Sulmohet aktivisti te Qendra Informuese e Krenarisë në Beograd
Një aktivist LGBTQ+, Mretëreshë Drag, si dhe DJ, ka bërë të ditur se është sulmuar fizikisht të premten nga një person i panjohur përpara Qendrës Informuese të Krenarisë në Beograd. Alexis VanderCunt Plastic, dje e ka postuar videon e sulmit bashkë me fotografi të plagëve që ka shkaktuar sulmuesi.
“Të premten dola prej Qendra Informuese e Krenarisë ta ndizja një cigare e teksa po e pija, një djalë erdhi dhe e theu shtizën e flamurit. Si person që ka përjetuar bullizëm gjatë gjithë jetës për faktin e të qenit gej dhe feminin, kam mësuar se vetëmbrojtja është mënyra e vetme për të mbrojtur veten. As vetëdijshëm nuk e bëj tash (vetmbrojtjen) – e godita me kanaçe në shpinë, ai më goditi në gju me shkopin e flamurit të thyer dhe sigurisht pastaj iku”, shkruhet në postimin e Alexis.
Ka njoftuar se rastin e ka çuar në polici edhe pse nuk sheh shpresë se sulmuesi do të mbahet përgjegjës. Ka bërë thirrje që të gjithë të flasin zëshëm kundër sulmeve ndaj komunitetit LGBTQ+.
“E vetmja kërkesë që e kam është që kur të shohim gjëra të të mos qëndrojmë të heshtur, t’i ndihmojmë ata që sulmohen, që të mos e lëmë aktivizmin të nisë e të përmbyllet vetëm në internet; kjo është mënyra se si mund të ndryshojmë diçka ✊”, ka shkruar Alexis.
Ndër tjera, ka thënë se sistemi ka dështuar totalisht në Serbi.
“Sa i përket sistemit, jo vetëm që ka dështuar, por nuk ekziston dhe këtë e shohim çdo ditë në lajmet e kronikës së zezë”, ka shkruar aktivisti Alexis VanderCunt Plastic.
Belgrade Pride ka postuar një story mbështetëse në Facebook, duke shkruar se e mbështet plotësisht aktivistin nga Beogradi. Në postim ka potencuar se sulme të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën.
“Aktivistët tanë përballen në baza ditore me realitetin e përditshëm të shoqërisë serbe – dhunën dhe urrejtjen”, ka thënë Belgrade Pride në këtë postim.
Po ashtu ka shpërndarë postime (story të tjera) duke e siguruar publikun në Serbi se Qendra Informuese është e hapur. Ashtu si ndodh zakonisht në Serbi, institucionet përfshirë Presidencën, Qeverinë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Drejtësisë nuk kanë lëshuar ndonjë reagim lidhur me sulmin.
Sulmet ndaj komunitetit queer në Serbi janë të shpeshta. Vetëm në Qendrën Informuese të Krenarisë, në Radio Evropa e Lirë ka edhe dy raportime të tjera për sulme sivjet – më 7 janar si dhe mes 27 dhe 28 shkurtit. Sipas mediumit nga Serbia, NIN, Qendra Informuese e Krenarisë (Prajd info centar) ka që prej hapjes më 2018, i ka raportuar 20 sulme deri në shkurt 2024.
Java e Krenarisë në Beograd sivjet parashihet të mbahet nga 2 deri më 8 shtator.