Vendeve të Ballkanit u kërkohet të bëjnë më shumë për të drejtat e personave trans.
Raporti i fundit i Komisioneres për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës thotë se shumë vende kanë përparuar në njohjen e identitetit gjinor, por ende mund të bëhet më shumë për të trajtuar diskriminimin.
Vitet e fundit, vendet e Ballkanit kanë bërë progres në sigurimin e masave për njohjen e identitetit gjinor në ligj, por nevojitet më shumë punë për përmirësimin e të drejtave të transgjinorëve, tha Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut Dunja Mijatoviç.
Një raport i ri, “Të drejtat e njeriut dhe identiteti e shprehja gjinore”, i publikuar 15 vjet pas publikimit të parë nga kjo organizatë e mbi këtë temë, vë në dukje se në të gjithë Evropën transgjinorët përballen me shkallë të lartë diskriminimi, dhune dhe pasigurie në jetën e tyre.
“Nuk ekziston një gjë e tillë si dhënia e të drejtave ‘të veçanta’ dhe të kuptuarit që të drejtat e njeriut dhe të personave trans nuk cenon të drejtat e të tjerëve. Të drejtat e njeriut janë universale: ato zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë,” tha Mijatoviç gjatë publikimit të raportit.
Vitet e fundit, ka pasur progres në sigurimin e masave të njohjes së identitetit gjinor në ligj në 37 shtete anëtare të Këshllit të Evropës, duke përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, Kroacinë, Greqinë, Moldavinë, Malin e Zi, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë dhe Turqinë. Megjithatë, regresioni është vërejtur në Hungari dhe Bullgari që nga viti 2020.
Megjithatë, marrja e Njohjes Ligjore të Gjinisë (LGR), në gjysmën e shteteve anëtare të KiE kërkon një diagnozë të shëndetit mendor ose vlerësim psikologjik, duke përfshirë në Bosnje, Kroaci, Moldavi, Mal të Zi, Poloni, Rumani, Serbi, Slloveni dhe Turqi.
Komisionerja rekomandon shfuqizimin e këtyre kushteve për shkak të pretendimit për patologji të personave transgjinorë.
Të paktën në 11 shtete anëtare, njohja ligjore e gjinisë kërkon sterilizim dhe ndërhyrje fizike pushtuese, të cilat sipas saj shkelin të drejtën për integritet fizik. Ky është rasti në Bosnje, Mal të Zi, Rumani, Serbi dhe Turqi.
“Komisionerja inkurajon shtetet anëtare që të marrin në konsideratë mënyra për të siguruar dëmshpërblim dhe rehabilitim për individët që i janë nënshtruar më parë sterilizimit si një parakusht për LGR”, thotë raporti, duke vënë në dukje se disa shtete anëtare, përfshirë Suedinë dhe Holandën, kanë miratuar iniciativa të tilla.
Gjithashtu ngritet tema e njohjes ligjore të gjinisë për fëmijët, duke cituar një sondazh ku 72 për qind e “personave trans të rritur kuptuan se identiteti i tyre gjinor nuk përputhej me seksin e caktuar në lindje përpara se të mbushnin moshën 18 vjeç”. Edhe pse shumica e vendeve evropiane ndalojnë ose kufizojnë njohjen ligjore gjinore të fëmijëve, ky nuk është rasti në Kroaci dhe Mal të Zi, ndër të tjera.
“Argumentet se LGR mjekon para kohe ose në mënyrë të papërshtatshme të rinjtë dhe trupat e tyre janë të gabuara pasi, siç u përmend, asnjë person, pavarësisht nga mosha, nuk duhet t’i nënshtrohet ndërhyrjeve fizike mjekësore ose diagnozave si parakusht për LGR në radhë të parë’’ thuhet në raport.
Bazuar në projektin Trans Murder Monitoring, vlerësohet se numri më i lartë i vrasjeve të personave trans në mes të viteve 2008 dhe shtator 2023 në Evropë ka ndodhur në Turqi, ku ka pasur 65 viktima.
Gjuha e urrejtjes anti-trans në internet, medie dhe deklaratat e politikanëve ndikojnë gjithashtu në pozitën e cenueshme të personave transgjinorë.
Personat transgjinorë që mbahen në paraburgim janë gjithashtu të ekspozuar ndaj dhunës dhe diskriminimit nga të burgosurit dhe nga ata në pozita autoriteti, gjë që u raportua në Greqi në vitin 2022.
Dokumenti ofron 15 rekomandime për vendet anëtare të Këshillit të Evropës në lidhje me politikëbërjen efektive, legjislacionin kundër diskriminimit, kujdesin shëndetësor, arsimin, sportin, etj.
Shtetet anëtare duhet gjithashtu të pranojnë përvojat e individualizuara, pasi të gjithë njerëzit përjetojnë identitetin e tyre gjinor dhe shprehjen gjinore në mënyra të ndryshme, thuhet në të.
Lidhur me gratë trans në sport, Komisionerja trajton debatin aktual publik mbi këtë temë. “Nuk ka asnjë provë që konkurrentet transgjinore aktualisht po mposhtin sportin e grave, as nuk ka prova që mashtruesit burra po përdorin sistematikisht të drejtat e transgjinorëve për përfitime personale”, thuhet në raport.
Artikulli u publikua në Balkan Insight dhe u përkthye nga Dylberizm