Kush është “The Bitch”?
“The Bitch” është Adelina Rose.
“Gjithmonë jam përballur me persona që e kanë dyshu potencialin tem edhe m’kanë bullizu veç pse jam kanë ma ndryshe. Kjo ma ndryshe osht “The Bitch, edhe ti nuk mundesh me m’ndalë,” thotë Adelina Rose në intervistë për Dylberizm.
Në kangën e saj të re “The Bitch”, fuqizuese e shumë vibrante, Adelina Rose edhe një herë dëshmon se arti drag dhe skena muzikore e Kosovës po revolucionarizohet.
Prodhuar nga Gentrit Tahiri dhe shkruar nga vetë Adelina, “The Bitch” është ma shumë se veç kangë – është një kundërpërgjigje ndaj sfidave me të cilat përballen mbretëreshat e dragut në Kosovë. Adelina na tregon se kanga trajton çështjet si pagesat e ulëta të mbretëreshave drag, trajtimin e padinjitetshëm të artisteve, dhe mbi të gjitha, mospranimin dhe bullizmin e vazhdueshëm që përjetojnë ato. Andaj, Adelina pohon identitetin e saj dhe nuk pranon as të nënshtrohet e as të heshtë karshi krejt atyne që e kanë dyshu, me shumë krenari, Adelina shpallë se ajo është “The Bitch” i këtij arti.
Ndikimi i Adelinës shkon përtej skenës. Kur u pyet për ndikimin që kishte dhe ka te komuniteti LGBTQ+ në Kosovë, Adelina theksoi ndryshimet pozitive që ka sjellë me praninë e saj si mbretëreshë e dragut. Nga rritja e pagesës minimale për performueset drag deri te nxitja e një kulture bakshishi dhe tërheqja e audiencave të ndryshme për shfaqjet drag, Adelina Rose ka qenë në ballë të këtyre ndryshimeve shoqërore, duke sfiduar paragjykimet dhe duke hapur mendjet e zemrat përgjatë këtij udhëtimi.
Performancat drag kanë një formë tjetër se qysh i sfidojnë normat konservatore. Adelina beson se arti drag i jep ngjyrim tjetër jetës së përditshme, i përqafon gjërat që në shumicën e kohës ne i injorojmë për shkak të normave sociale.
“Jeta është e shkurtër dhe e kemi veç një rast që ta jetojmë atë me shumë ngjyra, jo siç sugjeron një shoqëri konservatore – ta jetojmë atë bardh e zi”, thotë ndër të tjera ajo.
Për mbretëreshat drag të reja dhe krejt personat LGBTIQ+, Adelina Rose ka një mesazh “Bëje! Duajeni vetën për atë që jeni dhe ruajeni autenticitetin e juj. Flokët e mira, make-upi e veshja e mirë, vijnë me kohën. Drag është reflektim i jetës, andaj edhe bone qashtu qysh ki mundësi, e rëndësishmja është me t’bo me u ndi mirë me veten, e mandej këtë e përçon edhe tek audienca. Me kalimin e kohës, mjeshtëria e dragut lulëzon bashkë me juve.”
Adelina tashmë është duke punuar në kangën e saj të dytë, ku në bashkëpunim me Gentrit Tahirin, do të trajtojnë shtypjen dhe dhunën ndaj grave duke u fokusuar në femicid. Kanga e re pritet të publikohet gjatë kësaj vere.
Ndërsa videoklipin e “The Bitch” mund ta gjeni më poshtë.