Edlira dhe Alba bëhen lezbiket e para që kurorëzojnë dashurinë e tyre në Shqipëri
Të ndalemi për një moment dhe ta shijojmë atë që ndodhi për herë të parë në histori të Shqipërisë – Një çift lezbikesh, Edlira dhe Alba kurorëzuan dashurinë e tyre.
Dje, në tarasën e Bashkisë së Tiranës të veshura dyjat me fustane nusërie, në një ceremoni simbolike, Edlira dhe Alba e bënë hapin historik të shumëpritur nga komuniteti LGBTIQ+. Kjo ngjarje e rëndësishme shënon një hap të guximshëm në një vend ku martesat e të njëjtit seks nuk njihen ligjërisht.
Të premten e 17 majit, Edlira dhe Alba dorëzuan kërkesën në gjendjen civile që martesa e tyre te njihet edhe ligjërisht. Kërkesën e tyre e mbështetë Kushtetuta e Shqipërisë me nenin 53 ku thotë se “kushdo ka të drejtë të martohet”, edhe pse Kodi i Familjes në Shqipëri nuk i njeh martesat e të njëjtit seks, por vetëm mes çifteve heteroseksuale.
Edlira dhe Alba janë aktiviste të zëshme queer shqiptare të cilat ka kohë që po e sfidojnë shtetin shqiptar në lidhje me respektimin e të drejtave LGBTIQ+. Ato janë në një proces të gjatë ligjor ndaj shtetit shqiptar, për t’u njohur ligjërisht si prindër të vajzave të tyre të lindura në vitin 2021. Në shkurt të këtij viti, ato u sulmuan derisa po pinin kafe në një lokal në Tiranë.
Bashkimi i Edlirës dhe Albës simbolizon shpresën dhe luftën e vazhdueshme për barazi, duke theksuar domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore për të garantuar respektimin dhe njohjen e dashurisë, pavarësisht nga gjinia.
Urime Edlira dhe Alba!