Kosova pa Plan Kombëtar të Veprimit për personat LGBTIQ+
Java e Krenarisë e gjeti përsëri Kosovën pa plan të veprimit për personat LGBTIQ+. Qeveria kishte miratuar një plan të punës, megjithatë ai ka skaduar në vitin 2022.
Në konferencën “Rrugëtimi drejt gjithëpërfshirjes” në kuadër të aktiviteteve të Javës së Krenarisë 2024, u prezantua një draft Plan Kombëtar i Veprimit për të Drejtat e Personave LGBTI në Kosovë për vitet 2024-2026. Draft-planit të veprimit i duhet të kalojë në konsultim publik dhe më pas të aprovohet nga Qeveria.
Konferenca filloi me fjali hyrëse nga përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të ambasadave të Gjermanisë, Francës, Holandës si dhe drejtorja e Zyrës së Këshillit të Evropës, ku ndër të tjera, theksuan rëndësinë e mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave LGBTIQ+ në Kosovë.
Diskutimi, i moderuar nga Visar Ymeri, Drejtori Ekzekutiv i Institutit Musine Kokalari, u përcoll me komente të ndryshme, ku ndër të tjerë, zv. Ministrja e shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku shprehet se si Plani i Veprimit i draftuar nga Qeveria e Këshilli i Evropës, nuk duhet të jetë shumë ambicioz, por të fokusohet në praktikë dhe zbatim. Njashtu, zv. Ministrja thekson se sfida kryesore e planeve të veprimit është buxheti dhe u bën thirrje ambasadave që të financojnë aktivitetet e Planit të Veprimit për Personat LGBTI, duke e anashkaluar plotësisht përgjegjësinë e qeverisë dhe duke mos e konsideruar si diçka primare për ta financuar.
Përgjatë diskutimit, Visar Ymeri argumenton se shpeshherë kur burokracia shtetërore nuk dëshiron me e zgjidhë një problem, krijojnë komisione për krijim të strategjive. Tregoi se për të ofruar kushte dhe siguri për personat LGBTI në Kosovë, institucionet duhet që ta konsiderojnë këtë si gjë të duhur për të punuar, e jo veç si një detyrim për punën e tyre.
Ndër të tjera, u diskutua edhe çështja e strehimores për personat LGBTI, e cila nuk është përmendur në plan të veprimit. Sarah Maliqi, drejtore e CRD-së, thekson se pa strehimore, e cila u ofron siguri dhe mbështetje dylberave, është e vështirë që ky plan të zbatohet në praktikë.
Përgjatë konferencës nuk pati premtime konkrete apo komente për financim të këtij Plani, i cili pa buxhet të mirëfilltë nuk mund të përmbush nevojat e komunitetit e as të zbatohet.
Fushat që i përfshin draft-plani janë Shëndetësia, Arsimi e Kultura, Luftimi i Diskriminimit, mbrojtja ligjore e qasja në shërbime, vetëdijësimi për mbrojtjen e personave LGBTI.
Ndërsa Objektivat e renditura në këtë dokument janë katër caqe të përgjithshme:
· Avancimi i qasjes së barabartë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe adresimi i çështjeve të tjera për personat LGBTI në sektorin e shëndetësisë;
· Avancimi i qasjes së barabartë të personave LGBTI përmes edukimit dhe aktiviteteve kulturore;
· Avancimi i qasjes pa diskriminim dhe mbrojtjes efikase juridike, rritja e sigurisë dhe përmirësimi i qasjes në shërbime për personat LGBTI;
· Avancimi i vetëdijesimit për mbrojtjen e personave LGBTI.
Plani i prezantuar sot mbështetet në akte juridike, raste gjyqësore, raporte dhe dokumente të tjera, si dhe praktikat e shteteve të tjera dhe dokumenteve të kësaj natyre, të cilat i kanë shtetet si: Shqipëria, Italia, Danimarka, Franca, Malta, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia e Serbia.