Ngacmimet dhe dhuna ndaj personave LGBTIQ në Evropë është në rritje, tregon raporti i BE-së
Raporti “Barazia LGBTIQ në udhëkryq: progresi dhe sfidat” përshkruan përvojat, pikëpamjet dhe sfidat me të cilat përballen personat LGBTIQ në Evropë. Ai gjithashtu krahason ndryshimet me anketat e bëra në vitin 2012 dhe vitin 2019.
Sondazhi i fundit i bërë nga Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore (FRA) i cili bazohet në gjetjet e mbi 100,000 anketave, të bëra në 27 vendet e BE-së, Shqipëri, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Serbi, tregon se personat LGBTIQ në Evropë tani janë më të hapur dhe pranues për identitetet e tyre. Në të njëjtën kohë, ata janë duke u përballur me më shumë dhunë, ngacmime dhe bullizëm se më parë, veçanërisht personat queer të cilët janë më të cenueshëm.
Gjetjet tregojnë se ka shenja të përparimit të ngadaltë por gradual. Ndërsa diskriminimi ndaj personave LGBTIQ mbetet i lartë, ai gradualisht po bie. Shkollat po i trajtojnë çështjet LGBTIQ në mënyrë më pozitive dhe proaktive, dhe të rinjtë ndihen më të mbështetur nga mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tyre. Megjithatë, bullizmi, ngacmimi dhe dhuna kanë arritur nivele të larta.
Gjetjet kryesore të sondazhit përfshijnë:
· 1 në 2 persona tani janë të hapur për orientimin e tyre seksual, identitetin dhe shprehjen gjinore dhe karakteristikat seksuale. Por shumica ende shmangin mbajtjen për dore me partnerin e tyre të të njëjtit seks në publik nga frika se mos sulmohen.
· Mbi 1 në 3 persona përballen me diskriminim në jetën e tyre të përditshme për shkak të asaj që janë. Kjo është një rënie e lehtë nga 2 në 5 prej vitit 2019. Megjithatë, diskriminimi mbetet i padukshëm pasi vetëm 1 në 10 prej tyre raportojnë incidentet në institucione.
· 1 në 10 persona kanë përjetuar dhunë në 5 vitet para sondazhit. Mbi 1 në 3 persona interseks janë sulmuar.
· 1 në 2 persona ishin viktima të ngacmimeve të motivuara nga urrejtja, kurse 2 në 3 persona interseks dhe trans u ngacmuan.
· 2 në 3 persona të të gjitha gjeneratave, thonë se janë ngacmuar në shkollë, në të gjitha vendet e BE-së. Kjo është një rritje e madhe krahasuar me 1 në 2 në vitin 2019.
· Shkollat trajtojnë çështjet LGBTIQ më shpesh se më parë. Mbi 1 në 5 nxënës LGBTIQ tani thonë se shkolla e tyre e trajtoi çështjen pozitivisht.
· Mbi 1 në 3 persona kanë menduar për vetëvrasje. Mbi gjysma e njerëzve trans, jobinarë dhe identitete të ndryshme gjinore thonë se kanë mendime për vetëvrasje.
· 1 në 4 persona raportuan se i kishin detyruar të kalonin nëpër praktika ‘konvertimi’ për të ‘ndryshuar’ orientimin seksual ose identitetin dhe shprehjen e tyre gjinore.
· Vetëm 1 në 4 prej të anketuarve konsiderojnë se qeveritë e tyre po luftojnë paragjykimet dhe intolerancën ndaj personave LGBTIQ, krahasuar me 1 në 3 në 2019.
Raporti thekson gjithashtu se përvojat e njerëzve LGBTIQ ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë BE-në dhe çdo grup përballet me sfida të ndryshme.
Personat interseks, trans, jobinarë dhe identitete të ndryshme gjinore përballen me më shumë ngacmime dhe dhunë. Ata kanë më shumë gjasa të përballen me probleme të shëndetit mendor dhe të kenë mendime për vetëvrasje. Gjithashtu kanë më shumë gjasa të mbesin pa strehim dhe të mos kenë qasje në kujdes mjekësor. Kjo është gjithashtu e vërtetë për personat LGBTIQ me aftësi të kufizuara, me vështirësi financiare ose anëtarë të grupeve etnike, racore ose të grupeve të tjera minoritare.
