Bahtalo! Urime 8 prilli – Dita Ndërkombëtare e Romëve
8 Prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Veçanërisht në këtë ditë, duhet të festojmë kulturën e pasur të romëve përfshirë: letërsinë, muzikën, artin, teatrin, poezinë e shumë fusha të tjera. Mirëpo, për shkak të shtypjes sistematike dhe diskriminimit, kjo ditë zakonisht shndërrohet në thirrje kundër shtypjes. Nuk ka një mënyrë të saktë të manifestimit të ditëve të tilla, por të paktën këtë ditë do të ishte mirë që festa të ishte e vetmja protestë.
Për shkak të identitetit etnik që vjen si parësor në kontekstin tonë social, kulturor e politik, shpesh pjesë të tjera të identitetit mbesin nën hije. Romët shihen si të unifikuar, ndonëse brenda këtij komuniteti etnik, ka edhe diversitet gjinor, seksual, fetar, kulturor etj.
Në Kosovë, megjithëse gjithnjë e më shumë romët po krijojnë hapësirat e tyre dhe po luftojnë kundër shtypjes sistematike, romët LGBTIQ+ vazhdojnë të jenë të izoluar nga çdo anë. Përveç diskriminimit në bazë të etnisë së tyre, ata/ato përballen edhe me diskriminimin për shkak të orientimit të tyre seksual apo identitetit gjinor. Respektivisht, dylberat romë diskriminohen shumëfish, për shkak të etnisë, seksualitetit, gjinisë dhe gjendjes ekonomike.
Kur flasim për ndërthurrjen, është e nevojshme të analizohet edhe përfshirja e romëve në lëvizjen LGBTIQ+, në rrethet tona mbështetëse dhe në narrativat që ndërtojmë për pranueshmërinë dhe gjithëpërfshirjen. Të flasim për kontributin e tyre në çlirim dhe fuqizimin queer, në çlirmin dhe fuqizimin rom, si dhe në çlirimin nga sistemi racist, kapitalist e seksist në shoqëritë tona.
Ne në këtë ditë, përveç që duam të ngrisim vetëdijen për romët LGBTIQ+, duam të ju urojmë atyre këtë ditë duke e njohur kontributin e pashoq në shoqëri.
Kjo ditë le të na frymëzojë të vlerësojmë kulturën rome dhe të reflektojmë mbi rrethet tona.