Vritet gruaja trans që u dëbua nga Turqia për në Siri
Paralajmërim: Ky artikull diskuton urrejtjen anti-LGBTQ+ andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.
Një grua trans që u dëbua (deportua) nga Turqia është vrarë të shtunën prej Ushtrisë së Lirë Siriane (Free Syrian Army), ka bërë të ditur grupi i Solidaritetit LGBTI+ i qytetit lindor turk, Adana. Në shkrimin e shpërndarë nga Kolektivi Mediatik Queer VELEVE është bërë e ditur se M.E u dëbua pasi statusi i saj HIV-pozitiv u zbulua nëpër rrjete sociale.
“Refugjates siriane, grua trans me inicialet M.E, iu shpalos statusi me HIV në rrjete sociale, e që më pas u bë cak i grupeve urrejtëse HIV-fobike e raciste dhe për pasojë u dëbua (u deportua nga Turqia për në Siri)”, shkruhet në raportimin e VELEVE.
Grupi i Solidaritetit LGBTI+ i Adanas ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se “Turqisë duhet t’i hiqet menjëherë statusi si vend i sigurtë për azil kërkuesit dhe refugjatët LGBTIQ+”.
Paralajmërime ka pasur vazhdimisht për rrezikun që i kanoset grave, fëmijëve dhe personave LGBTI+ nëse dëbohen për në Siri.
Të paktën që nga 2019-a është treguar se si refugjatët sirianë dylbera po i tradhton sistemi turk e edhe se Komisioneri i Lartë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) po hesht për dëbimin e dylberave që ligjërisht gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare.
Atëkohë, aktivistët dylbera thoshin për The Guardian se Ward, një grua siriane trans u dëbua kundërligjshëm nga Turqia për në Siri, përderisa ligjërisht kishte mbrojtje të përkohshme si refugjate.
Para se të dëbohej, Ward i telefonoi aktivistëve dhe u tha “Nëse Al Nusra më zë, do të më vrasë”. Që atëherë, Ward është e zhdukur.
Studiuesit kanë alarmuar për sulmet fizike me të cilat janë përballur si dylberat vendas, ashtu edhe refugjatët në Turqi. Për dëbimin për në Siri, studiuesja Deina Abdelkader, pati thënë se paraqet rrezik për jetë.
“Për sirianët LGBTQ, kthimi në shtëpi mund të jetë dënim me vdekje”, ka shkruar ajo në artikullin e botuar në The Conversation.
Pasojat e racizmit dhe nismës për ndreqje të marrëdhënieve Turqi-Siri
Siria, vend nën regjimin e Asadit të dytë, Bashar Al-Asadit, i ka ndaluara të ndaluara marrëdhëniet mes personave të seksit të njëjtë. Refugjatët dylbera janë përballur me sulme fizike e verbale gjatë qëndrimit në Turqi, por refugjatët sirianë kohëve të fundit janë po rrezikohen prej racizmit në rritje e edhe politikës së përafrimit të marrëdhënieve Turqi-Siri.
Përgjatë viteve të fundit ka shtim të raportimeve për forcim të racizmit e edhe ashpërsim të politikave të dëbimit të refugjatëve sirianë.
Kur nisi lufta në Siri më 2011, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndiqte politikë mikpritëse për refugjatët sirianë. Megjithatë, sivjet ai ka dhënë sinjal se synon të përafrohet në njëfarë mase me diktatorin e Sirisë, të cilin më herët e kishte quajtur “terrorist”.
Siguria e refugjatëve sirianë është vënë në pikëpyetje viteve të fundit. Vetëm më 2 korrik 2024 në Turqi janë arrestuar rreth 470 vetë për sulme ndaj refugjatëve sirianë, pasi autoritetet turke arrestuan një sirian nën dyshimin për dhunim të një vajze 7-vjeçe. Erdogani i ka fajësuar partitë opozitare të djathta për shtytje të urrejtjes.
“Djegia e shtëpive, vandalizmi dhe djegia e rrugëve është e papranueshme…Asgjë s’mund të arrihet me ndezje të ksenofobisë dhe urrejtjes ndaj refugjatëve në shoqërinë tonë”, është shprehur ai, siç ka raportuar Al Jazeera.
Megjithatë, vetë Erdogani, është shprehur i gatshëm për t’i zbutur raportet me Sirinë së fundi.
“Shpresoj që të mbeten prapa ato ndjenjat e inatit. Duam ta nisim një proces të ri”, ka thënë Erdogani në një konferencë për media më 11 korrik.
Sado që ndreqja e plotë e marrëdhënieve Turqi-Siri nuk është e lehtë, meqë Turqia ka trupa ushtarake në veri të Sirisë – analistët thonë se refugjatët sirianë janë kurban politik i frustrumit shoqëror me rritjen e pakënaqësive me gjendjen ekonomike. Refugjatët e migrantët në Turqi fajësohen se po ua vjedhin vendasve vendet e punës.
Omar Kadkoy, hulumtues i politikave të migrimit, ka thënë për Deutche Welle (DW) se refugjatët tash në shoqërinë turke shpesh po përmenden “si kërcënim”.
“Publiku këtu në Turqi i sheh sirianët si kërcënim ekonomik dhe nga ana shoqërore si njëfarë përjashtimi që nuk përputhet me shtetin nga ana kulturore”, ka thënë Kadkoy për DW.
Sirianët janë bërë çështje, sipas njohësve. Siç shkruan Radio France Internationale (RFI), Soli Özel, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kadri Has në Stamboll, vlerëson se situata për të gjithë refugjatët sirianë është e paqëndrueshme.
“Vendi është sikur fuçi baruti sa u përket refugjatëve, veçarërisht me degradimin e kushteve ekonomike. Sirianët janë bërë kurban i lehtë dhe ka frustrimn të rëndë lidhur në prezencën e tyre. Justifikohet apo jo, janë bërë çështje me peshë politike”, ka thënë Özel për RFI.
Rreth 3.5 milionë sirianë jetojnë në Turqi.
Burimet: VELEVE, The Guardian, The Conversation, Deutche Welle, RFE, Al Jazeera