Si qëndrojnë Shqipëria, Serbia dhe Republika e Maqedonisë së Veriut në këtë raport?
Raporti tregon se përqindja më e lartë e të anketuarve që përjetojnë diskriminim bazuar në orientimin e tyre seksual, identitetin gjinor, shprehjen gjinore dhe/ose karakteristikat e seksit në vitin 2023 janë vërejtur edhe në Shqipëri me 51%. Njashtu, në të dhënat e punësimit, të anketuarit shqiptarë raportuan shkallën më të lartë të diskriminimit me 36%. Kurse sa i përket përhapjes së ngacmimeve të motivuara nga urrejtja, Shqipëria qëndron ndër vendet me përqindjen më të lartë (62%).
Normat më të larta të diskriminimit të raportuara nga të anketuarit jobinar dhe me identitete të ndryshme gjinore janë parë më së shumti në Serbi me 62% (bashkë me Bullgarinë dhe Sllovakinë). Serbia gjithashtu nuk konsiderohet vend i sigurtë ku partnerët e të njëjtit seks mund të dalin haptazi dorë për dore, këtë e shprehën 80% e të anketuarve. Sulmet fizike dhe seksuale tregojnë prevalencën prej 17% në Serbi.
Kurse në Maqedoninë e Veriut, frika nga mospranimi, përjashtimi ose largimi nga puna shtynë që 73% të personave LGBTIQ të mos flasin hapur për orientimin seksual apo identitetin gjinor. Njashtu, 73% e të anketuarve shprehin se nuk janë të sigurt të dalin hapur me partnerët e tyre. Edhe Maqedonia e Veriut mban përqindjen e njëjtë me 17% sa i përket sulmeve fizike dhe seksuale. Sa i përket ngacmimeve të motivuara nga urrejtja, Maqedonia e Veriut qëndron më se keqi në këtë aspekt, me një përqindje prej 63.
Rekomandimet e raportit për shtetet anëtare të BE-së, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut
Gjetjet e sondazhit të FRA do të mbështesin Komisionin Evropian që të vlerësojë Strategjinë e tyre për Barazinë LGBTIQ dhe t’u ndihmojë në avancimin e politikave për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat themelore të personave LGBTIQ. FRA u bën thirrje qeverive të ndërmarrin këto veprime:
1. Krimi i urrejtjes: të zbatohet kultura e tolerancës zero ndaj dhunës dhe ngacmimit të personave LGBTIQ. Të investojnë në trajnimin e policisë për të siguruar që ata të njohin, regjistrojnë dhe hetojnë siç duhet krimin e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ, në mënyrë që viktimat të ndjehen të sigurt për të raportuar sulmet dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë. Ndër të tjerash, thekson që të konsiderojnë motivet paragjykuese si faktorë rëndues gjatë procedurës penale.
2. Diskriminimi: të trajtojnë diskriminimin në të gjitha fushat duke praktikuar Direktivën e BE-së për Trajtimin e Barabartë dhe Direktivat e Standardeve të Organit të Barazisë.
3. Urrejtja në internet: të trajtojnë fushata linçuese dhe dezinformuese në internet kundër personave LGBTIQ. Të adresojnë rrezikun e njëanshmërisë në algoritme dhe të sigurojnë përgjegjshmërinë e platformave dixhitale sipas ligjit të BE-së.
4. Arsimi: t’i bëjnë shkollat mjedise mësimore të sigurta dhe mbështetëse për të gjithë fëmijët. Të trajtojnë bullizmin dhe të sigurohen që kurrikulat dhe sistemet arsimore të ndërtohen mbi praktikat më të mira të promovuara nga BE-ja.
5. Kujdesi shëndetësor: të punojnë në drejtim ku personat queer kanë qasje të sigurtë në kujdes shëndetësor cilësor, duke përfshirë edhe mbështetjen e shëndetit mendor. Njashtu, FRA bën thirrje që praktikat e ‘konvertimit’ dhe ndërhyrjet mjekësore jo etike të marrin fund.