Rrugët e Selanikut mbushen plot njerëz për ta festuar EuroPride 2024
Pasditja e sotme i mbushi rrugët e Selanikut me mijëra njerëz, plot ngjyra e shumë dashni. EuroPride 2024 në qytetin e dytë më të madh të Greqisë mblodhi njerëz nga e gjithë Evropa, pavarësisht temperaturave mbi 30 gradë Celsius.
“Këmbëngulni – Përparoni – Lulëzoni” është sllogani kryesor i sivjetëm. Sllogan po ashtu i njohur i paradës në mediat greke është edhe “Ligji nuk mjafton”, pasi Greqia i ka mundësuar sivjet me ligj martesat mes personave të seksit të njëjtë.
Shtegu i paradës së Selanikut filloi nga parku YMCA, për të vazhduar në rrugën e Venizelou deri te porti detar i qytetit dhe duke përfunduar te Statuja e Aleksandrit të Madh.
Në paradë, njerëz nga prapavija e prejardhje të ndryshme u mblodhën bashkë për të festuar se kush janë dhe sa larg kanë arritur në krijimin e një hapësire të sigurt për krenari.
Gazeta “Ekathimerini” ka shkruar se autoritetet greke i kanë ndaluar tubimet anti-paradë. Në shtetin ku kisha ortodokse gëzon status të lartë politik e mediatik, ka pasur përpjekje për organizimin e një marshi kundër Europride. Siç ka raportuar Ekathimerini, një 34-vjeçar është arrestuar në Selanik të premten shkaku që është përpjekur ta organizojë një tubim kundër Europride. I arrestuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas analizës së bërë nga ForwardKeys, tregon se turizmi në qytetin bregdetar ka pasur rritje 36% gjatë javës së krenarisë, duke e krahasuar me rritjen e zakonshme që është vetëm 15%.
Parada u përmbyll me një koncert që solli artistet e njohura të Eurovizionit si Nebulossa e Silia Kapsis dhe yllin e Mbretërisë së Bashkuar, Aaron Sibley.
Skena u ndrit edhe më shumë nga performueset e dregut si Fatality dhe Holly Grace. Ku edhe me të veçanta i bënë këto performanca pjesëmarrja e fituesve të Ru Paul’s Drag Race, Danny Beard dhe Krystal Versace.
Në faqen zyrtare të EuroPride thuhet se ajo që e dallon këtë paradë nga paradat e tjera botërore është se banorët e Selanikut morën pjesë në paradë në masë të madhe, duke mos qëndruar të mënjanuar vetëm duke e shikuar atë nga larg.
Europride është organizim gjithë-evropian i cili vit pas viti zhvendoset në qytete të ndryshme të Evropës. Organizimi i parë i këtij lloji ishte Europride-i i Londrës më 27 qershor 1992.