Një burrë vret gruan transgjinore në Gjeorgji pas miratimit të ligjit anti-LGBTQ+
Paralajmërim: Ky artikull diskuton vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTQ+ andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.
Ngushëllimet për vdekjen e Kesaria Abramidze bëhen në kohën kur partia në pushtet me aleatët e saj po akuzohen për fushatë shtetërore kundër pakicave.
Modelja e famshme transgjinore gjeorgjiane është vrarë një ditë pasi qeveria miratoi legjislacionin që do të vendosë cungim madhor në të drejtat e dylberave në vend, thanë zyrtarët lokalë.
Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë tha se Kesaria Abramidze, 37 vjeçe, besohet të jetë therrur me thikë të mërkurën (më 18 shtator) në banesën e saj në periferi të Tbilisit.
Mediat gjeorgjiane më vonë raportuan se u arrestua një burrë i dyshuar lidhur me këtë krim.
Abramidze ishte një nga figurat e para transgjinore që doli haptas para publikut në Gjeorgji. Vdekja e saj vjen pas miratimit të legjislacionit kundërthënës mbi “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve” që do t’i lejojë zyrtarët t’i ndalojnë ngjarjet e Paradës së Krenarisë dhe t’i censurojnë filmat dhe librat.
Ligji, i cili u miratua të martën nga parlamenti gjeorgjian në leximin e tij të tretë dhe të fundit, përfshin ndalimin e martesave të të njëjtit seks dhe trajtimet që shërbejnë për të mbështetur e afirmuar identitetin gjinor. Kjo pritet të jetë një tjetër pikë mosmarrëveshjeje në mes të Gjeorgjisë dhe BE-së, teksa vendi synon t’i bashkohet bllokut.
Kritikët argumentojnë se projektligji, i prezantuar në verë, fillimisht nga partia në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, pasqyron ligjet e miratuara në Rusinë fqinje, ku gjatë dekadës së fundit autoritetet kanë zbatuar një sërë masash represive kundër dylberave.
Megjithëse motivi i vrasjes së Abramidze mbetet i paqartë, shoqëria civile gjeorgjiane e sheh vdekjen e saj si pjesë e një fushate shtetërore kundër pakicave në vend.
Nën partinë Ëndrra Gjeorgjiane, me qëndrim gjithnjë e më anti-liberal, vendi ka qenë dëshmitar i rritjes të dhunës kundër personave LGBTQ+.
Vitin e kaluar, qindra kundërshtarë të të drejtave të dylberave sulmuan një festival LGBTQ+ në Tbilisi, dhe për pasojë ngjarja u anulua. Këtë vit, dhjetëra mijëra njerëz marshuan në kryeqytet për të promovuar “vlerat tradicionale familjare” në një ngjarje ku mori pjesë partia në pushtet dhe kisha ortodokse thellësisht konservatore e e cila ka ndikim të madh.
Qendra e Drejtësisë Sociale, grup i të drejtave të njeriut në Tbilisi, ka reaguar lidhur me vrasjen duke thënë, “Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë në mes të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në politikë dhe krimeve të urrejtjes”.
“Ka pothuajse një vit që qeveria e Ëndrrës Gjeorgjiane po përdor në mënyrë agresive gjuhën homo/bi/transfobike dhe e kultivon atë me mjete propagandistike masive”, thuhet në deklaratë.
Të mërkurën kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje qeverisë gjeorgjiane që ta tërheqë ligjin e “vlerave familjare”, duke paralajmëruar se do të dëmtonte gjasat e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar bllokut. Legjislacioni “rrit diskriminimin dhe stigmatizimin”, tha ai në X.
Pas vdekjes së Abramidze, Michael Roth, kryesuesi socialdemokrati i Komitetit për Punë të Jashtme në Bundestagun e Gjermanisë, vuri po ashtu theksin te kjo thirrje.
“Ata që mbjellin urrejtje do të korrin dhunë. Kesaria Abramidze u vra vetëm një ditë pasi parlamenti gjeorgjian miratoi ligjin anti-LGBTI”, shkroi Roth në X.
Miratimi i ligjit vjen vetëm pesë javë përpara zgjedhjeve parlamentare, që shumë njerëz i shohin si tregues për drejtimin e Gjeorgjisë, dikur një nga shtetet më pro-perëndimore ish-sovjetike – se a do të zhvendoset apo jo drejt Rusisë.
Presidentja pro-perëndimore Salome Zourabichvili, funksionet e së cilës janë kryesisht ceremoniale, pritet ta përdorë veton ndaj ligjit përpara se të hyjë në fuqi. Megjithatë, Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e saj kanë vende të mjaftueshme në parlament për të rrëzuar veton e saj.
Në fillim të këtij viti, Ëndrra Gjeorgjiane shtyu gjithashtu ligjin përçarës të “ndikimit të huaj”, për të cilin kritikët perëndimorë argumentojnë se është autoritar dhe i frymëzuar nga Rusia dhe ka prishur aspiratat e vendit për në BE.
Ndërkohë, homazhet kanë filluar për Abramidze, e cila përfaqësoi Gjeorgjinë në Miss Trans Star International në 2018 dhe kishte më shumë se 500,000 ndjekës në Instagram.
“Kesaria ishte ikonë! Provokative, e mençur, tepër e guximshme! Një pioniere për të drejtat e transgjinorëve të Gjeorgjisë”, shkroi në X, Maia Otarashvili, politologe gjeorgjiane.
Zourabichvili tha se kjo vrasje duhet të jetë një “thirrje për tu zgjuar” shoqëria gjeorgjiane.
“Një vrasje e tmerrshme! Vdekja e kësaj gruaje të re e të bukur… nuk duhet të shkojë dëm!” ka shkruar presidentja në Facebook.
Burimi: The Guardian