Si po na afron në autoritarizëm lëvizja anti-gjinore
Në Shtetet e Bashkuara, gjinia është konsideruar si një term relativisht i zakonshëm. Na kërkohet të plotësojmë një kuti në formular dhe shumica prej nesh e bëjnë këtë pa e menduar shumë. Por disave prej nesh nuk u pëlqen plotësimi i kutisë dhe mendojnë se duhet të ketë ose shumë më tepër kuti ose ndoshta asnjë. Debatet e panumërta, të vazhdueshme rreth gjinisë tregojnë se nuk mbretëron asnjë qasje për ta përcaktuar apo kuptuar atë. Nuk është më një kuti e zakonshme për t’u plotësuar në formularët zyrtarë.
Megjithatë, ideologjia e lëvizjes anti-gjinore e trajton gamën e ideve ndonjëherë kontradiktore për gjininë si një monolit, të frikshëm në fuqinë dhe shtrirjen e saj.
Frika nga “gjinia” i lejon fuqitë ekzistuese – shtetet, kishat, lëvizjet politike – të frikësojnë njerëzit duke i disiplinuar duke i bërë që ta pranojnë censurën dhe ta shprehin frikën dhe urrejtjen e tyre mbi komunitetet e cenueshme. Këto pushtete jo vetëm që i japin nxitje frikës ekzistuese që shumë punëtorë kanë për të ardhmen e punës së tyre ose shenjtërinë e jetës së tyre familjare, por gjithashtu e nxisin këtë frikë, duke këmbëngulur, si të thuash, që njerëzit të identifikojnë me lehtësi gjininë si shkakun e vërtetë të ndjenjave të tyre, nga ankthi dhe frika për botën.
Projekti i rikthimit të botës në një kohë fantazmatike para gjinisë premton një kthim në një rend patriarkal të ëndrrave që vetëm një shtet i fortë mund ta rivendosë. Mbështetja e pushteteve shtetërore, përfshirë gjykatat, e përfshin lëvizjen anti-gjinore në një projekt më të gjerë autoritar, madje edhe fashist. Ne e shohim kthimin prapa të ligjeve progresive dhe vendosjen e pakicave seksuale dhe gjinore në shënjestër si rreziqe për shoqërinë, si personifikim i forcës më shkatërruese në botë, për t’ia hequr atyre të drejtat, mbrojtjen dhe liritë e tyre themelore.
Merrni parasysh pretendimin se “gjinia” – çfarëdo qoftë ajo – i vë fëmijët në rrezik përmes programeve të tilla si leximi i librave me personazhe queer të paraqitur si shembuj indoktrinimi ose joshjeje. Frika se mos lëndohen fëmijët, frika se do të shkatërrohet familja ose familja e dikujt, se “njeriu” do të zhbëhet, duke përfshirë burrat dhe njerëzit që janë disa prej nesh, se një totalitarizëm i ri po zbret mbi ne, janë të gjitha ato frikëra që ndjehen mjaft thellë nga ata që janë përkushtuar për çrrënjosjen e “gjinisë” – fjalës, konceptit, fushës akademike dhe lëvizjeve të ndryshme shoqërore.
Kufizimet autoritare që rezultojnë mbi lirinë janë të shumta, qoftë nëpërmjet krijimit të zonave pa LGBTQ+ në Poloni ose ndalimit të kurrikulave arsimore progresive në Florida që e përfshijnë lirinë gjinore dhe seksualitetin në edukimin seksual. Por, pavarësisht se sa fuqitë autoritare përpiqen të kufizojnë liritë, fakti që kategoritë e grave dhe burrave ndryshojnë historikisht dhe kontekstualisht është i pamohueshëm. Formacionet e reja gjinore janë pjesë e historisë dhe realitetit. Gjinia është, në realitet, minimalisht rubrika nën të cilën ne konsiderojmë ndryshimet në mënyrën se si janë kuptuar burrat, gratë dhe kategori të tjera të tilla.
Si dikush që punon në edukim, unë prirem t’u them këtyre njerëzve: “Hajde t’i lexojmë së bashku disa tekste kyçe në studimet gjinore dhe të shohim se çfarë do të thotë dhe çfarë nuk do të thotë gjinia dhe se a është karikatura e qëndrueshme apo jo.” Leximi është një parakusht i jetës demokratike, duke mbajtur debatin dhe mosmarrëveshjet me këmbë në tokë dhe produktive.
Mjerisht, një strategji e tillë rrallë funksionon.
