Tu e lexu qitash
Gjykata në Namibi dekriminalizon seksin mes personave të seksit të njëjtë

Gjykata në Namibi dekriminalizon seksin mes personave të seksit të njëjtë

Gjykata e Lartë në Windhoek, kryeqytetin e Namibisë, rrëzoi dy ligje të epokës koloniale që kriminalizojnë marrëdhëniet seksuale mes personave të të njëjtit seks këtë të premte. Kjo është fitore historike për komunitetin LGBTIQ+ dhe të drejtat e njeriut në kontinentin afrikan, ku rreth 30 shtete (shumica e shteteve të Afrikës) dënojnë marrëdhëniet seksuale mes personave të seksit të njëjtë.

Qeveria ende po shqyrton vendimin dhe nuk ka vendosur nëse do të apelojë, tha ministrja e drejtësisë, Gladice Pickering.

“Vepra penale e sodomisë në kuadër të së të drejtës zakonore shpallet jo-kushtetuese dhe e pavlefshme,” shkroi gjykata e Windhoek në vendim.

Në qershor të vitit 2022, aktivisti namibian Friedel Dausab, ushtroi padi me të cilën kundërshtoi kushtetutshmërinë e ligjeve të vendit që kriminalizonin sjelljet seksuale konsensuale (me pëlqim për të marrë pjesë në një akt seksual) mes personave të të njëjtit seks dhe i kërkoi gjykatës të anulonte të gjitha dënimet e mëparshme.

“Për shkak të këtij vendimi, unë nuk ndihem më si një kriminel në arrati në vendin tim thjesht për shkak të asaj që jam,” u citua të ketë thënë Dausab nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Vitin e kaluar, në Namibi pati valë reagimesh të ashpra të nxitura kryesisht nga liderët fetarë si rezultat i vendimit të Gjykatës së Lartë për njohjen e bashkësive civile mes seksit të njëjtë të cilat ishin kryer jashtë vendit, ka shkruar Amnesty International.

Për rrjedhojë, Parlamenti Namibian u kundërpërgjigj duke miratuar dy projektligje të cilat kufizonin të drejtën për barazi martesore për personat LGBTQ+. Këto projektligje synojnë të kufizojnë të drejtën në martesë vetëm si një bashkim mes burrit dhe gruas, diskriminojnë personat trans dhe të kriminalizojnë çdo mbështetje, festë ose promovim të bashkësive civile mes seksit të njëjtë me deri në gjashtë vjet burgim dhe gjoba të mëdha.

Aktivistët e të drejtave thonë se megjithëse dënimet ishin relativisht të rralla, ato kanë legjitimuar diskriminimin ndaj komunitetit LGBTIQ+ dhe kanë bërë që burrat gej të jetojnë nën frikën e arrestimit.

Burimet: Deutche Welle, Agence France-Presse, TIME, Amnesty International, Institute for Security Studies (ISS) 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top