Tu e lexu qitash
Dylberat me ngjyrë shpikën muzikën house

Dylberat me ngjyrë shpikën muzikën house

Me rritjen e epidemisë së HIV-AIDS, u rrit edhe nevoja për ikje nga realiteti në formën e muzikës. Ta kemi të qartë një gjë: dylberat me ngjyrë shpikën zhanrin e muzikës house. Kjo është historia e jashtëzakonshme e një zhanri të dashur. 

Shumë kohë përpara se tingujt pulsues të Electronic Dance Music (EDM) dhe techno të ishin sinonim i DJ-ve kryesisht të bardhë, nga Los Angeles dhe Brooklyn, me emra si “Wisso” dhe “Jonny Bizzle”, burrat gej me ngjyrë filluan të lëshonin muzikë në klube underground. Aty e gjetën kënaqësinë dhe ndjenjën e pranimit nëpër qendra urbane – Chicago dhe New York.

Por, diku gjatë rrugës, e humbëm muzikën. Me kalimin e kohës, ne u zëvendësuam edhe si konsumatorë e edhe si krijues. Kjo nuk duhet të jetë e papritur për askënd; shikoni rock and roll-in (shih: Sister Rosetta Tharpe) dhe muzikën country.

Por ndoshta ne mund ta rikthejmë atë, ose të paktën, t’i nderojmë paraardhësit tanë dhe ta shpallim me krenari se muzika house është muzika jonë – e dylberave me ngjyrë. Është koha për të rimarrë fronin.

Fakti që muzika house e ka burimin prej dylberave me ngjyrë është bërë çështje diskutimi së fundi.

Kur Beyonce publikoi këngën “Break My Soul” (në bashkëpunim me Big Freedia, ikonën queer të New Orleans) si këngë kryesore për albumin e saj  “Renaissance”, një komunitet i zëshëm të influencerëve dhe studiuesve e bënë shumë të qartë se Beyonce nuk e ka shpikur rrotën, por thjesht na ka kthyer te rrënjët tona.


House është hakmarrja e disco

Një studiuese e tillë është historiania e muzikës, arkivistja dhe DJ, Lynnée Denise, e cila ka shkruar gjerësisht për këtë temë dhe ka thënë në mediumin Harper’s Bazaar se “kultura e ballroom që ndërlidhej me muzikën house ofronte strehë për njerëzit që u dëbuan nga shtëpitë e tyre, të turpëruar e të heshtur, si dhe herë pas here të neglizhuar nga kishat, xhamitë dhe katedralet”.

Ai nivel pranimi, familja e re e zgjedhur, ishte një nga forcat e shumta shtytëse të muzikës house dhe pararendëses së saj, muzikës disco.

Nuk mund të flasësh për muzikën house pa folur më parë për disco. Vitet 1970 ishin kohë e ndryshimeve të paprecedenta për komunitetet e dylberave në Shtetet e Bashkuara. Amerika e pas Stonewall-it dukej më e ndritshme dhe më optimiste. Disco, që u lind në pistën e vallëzimit queer, ishte kolona zanore e përsosur për frymën e epokës.

Ajo që filloi si një degë e philadelphia soul, një stil muzikor i krijuar nga personat me ngjyrë, që ndikoi në disa nga hitet më të mëdha të viteve të 70-a, u bë shpejt si muzikë e natës dhe në modë për atë kohë. Ka një arsye pse “Studio 54” është një shtyllë muzikore e viteve 70, sepse ajo qe fenomen kulturor. Më pas e humbi atë status.

Ndërsa në fundin e viteve të 70-a u shënua një kthesë të fuqishme dhe pothuajse e menjëhershme kundër muzikës disco. “Nata e shkatërrimit të disco” më 1979 përmendet ndonjëherë si momenti kur disco vdiq atë kohë.

Por ishte më shumë se kaq. DJ i radios së Chicago, Steve Dahl, i cili ishte shkarkuar nga programi i tij i mëngjesit kur nisi të transmetohej muzika disco, filloi të vishte rroba ushtarake dhe të përdorte terma si “ushtri anti-disco” disa muaj para natës së shkatërrimit të disco. 

Dahl e urrente haptazi zhanrin e muzikës disco dhe ai urrente “kulturën” që ndërlidhej me të. Mblodhi 50,000 njerëz në stadiumin White Sox më 12 korrik 1979, ku brohoritej  “disco ta shpif”. Ata brenda një kohe të shkurtër u bënë të dhunshëm dhe shkaktuan kaos, ku 39 vetë u arrestuan para se të mbaronte ajo natë.

Dahl, i cili ishte vetëm 24 vjeç në atë kohë, ishte i nevrik që disco nuk i përshtatej burrave të bardhë si ai. Ai nuk ndihej “si në shtëpi” në euforinë e gëzueshme të muzikës disco, me ritme të shpejta, që të nxitin të vallëzosh, andaj ia dha vetes misionin që ta shkatërronte atë.

Por, nuk mund të frenosh një gej të mirë, prandaj kur disco doli nga skena, hyri muzika house. DJ Frankie Knuckles e tha më së miri: “Muzika house është hakmarrja e disco”.