Një grua në Zvicër erdhi tek unë pas një fjalimi që mbajta dhe më tha: “Unë lutem për ty”. E pyeta pse. Ajo shpjegoi se Bibla thotë se Zoti krijoi burrin dhe gruan dhe se unë, nëpërmjet librave të mi, e kisha mohuar Librin e Shenjtë ( Biblën). Ajo shtoi se mashkulli dhe femra janë natyralë dhe se natyra ishte krijim i Zotit. Theksova se natyra e pranon kompleksitetin dhe se vetë Bibla është e hapur ndaj interpretimeve të ndryshme, dhe ajo u tall. Më pas e pyeta nëse e kishte lexuar veprën time dhe ajo u përgjigj: “Jo! Nuk do të lexoja kurrë një libër të tillë!” E kuptova se leximi i një libri mbi gjininë do të ishte për të si të mirresh me djallin. Pikëpamja e saj rezonon me kërkesën për të nxjerrë libra mbi gjininë jashtë sistemit arsimor dhe frikën se ata që lexojnë libra të tillë janë të kontaminuar prej tyre ose i nënshtrohen një ngulitjeje ideologjike, edhe pse ata që kërkojnë t’i kufizojnë këto libra zakonisht nuk i kanë lexuar kurrë.
Të refuzosh gjininë është, fatkeqësisht, të refuzosh të përballesh me kompleksitetin që gjen në jetën bashkëkohore në mbarë botën. Lëvizja anti-gjinore e kundërshton vetë të menduarit (mendimin)një rrezik për shoqërinë, gjë që e bën tokë pjellore për bashkëveprimin e tmerrshëm të pasioneve fashiste me regjimet autoritare.
Ne duhet të mbajmë qëndrim kundër lëvizjes antigjinore në emër të marrit frymë lirshëm edhe të jetuarit të lirë nga frika prej dhunës.
Koalicionet transnacionale duhet të mblidhen dhe të mobilizojnë këdo që ka nën shënjestër lëvizja kundër ideologjisë gjinore. Luftimet e brendshme brenda fushës duhet të bëhen biseda dhe ballafaqime dinamike dhe produktive, sado të vështira, brenda një lëvizjeje të gjerë kushtuar barazisë dhe drejtësisë. Koalicionet nuk janë kurrë të lehta, por aty ku konfliktet nuk mund të zgjidhen, lëvizjet mund të ecin përpara së bashku me sy kah burimet e përbashkëta të shtypjes.
Pavarësisht nëse njerëzve u caktohet një gjini në lindje ose e marrin një tjetër ndërkohë, ata vërtet mund të duan të jenë gjinia që janë dhe të refuzojnë çdo përpjekje për t’ia prishur kënaqësi. Ata kërkojnë të rrinë dhe të festojnë, të shprehen dhe të komunikojnë realitetin se kush janë. Askush nuk duhet ta heqë atë gëzim, përderisa ata njerëz nuk insistojnë që gëzimi i tyre është i vetmi i mundshëm. Megjithatë, e rëndësishmja është se shumë prej tyre durojnë vuajtjet, ambivalencën dhe çorientimin brenda kategorive ekzistuese, veçanërisht të gjinisë që i është kur janë lindur. Ata mund të jenë genderqueer ose trans, ose diçka tjetër, dhe kërkojnë të jetojnë jetën si trupi që ka kuptim për ta dhe e lejon jetën të jetë e jetueshme, nëse jo e gëzueshme.
Çfarëdo tjetër që do të thotë gjini, me siguri nënkupton për disa një ndjenjë e të ndjerit të trupit, në sipërfaqet dhe thellësitë e tij, një ndjenjë e të jetuarit të të qenit një trup në botë në këtë mënyrë.
Sado që dikush mund të dëshirojë të kapë një ide të vetme se çfarë do të thotë të jesh grua apo burrë, realiteti historik e mposht atë projekt dhe i bën gjërat më keq duke këmbëngulur se gjinitë i kanë tejkaluar alternativat binare gjatë gjithë kohës. Se si e jetojmë atë kompleksitet dhe si i lëmë të tjerët të jetojnë, bëhet kështu çështje me rëndësi të madhe.
Ka ende shumë për të kuptuar për gjininë si problem strukturor shoqëror, si identitet, si fushë studimi, si një term enigmatik dhe shumë i investuar që qarkullon në mënyra që frymëzojnë disa njerëz dhe tmerrojnë të tjerët. Ne na duhet të vazhdojmë të mendojmë se çfarë nënkuptojmë me të dhe çfarë kuptojnë të tjerët kur irritohen me këtë term.
Ky është opinion i Judith Butler, i publikuar në Los Angeles Times më 24 prill 2024. Judith Butler ligjëron Letërsinë Krahasimtare në Berkeley të Universitetit të Kalifornisë.
Shkrimi u publikua në Archive.is dhe u përkthye nga Dylberizm.