U vihet zjarri grave lezbike në Argjentinë. Tre të vrara, një në gjendje kritike
Më 6 maj në Buenos Aires, Argjentinë, tre gra lezbike kanë vdekur dhe një tjetër është në gjendje kritike, pasi një burrë hodhi një koktej molotovi në dhomën e konviktit të tyre, duke i vënë flakën të gjithave. Një grua, Pamela Fabiana Cobas, u dogj rëndë dhe vdiq pothuajse menjëherë. Partnerja e saj, Mercedes Roxana Figueroa, vdiq nga dështimi i organeve dy ditë më vonë nga djegjet që mbuluan 90 për qind të trupit të saj. Andrea Amarante vdiq në spital më 12 maj.
Policia arrestoi një të dyshuar, mashkull 62-vjeçar, por nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit. Aktivistët vendas për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësimin se komentet përçmuese për dylberat dhe të drejtat e tyre të bëra nga politikanë të shquar, disa prej të cilëve tani mbajnë poste të larta, po kontribuojnë në nivele tashmë të larta të dhunës kundër personave queer. Raporti i vitit 2023 nga avokati i popullit i LGBTQ+ i Buenos Aires zbuloi se fjalimi fyes nga anëtarët e partisë politike të Presidentit Javier Milei, si në mediat sociale dhe në rrugë, në kontekstin e fushatës presidenciale të vitit 2023 “ndërtoi një klimë ndarjeje, refuzimi dhe diskriminim; hapësira më e plleshme për dhunë ndaj grupeve historikisht të cenueshme.”
Në maj 2023, kandidati i atëhershëm Milei tha për një emision televiziv se edukimi mbi gjininë dhe seksualitetin kërkon të “shfarosë popullsinë” dhe shkakton “shkatërrimin e bërthamës më të rëndësishme shoqërore brenda shoqërisë …atë të familjes”. Në nëntor 2023, tani Ministrja e Jashtme Diana Mondino pretendoi se mbështeti barazinë në martesë, por më pas e krahasoi atë me morrat në kokë në një intervistë televizive kombëtare, duke thënë: “Nëse preferoni të mos laheni dhe të jeni plot me morra dhe kjo është zgjedhja juaj. Atëherë mos u ankoni nëse është dikush që nuk ju pëlqen që keni morra.”
Një hetim i Human Rights Watch i vitit 2023 zbuloi se në mbarë botën, çifte lezbike, biseksuale dhe queer (LBQ+) janë vrarë, sulmuar seksualisht, copëtuar ose sulmuar fizikisht së bashku me partnerët e tyre. Raporti gjeti se ky “rrezik i dhunës vdekjeprurëse” për çiftet është vazhdimisht i padokumentuar. Në 26 vende, përfshirë Argjentinën, të intervistuarit përmendën vazhdimisht “rrezikun ekstrem të paraqitjes në publik me një partner LBQ+ si një arsye për të qëndruar në shtëpi, për të mos mbajtur dorën e partnerëve të tyre ose për të kufizuar lëvizjen e tyre dhe sinjalizimin queer”. Në Argjentinë, ku të dhënat e qeverisë nga viti 2023 treguan se 41.7 për qind e popullsisë jeton në varfëri, çiftet lezbike përballen me pengesa të shtuara për të siguruar strehim, duke kufizuar aftësinë e tyre për të përdorur privatësinë e një shtëpie për t’u mbrojtur.
Autoritetet argjentinase duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent për vrasjet dhe të sigurojnë kujdesin e duhur mjekësor dhe strehimin për gruan e mbijetuar. Zyrtarët qeveritarë duhet të ndalojnë dhe dënojnë retorikën që stigmatizon gratë queer dhe mund të kontribuojnë në një klimë në të cilën ato shihen që e kanë merituar dhunën.
Artikulli u publikua në HRW dhe u përkthye nga Dylberizm.