Pse “Prindi 1 dhe Prindi 2” janë terme të rëndësishme?
Në hapsinën online dhe n’media u bo fushatë kundër shkollës “Elena Gjika” shkaku i dokumenteve që shkolla ia shpërndau prindërve, t’cilat ju kanë referu “prindit 1” dhe “prindit 2”. Përderisa fushata konservatore i ka dhanë flakë pretendimit që po kërcënohet “familja tradicionale”, shkolla ka dalë me sqarim se dokumenti, “Marrëveshje e shkollës me prindërit”, është i miratum prej grupeve punuese të shkollave dhe se është n’përputhje me praktikat evropiane. Organizata të shoqërisë civile kanë dalë po ashtu me deklaratë ku kanë thanë se kërkesa për nënshkrimet e “prindit 1” dhe “prindit 2”, e ka për synim zotimin e krejt prindëve për me marrë pjesë në edukimin e nxënësve, meqë kanë vlerësu se në shumicën e rasteve barra e punës me fmijët që shkojnë në shkollë i bjen grave.
Me fillimin e këtij viti shkollor, shkolla fillore e mesme e ulët “Elena Gjika” në Prishtinë u bo cak i ni fushate online. Kjo masi ka shpërnda nji paketë me dokumente te prindërit ku ni prej dokumenteve, “Marrëveshja e shkollës me prindërit”, i referohet roleve të prindërve si “Prindi 1” dhe “Prindi 2” në vend të termeve tradicionale “nanë” dhe “babë”. Këto terminologji të cilat pasqyrojnë praktika evropiane për gjithëpërfshirje, ngjallën reagime të shumta te grupet konservatore e edhe kundër-reagim prej organizave të shoqërisë civile.
Figurat konservatore si deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, në rrjetet e tyre sociale denoncun këto terminologji si sulm ndaj “familjes tradicionale”. Rrahmani i qujti “prindin 1” edhe “prindin 2” në dokumente si ni përpjekje për me e “shkatrru familjen tradicionale të babës dhe nanës”. Ai bashkë me media e edhe faqe të rrjeteve sociale i dhanë flakë ni fushate kundër shkollës “Elena Gjika”, që e fajsun për agjendë kundër familjes.
Edhe fushata parazgjedhore ka nisë. Rrahmani ka thanë se don “me e mbrojtë familjen tradicionale”.
“Në zgjedhjet e ardhshme Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë shumë më shumë deputetë që mbrojnë familjen tradicionale ku ka NËNË e BABË . Familja do të jetë e sigurt”, ka shkru Rrahmani në Facebook.
Kurse në një komunikatë të përbashkët, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe nëntë organizata tjera, mbështetën nismën për mi përdorë termet “prindi 1” dhe “prindi 2”. Sipas organizatave, kjo iniciativë e ka për qëllim promovimin e përfshimjes së plotë të të dy prindërve në procesin arsimor edhe ndarjen e përgjegjësive për të mirën e fmive.
“Si organizata që mbrojmë të drejtat e grave, ndiejmë se kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt adresimit të diskriminimit që shpesh është ndjerë në proceset administrative, ku tradicionalisht është kërkuar vetëm emri i babait. Ky diskriminim nënvlerëson kontributin dhe rolin e rëndësishëm të grave në jetën e përditshme të fëmijëve, duke injoruar faktin që, në shumicën e rasteve, kujdesi ditor për fëmijët bie mbi nënat, ndërsa vendimet kryesore mbeten në duart e baballarëve”, thuhet në deklaratë.
Drejtoria e shkollës “Elena Gjika” iu përgjigj fushatës përmes ni komunikate ku sqaroi se dokumenti u aprovu vitin e kalum prej grupeve punuese të shkollave. Ka shkru gjithashtu se draft-dokumenti, që kërkon nënshkrimet e “prindit 1” e “prindit 2”, nuk e ka për qëllim mi cenu vlerat tradicionale të familjes, por që qëllimi i termeve është që të dy prindërit me u njoftë edhe zyrtarisht si përgjegjës për edukimin e fmive, në përputhje me normat evropiane që promovojnë gjithëpërfshirjen.
