Tu e lexu qitash
Gjykata koreane ua njeh çifteve të seksit të njëjtë të drejtat bashkëshortore

Gjykata koreane ua njeh çifteve të seksit të njëjtë të drejtat bashkëshortore

Institucioni më i lartë i drejtësisë në Korenë e Jugut ka vendosur t’ia njohë çifteve të seksit të njëjtë benefitet e sigurimit shëndetësor që ndërlidhen me martesën – sigurimin bashkëshortor. Deri më tani, vetëm çifteve heteroseksuale u njihej e drejta për sigurimin prej të cilit njëri bashkëshort mund të jetë i siguruar (i varur) nga tjetri. Ndërsa me vendimin e Gjykatës Supreme të datës 18 korrik kjo tash vlen edhe për çiftet lezbike dhe gej. 

Gjykata Supreme e Koresë së Jugut ka konstatuar se është diskriminuese që çiftet e seksit të njëjtë të trajtohen ndryshe nga ato heteroseksuale, ka raportuar Agence France-Presse (AFP). Të enjten Supremja ua ka njohur të drejtën për sigurim shëndetësor bashkëshortor një çifti gej, por kjo pritet të ketë efekte madhore në të drejtat e dylberave në shtetin e Azisë lindore. AFP ka shkruar po ashtu se vendimi sipas aktivistëve i hap rrugë njohjes ligjore të bashkësive civile.

Kim Yong-min, pas fitores së padisë që e inicoi bashkë me partnerin e tij, So Seong-wook, tregon për emocionin e fortë që përjetoi kur dëgjonte vendimin.

“Nuk më besohej kur e dëgjoja aktgjykimin. Isha tepër i lumtur dhe nisa të qaj…Duhet të luftojmë edhe më shumë për të përparuar te legalizimi i martesave të seksit të njëjtë”, tha Kim Yong-min për Reuters. 

Si nisi kjo betejë?

So Seong-wook dhe Kim Yong-min janë të martuar që prej 2019-ës, por Korea e Jugut nuk i njeh fare martesat mes personave të seksit të njëjtë. Ata regjistruan sigurimin bashkëshortor më 2020 në Shërbimin e Sigurimit Shëndetësor. Më vonë, këtë regjistrim sigurimi shëndetësor i shtetit e quajti “gabim teknik”. Më 2021, Shërbimi i ia ndali sigurimin Kim Yong-min, i cili ishte i regjistruar si i i siguruar në varësi (i bashkësiguruar) i So Seong-wook, pasi ky shërbim e kuptoi se ata ishin çift gej. So Seong-wook, e paditi sigurimin shëndetësor po atë vit, duke nisur betejën që do të zgjaste tri vjet.

Pse vendimi është i rëndësishëm?

Kryetari i Gjykatës Supreme, Jo Hee-de, konstatoi se me refuzimin e sigurimit të çiftit të seksit të njëjtë, atyre iu shkel e drejta në privatësi e edhe ajo për barazi përpara ligjit.

“Është veprim diskriminues që shkel dinjitetin dhe vlerat njerëzore, të drejtën për ta ndjekur lumturinë, të drejtën për privatësi dhe për barazi para ligjit – dhe ky është nivel i rëndë i shkeljes”, tha ai, ka raportuar Reuters. 

Avokatët dhe organizatat ndërkombëtare e kanë përgëzuar këtë vendim. Avokatja Chang Suh-yeon, që përfaqëson çiftin, tha se vendimi është me peshë si ligjore ashtu edhe shoqërore.

“Me aktgjykimin e sotëm, statusi ligjor i çifteve të seksit të njëjtë njihet prej sistemit publik. Pra mendoj se çiftet e seksit të njëjtë do të kenë dukshmëri më të madhe”, tha ajo.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, e ka quajtur këtë vendim “fitore historike”. Megjithatë, hulumtuesja e Amnesty, Boram Jang, ka rikujtuar se dylberave po iu duhen beteja të mëdha ligjore për t’i gëzuar të drejtat themelore që u takojnë.

“Përderisa është hap i madh, vetë rasti është rikujtim serioz lidhur me proceset e gjata gjyqësore nëpër të cilat u duhet të kalojnë çiftet e seksit të njëjtë për t’i marrë të drejtat bazike që duhet të jenë të garantuara për të gjithë”, ka deklaruar ajo.

Amnesty International i ka bërë thirrje Koresë së Jugut që t’i japë qasje të barabartë personave LGBTIQ+ në shërbime shëndetësore, por edhe të shënojë përparim të mëtejshëm duke miratuar një ligj gjithëpërfshirës kundër diskriminimit — që njeh barazinë martesore e dinjitetin për të gjithë. 


Burimet: Agence France-Presse (AFP), Reuters, Amnesty International

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top