Nga Chicago, me dashuri

Ndoshta nuk është shembull më të mirë kur fillon të flasësh për muzikën house sesa ai i DJ Frankie Knuckles. Është e rëndësishme të theksohen dy gjëra për Frankie Knuckles dhe debutimin e tij me muzikën house:

Së pari, Knuckles ishte haptas gej. Në fakt, klubi jashtëzakonisht i fashmëm ku ai i ndërtoi aftësitë e tij si DJ, Klubi i Robert William’s Warehouse në Chicago (vendi prej ku “house” mori emrin e saj), filloi si një vend vallëzimi vetëm për anëtarët – të gjithë ishin burra gej me ngjyrë.

Kur DJ i ri i Bronx-it ishte adoleshent, ai filloi të frekuentonte klubet disco lokale me mikun e tij po aq me ndikim, Larry LeVan, i njohur për qëndrimin e tij prej një dekade në qendrën queer BIPOC* në New York, Paradise Garage (të dy ishin aktivë në skenën e performancave drag në New York).

Knuckles shpesh njihet si “Kumbari i muzikës house”. Ai ishte ndër të parët që shtoi makineritë pulsuese të baterive, këngët pop-euro-synth dhe klasikët e disco-s së atëhershme jashtëzakonisht të njohura për krijimin e bazës e asaj që e dëgjojmë ende sot.

Bazuar në studimet e saj, Denise pohon se Chicago është vendi i lindjes dhe se fillimi i viteve 1980 është koha e lindjes së zhanrit të muzikës house. Është edhe kohë kyçe. Përafërsisht se në të njëjtën kohë kur Knuckles po përtrinte (ndryshonte) tingullin e tij, u identifikuan rastet e para të HIV-AIDS-it në Los Angeles. Muzika house, klubet dhe festat e lidhura me të, u bënë oaza të pranimit e të ikjes nga realiteti për dylberat.

Me rritjen e epidemisë së HIV-AIDS-it, u rrit edhe nevoja për ikje nga realiteti në formën e muzikës. Siç e përshkruan Denise, «lufta kundër drogës dhe varësisë, e shoqëruar me lirinë e rrezikshme që ishte e shënuar nga ‘një sëmundje e madhe me një emër shkurtër’».

Rilindja e muzikës house si zhanër i personave me ngjyrë

A mund të jetë kjo arsyeja pse komuniteti queer i personave me ngjyrë hoqi dorë kaq lehtë nga muzika house? Sepse ishte një rikujtim i dhimbshëm i një epoke me plot jetë të humbura dhe të rrënuara, të shënuara nga varësia dhe prej një sëmundjeje që shuajti familje të tëra zgjedhura? 

Vetëm mund të teorizojmë për arsyet, por e dimë me siguri se në një moment, burrat të bardhë cisgjinorë morën në dorë sintin dhe laptopat në dorë dhe që atëherë e kanë mbajtur peng muzikën house.

Electronic Dance Music (EDM), “kushërira më e re” e muzikës house, ka marrë statusin e njërit prej zhanreve e më të suksesshme të muzikës komerciale në botë. Çuditërisht, megjithatë nuk duket të jetë shumë miqësore ndaj komuniteteve LGBTIQ+ dhe nuk është aspak e larmishme. 

Shumica, nëse jo të gjithë emrat më të mëdhenj në EDM janë burra hetereoseksualë, cisgjinorë e të bardhë: Skrillex, Calvin Harris, David Guetta, etj. Si zhanër që merr elemente nga disa zhanre të ndryshme të muzikës queer, EDM sigurisht duket bukur…heteroseksual.  Është dëshpërimisht tejet larg prej dylberave me ngjyrë që e krijuan muzikën house.

Kur Beyonce zbuloi këngën e saj më të fundit (në fund të albumit të Drake, i frymëzuar nga muzika house) ishte diçka e re dhe ndryshe. Jo vetëm për shkak të nëntoneve anti-kapitaliste që përputhen në mënyrë të përkryer me një gjeneratë të lodhur nga puna e papaguar e e keqpaguar, por sepse ishte argëtuese. Ishte qejf, të bënte të vallëzosh dhe të ndjesh.

Por kjo është pikërisht ajo që muzika house ka bërë gjithmonë, të bën të ndjesh diçka që asgjë tjetër nuk mundet, të kërcesh si të gjithë të tjerët edhe kur askush nuk të shikon. Është një ftesë për të qenë pjesë e diçkaje të mirë. Ashtu si te paraardhësit dhe nënat tona të dikurshme, edhe te komuniteti queer me ngjyrë ekziston ende ajo nevoja për atë diçka të mirë dhe ka ende kohë për ta rikthyer muzikën house. 

*BIPOC – Në anglisht, “Black, Indigenous, and people of color” është term që përdoret konkretisht në Shtetet e Bashkuara për të përshkruar diçka që ndërlidhet me komunitetet me ngjyrë dhe ato vendase. Përdoret si term për ta shmangur përdorimin e termit “pakicë”. Lidhet me komunitetet me ngjyrë dhe vendasit e Amerikës të cilët i kanë të përbashkëta pasojat e shtypjes sistematike dhe gjenocidit përgjatë historisë.

Artikulli u pubikua në LGBT Nation dhe u përkthye nga Dylberizm. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top