Tu e lexu qitash
Nga pinguinët te majmunët, sjelljet homoseksuale publikohen rrallë nga shkencëtarët

Nga pinguinët te majmunët, sjelljet homoseksuale publikohen rrallë nga shkencëtarët

Sipas një studimi, sjellja homoseksuale e kafshëve nuk është raportuar mjaftueshëm nga shkencëtarët. Studimi zbulon sjelljen seksuale të mes kafshëve të të njëjtit seks, te primatët (ku bëjnë pjesë majmunët dhe njerëzit) dhe gjitarët e tjerë, janë vëzhguar shpesh mirëpo rrallë janë bërë pjesë e publikimeve shkencore.

George Murray Levick, eksplorues me ekspeditën “Scott Antarctic” në Polin e Jugut, kaloi verën e viteve 1911-1912 duke e dokumentuar hollësisht ciklin e shumimit të pinguinëve Adelie. Ai u befasua kur zbuloi se pinguinët meshkuj, shpesh bënin seks me njëri-tjetrin, por ky fakt u konsiderua shumë tronditës për t’u përfshirë në raportin zyrtar të ekspeditës. Kaluan 50 vjet deri kur kjo gjetje u bë pjesë e literaturës shkencore.

Në ditët e sotme sjelljet seksuale të të njëjtit seks po raportohen te një gamë e gjerë e specieve, por një analizë e re tregon se vazhdon të ekzistojë një hendek në mes të asaj se sa shpesh ndodhin në të vërtetë dhe asaj se sa shpesh dëgjojmë për to. Një anketë e realizuar me shkencëtarë të cilët studiojnë kafshët zbuloi se ata i vëzhgojnë gjerësisht ato, por rrallë bëjnë publikime për sjelljet seksuale të të njëjtit seks te primatët dhe gjitarët e tjerë.

Karyn Anderson, autorja e parë e studimit dhe studente e magjistraturës në programin e Antropologjisë në Universitetin e Torontos, shprehet se: “Duket që kjo ka ardhur si pasojë e perceptimit të studiuesve se sjellja seksuale mes kafshëve të të njëjtit seks është shumë e rrallë. Sidoqoftë, ne zbuluam nga të anketuarit se ata e kanë të zakonshme t’i dallojnë këto sjellje”.

Nga 65 studiues që studionin 52 specie të ndryshme, 77% kishin vërejtur sjellje seksuale të të njëjtit seks, të tilla si stimulimi gjenital etj, por vetëm 48% kishin mbledhur të dhëna dhe vetëm 19% kishin publikuar gjetjet e tyre, sipas studimit të botuar në revistën “PLOS One”.

Speciet si pinguinët dhe majmunët makakë japonezë, janë bërë kafshë poster për çiftet e të njëjtit seks, por priren të paraqiten sikur të ishin të rrallë. Analiza më e fundit nxori në pah vëzhgimet e çifteve të të njëjtit seks në shumë specie pa raporte të mëparshme, duke përfshirë minjtë e nishanit, ketrat, mangustët, koatët bishtunazë dhe majmunët e ndryshëm.

Anderson thotë se perceptimi se sjellja seksuale e të njëjtit seks ishte e rrallë te kafshët i shërbente narrativit se ato janë sjellje “të panatyrshme” për njerëzit. “Mendoj se ky regjistër duhet të korrigjohet”, tha ajo. “Një gjë që mendoj se mund ta themi me siguri është se sjellja seksuale e të njëjtit seks është e përhapur dhe e natyrshme në mbretërinë e kafshëve”, thotë Anderson.

Të anketuarit thonë se nuk ishin të ndikuar nga shqetësimet socio-politike, por shumë vunë në pah se revistat shkencore dukeshin të njëanshme, pra kundër botimit të raporteve anekdotike (raporte të bazuara në vëzhgime e intervista dhe pa mbështetje në statistika) në krahasim me studimet sistematike.

Josh Davis, nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër dhe autori i librit “Një histori gej e shkurtër natyrës” (“A Little Gay Natural History”), tha: “Rreth 1500 specie janë vëzhguar duke treguar sjellje homoseksuale, por kjo është sigurisht një nënvlerësim sepse shihet pothuajse në çdo degë të pemës evolucionare – nga merimangat, te kallamarët e deri te majmunët”.

“Ka një sugjerim në rritje se është normale dhe e natyrshme për pothuajse çdo specie,” shtoi ai. “Ndoshta janë të rralla speciet ekskluzivisht heteroseksuale”.

Paul Vasey, profesor i Psikologjisë në Universitetin e Lethbridge në Alberta, ka studiuar sjelljen homoseksuale te majmuni femër makak i Japonisë për më shumë se tri dekada. “Mund të them me siguri se në disa popullata, si ajo ato që i studioj, sjellja homoseksuale femërore ndodh relativisht shpesh”, thotë ai, duke shtuar se në shumë specie është ndoshta më pak e zakonshme dhe më e vështirë të studiohet në mënyrë sasiore.

Në të kaluarën, sjelljet seksuale të të njëjtit seks shpesh cilësoheshin, si “paradoks darvinian”, sikur të ishin kundër rrjedhës së presionit evolucionar për të mbijetuar dhe tu riprodhuar. Megjithatë, ka dëshmi në rritje se ka sjellje seksuale të të njëjtit seks që mund të janë përparësi evolutive. Tek mjellmat e zeza, çiftet meshkuj-mashkull shpesh i vardisen njëritjetrit, vjedhin vezë e i rrisin zogjtë së bashku, si dhe janë më të suksesshëm në sigurimin e mbijetesës së zogjve të tyre sesa çiftet e mjellmave heteroseksuale.

Julia Monk, ekologe në Universitetin e California-s, Berkeley, thotë se sjellja e kafshëve mund të bëhet kornizë përmes të cilës njerëzit përpiqen t’i japin kuptim natyrës së tyre. 

“Unë nuk besoj se ne duhet të jemi të kushtëzuar prej asaj që e bëjnë apo nuk e bëjnë kafshët për t’i vendosur norma sjelljes njerëzore”, thotë ajo. “Por unë mendoj se është e rëndësishme ta studiojmë më mirë se si jetojnë kafshët dhe ta shtrojmë pyetjen se në çfarë mase të kuptuarit tonë për botën natyrore ka qenë është kufizuar prej imagjinatës sonë shoqërore.”

Artikulli u publikua në The Guardian dhe u përkthye nga Dylberizm. 

Ky është animacioni “Në Natyrë” (“Dans la nature”) i shfaqur në edicionin e 14 të festivalit Anibar me po të njëjtën tematikë. Narracioni i këtij filmi të shkurtër të animuar është në frengjisht dhe titrat janë në anglisht.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top