togo: Aktiviteti seksual mes njerëzve të të njëjtit seks, si për burrat edhe për gratë, është i kriminalizuar. Dënimi maksimal është tre vjet burg dhe gjobë. Ka pak prova që ligji është shqiptuar viteve të fundit.
Tunizia: Aktiviteti seksual i të njëjtit seks është i paligjshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënim maksimal deri në tre vjet burg.
Uganda: Aktiviteti seksual si mes burrave ashtu edhe mes grave është i ndaluar me ligj që është trashëguar nga britanikët. Dënimi maksimal është burgim i përjetshëm.
Zambia: Burrat dhe gratë mund të përballen me 14 vjet burg për përfshirje në aktivitete seksuale mes të njëjtit seks. Ligji është trashëguar nga Britania.
Zimbabve: Seksi mes burrave është i kriminalizuar, me dënim maksimal prej një viti burgim dhe me gjobë. Ashtu si shumë vende të tjera afrikane, Zimbabveja trashëgoi ligjet e “sodomisë” nga Britania prej kolonizimit.
Grenada: Seksi mes burrave është i kriminalizuar, me dënim maksimal 10 vjet burgim. Ligji është trashëguar nga Britania dhe nuk ka shumë dëshmi që ai është zbatuar viteve të fundit.
Guajana: Seksi mes burrave është i kriminalizuar dhe dënimi maksimal është burgimi i përjetshëm. Ligji është trashëguar nga Britania. Nuk ka asnjë dëshmi që është zbatuar përgjatë viteve të fundit – megjithatë, disa raporte sugjerojnë se policia po e përdor ekzistencën e këtij ligji për t’i frikësuar njerëzit.
Xhamajka: Aktiviteti seksual mes burrave është i kriminalizuar, me dënimin maksimal deri në 10 vjet burgim dhe punë të rëndë të detyrueshme. Ligji u vendos për herë të parë nën sundimin britanik. Derisa nuk ka shumë dëshmi që ligji është zbatuar vitet e fundit, disa raporte sugjerojnë se ai është përdorur për të marrë haraç (shantazh e kërcënim me qëllim të përfitimit të parave) prej dylberave.
Shën Luçia: Aktiviteti seksual mes njëjtit seks si mes burrave ashtu edhe mes grave është i kriminalizuar sipas një ligji të trashëguar nga sundimi kolonial britanik. Dënimi maksimal është 10 vjet burg, por nuk ka asnjë dëshmi që ky ligj është zbatuar përgjatë viteve të fundit.
Shën Vincenti dhe Grenadinet: Ligji i epokës koloniale kriminalizon aktivitetin seksual të të njëjtit seks, si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënim maksimal prej 10 vjetësh burgim. Nuk ka asnjë provë se ligji është zbatuar kohëve të fundit.
Kiribati: Ligii i epokës koloniale britanike ndalon aktivitetin seksual ndërmjet personave të të njëjtit seks, konkretisht ndërmjet burrave, me dënimin maksimal prej 14 vjetësh burg. Nuk ka asnjë dëshmi se ligji është zbatuar kohëve të fundit.
Papua Guinea e Re: Aktiviteti seksual mes burrave është i kriminalizuar me një ligj që është trashëguar nga Australia, të cilin australianët e morën kur ishin nën sundimin britanik. Dënimi i fundit sipas këtij ligji ishte në vitin 2015. Dënimi maksimal është 14 vjet burgim.
Samoa: Marrëdhëniet seksuale mes burrave kriminalizohen me dënimin maksimal deri në pesë vjet burgim. Ligji, i trashëguar nga Zelanda e Re, bazohej në ligjin britanik. Nuk ka asnjë dëshmi për zbatimin e ligjit.
Ishujt Solomon: Ligji i epokës koloniale ndalon aktivitetin seksual të të njëjtit seks për burrat dhe gratë, me dënimin maksimal deri në 14 vjetësh burgim.
Tonga: Ky ligj u trashëgua nga Britania, në kohën kur Tonga ishte nën protektorat. Aktiviteti seksual mes njerëzve të të njëjtit seks është i ndëshkueshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, me dënim maksimal prej 10 vjetësh burg. Nuk ka asnjë provë për zbatimin e ligjit.
Tuvalu: Seksi mes burrave është i kriminalizuar, me dënim deri në 14 vjet burg. Ligji është trashëguar nga Britania dhe nuk ka asnjë dëshmi që zbatohet sot.
Është dëshpëruese se në sa vende është e paligjshme të jesh dylber në vitin 2024, por lajmi i mirë është se që nga viti 2022 disa vende janë hequr nga kjo listë, duke përfshirë Barbadosin, Mauritiusin, Ishujt Kuk dhe Dominikan, kështu që shpresojmë që mund të hiqen edhe më shumë nga kjo listë në vitet e ardhshme.
Burimi: Pink News