“Për shkollën është e rëndësishme që dy prindërit të jenë pjesë e shkollimit dhe garantues i bashkëpunimit e ndarjes së përgjegjësisë në të mirë të fëmijëve. Ne ndajmë keqardhje për çdo shqetësim të mundshëm që kjo situatë mund të ketë shkaktuar,” shkruan drejtoria në deklaratë. Nuk është e qartë pse shkolla ka kërku falje e as nuk e ka sqaru këtë fakt në pyetjet që Dylberizm ia ka dërgu.
Në rast të ngjashëm në Shqipëri para dy vitesh, aktivistet që mbronin termet “prindi 1” dhe “prindi 2” u kërcënun me vdekje prej personave konservatorë që shtyn përpara fushatë të ngjashme sipas të cilës se termet e tilla janë kërcënim për “familjet tradicionale”.
Botëkuptimi për familjen
Shumë prej nesh kur kemi qenë nxënës sistemi arsimor na ka mësu vetëm për ni lloj të familjes. Formulimi ka qenë se familja përbahët prej “Babait, nënës dhe fëmijëve” edhe se krejt llojet tjera janë familje të shthurrura. “Të mangët dhe të çrregullt” ka shkru në libër shkollor tu ju referu krejt familjeve ku fmit’ i kanë prindër gjyshërit ose edhe ata që rritën prej prindërve vetëushqyes.
Në anën tjetër, shtete nëpër botë, si Suedia, që e kanë bo politikën që në dokumente zyrtare me ju referu prindërve vetëm si prindër, pa numër “1” edhe “2” për me promovu neutralitetin gjinor. Shtetet e Bashkume t’Amerikës e kanë shti n’sistem përdorimin e termit “prindi 1” “prindi 2” n’dokumente zyrtare para ma shumë se 10 vjetëve për me i dhanë njohje llojeve të ndryshme të familjeve.
Ndryshimi i termeve nga “Nëna/Babai” në “Prindi1/Prindi2” nuk është veç formalitet burokratik. Ky ndryshim pasqyron ni hap drejt përmbushjes t’obligimit të shtetit për mosdiskriminim, gjithpërfshirje dhe barazi për krejt familjet, pavarësisht prej identitetit gjinor, statusit martesor ose strukturës së familjes. Njohja e “Prindi 1 dhe Prindi 2” ofron hapësinë t’sigurtë, neutrale dhe t’barabartë për fmit që mundën me pasë prindër të vetëm (prindër vetushqyes), kujdestarë, të të njëjtit seks dhe prindër që nuk përputhen me rolet tradicionale gjinore.
Ni draft-dokument që është marrëveshje mes shkollës edhe prindërve nuk i ndryshon raportet patriarkale në shoqërinë tonë. As nuk e përmirëson e as nuk e përkeqëson cilësinë e arsimit të nxënësve. Ngjashëm, nuk i lejon për shembull as dy lezbike që me lidhë martesë e as me u regjistru zyrtarisht si prindër të një fëmije. Qyshdoqoftë, është hap progresiv drejt njohjes së realiteteve të strukturave të ndryshme familjare në Kosovë. Ndryshimet gjuhësore sigurojnë që asnjë fmi e as mos me u ni i përjashtum ose ndryshe prej tjerëve. Kjo nismë e krijon ni precedent t’rëndësishëm që institucionet arsimore me qenë të ndjeshme ndaj nevojave të të gjitha familjeve.
Ma e pakta që e ka mrri debati për termet “prindi 1” dhe “prindi 2” është me na detyru me menu që ekziston ma shumë sesa ni formë e familjes – përtej asaj baba (si patriark edhe numër 1), nana (prind numër 2) edhe fmit’. Reagimi i organizatave na e ka pru në vëmendje se nanat kanë barrë të pabarabartë edhe në edukimin e fmive edhe janë më së shpeshti “prindi 1” për nxanësit e edhe që ka baballarë që duhët me bo ma shumë për me qenë me ni nivel me kontributin e nanave.