Tu e lexu qitash
Ndalimi i paradës nuk e ndal Krenarinë në Stamboll

Ndalimi i paradës nuk e ndal Krenarinë në Stamboll

Guvernatori i Stambollit e ka shpallur të ndaluar Paradën e Krenarisë dhe policia ka bllokuar hyrjen e komunitetit queer dhe përkrahësve në Taksim – sheshin kryesor të Stambollit. 

Përkundër sfidave, qindra persona queer dhe përkrahës të dielën nuk e kanë ndalur betejën e tyre për ta zënë me krenari hapësirën publike, pavarësisht bllokimit prej policisë në metropolin turk.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për të paktën 15 të arrestuar në bazë të një komunikate zyrtare prej autoriteteve turke.

përshkrimin e një videoje të postuar në instagramin e Istanbul Pride, thuhet ndër të tjera se policia i mbylli rrugët, por s’e mbyll dot komunitetin.

“Mijëra policë e as helikopterët nuk mund të na ndalin. Të gjitha rrugët e qytetit i kemi. Rroftë solidariteti i Krenarisë sonë queer”, shkruan Istanbul Pride.

Demonstruesit valëvitën flamuj queer e palestinez dhe lexuan deklaratën e tyre, përpara se të shpërndaheshin shpejt kur mbërriti policia. Një pjesë e deklaratës, që sipas Deutsche Welle është lexuar në marshin protestues, e afirmon prezencën e komunitetit në të gjitha hapësirat dhe solidaritetin queer.

“I mbyllët të gjitha rrugët e sheshet, e ndalën jetën në të gjithë qytetin, por po harroni që gurët i çajmë për ta gjetur njëritjetrin kur të kemi nevojë”, ka cituar Deutsche Welle.

Marshi vjetor i Krenarisë është ndaluar në Stamboll që nga viti 2015, por demonstruesit ende mblidhen në Taksim dhe Istiklal çdo vit dhe përleshen me autoritetet lokale.

Turqia më parë ishte një nga vendet e pakta me shumicë myslimane që lejoi marshimet e Krenarisë. E para u mbajt në vitin 2003, një vit pasi partia e Presidentit Recep Tayyip Erdogan erdhi në pushtet.

Vitet e fundit, qeveria ka treguar një qasje të ashpër ndaj ngjarjeve publike të cilat organizohen nga grupe që nuk përfaqësojnë pikëpamjet konservatore fetare të pushtetit.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top