Në Beograd protestohet kundër sulmit të policisë ndaj dylberave
Qindra aktivistë dhe mbështetës LGBTQ+ së fundmi protestuan kundër sulmeve të raportuara të policisë ndaj një të riu gej dhe një gruaje biseksuale në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Pjesëmarrësit në protestën e 6 marsit u zemëruan nga një bastisje e policisë më 26 shkurt në një banesë, abuzimi i supozuar i dy cimerëve të paidentifikuar queer që jetonin në banesë dhe refuzimi i policisë ndaj ankesës së tyre kundër policëve..
Ata kërkuan ndjekje penale të policëve dhe sanksionim më të shpejtë të policëve që kryejnë dhunë.
Disa liderë të partive opozitare serbe iu bashkuan protestusve, të cilëtthanë për Radio Evropa e Lirë se incidenti ishte rasti më i rëndë që kanë parë deri më tani. Viktimat kanë pësuar lëndime fizike dhe trauma psikologjike.
Protesta, “Ne nuk do të heshtim!” u organizua nga Da se zna (Le të dihet), një organizatë për mbrojtjen ligjore dhe mbështetje psikologjike LGBTQ+ në Serbi.
Policia bastisi banesën ku jetonin dy shokët e dhomës për shkak të dyshimeve për drogë. Gjatë bastisjes, policia raportohet se ka pikasur simbole LGBTQ+, të cilat aktivistët i thanë mediave se i nxitën oficerët të ngacmonin, rrahnin, ofendonin dhe detyronin akte seksuale të simuluara kundër shokëve të dhomës, raportoi ABC News.
Shokët e dhomës e denoncuan rastin në Polici. Policia mohoi akuzat, por për ABC News tha se po hetonin akuzat kundër oficerëve të përfshirë. Policia shtoi se punonjësit e policisë “do të sanksionohen në përputhje me ligjin nëse konstatohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre”.
Sipas dy raporteve të veçanta nga gazeta, çështja iu referua edhe prokurorisë për hetim. Zyra e pavarur e Avokatit të Popullit të Serbisë, e cila heton ankesat e bëra nga qytetarët kundër qeverisë, gjithashtu nisi një hetim mbi pretendimet se oficerët e policisë kishin tejkaluar kompetencat e tyre.
Viktima një burrë gej, i cili qëndroi pranë nënës së tij, Sanja Malinovic, në protestë, u tha protestuesve : “Ne nuk duam të vuajmë dhunën”.
“Ju lutem, mos toleroni dhunën! Unë erdha këtu në emrin tim, në emrin e shokut tim të banesës dhe në emër të të gjithë njerëzve që vuajnë dhunën dhe heshtin,” shtoi ai.”Kjo nuk ka të bëjë fare me personat LGBT apo minoritetet, ka të bëjë me ne të gjithë që ndjehemi të kërcënuar. Unë nuk dua të hesht.”
Nëna e tij i tha turmës se ajo që i ndodhi djalit të saj ishte “sadizëm”.
“Ai u dhunua dhe u sulmua brutalisht,” tha Malinovic.
Viktima i bëri thirrje ministrisë së brendshme dhe prokurorëve që të përgjigjen. “I bëj thirrje prokurorisë dhe ministrisë së brendshme të reagojnë,” tha ai.
“Ne thjesht duam të ftojmë shtetin dhe parlamentin tonë që të japin disa reagime dhe të jenë në anën tonë në këtë rast të veçantë sepse kjo është shkelje e madhe e të drejtave të njeriut,” tha Ana Petrovic, koordinatore për avokimim pranë organizatës Da se Zna. “Kjo është diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë.”
Aktivistët akuzuan zyrtarët për vonesë të veprimit kundër policëve të përfshirë.
“Shpesh na thuhet se dashurinë tonë duhet ta mbajmë brenda katër mureve tona”, tha protestuesi Konstantin Malajev për Radion Evropa e Lirë, duke deklaruar se nuk pajtohet me fshehjen e dashurisë queer. “Ne gjithashtu shohim se ata as që na lënë të kemi paqe brenda katër mureve tona.
Një aktivist bëri thirrje për trajnime për ndjeshmërinë LGBTQ+ për policinë dhe rritjen e ndërgjegjësimit të publikut rreth çështjeve LGBTQ+, raportoi gazeta.
Në vitin 2017, Ana Brnabić, e cila është lezbike, u emërua kryeministre e vendit nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Disa ekspertë spekuluan se ishte një lëvizje e udhëheqjes së vendit për të treguar progres në përputhje me Bashkimin Evropian. Serbia ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012.
Pavarësisht se kanë një zyrtar LGBTQ+ të profilit të lartë në qeveri, liderët u kanë mohuar vazhdimisht të drejtat serbëve LGBTQ+. B.A.R. ka raportuar më parë se Serbia u mohoi të drejtat prindërore çifteve të të njëjtit seks. Human Rights Watch raportoi se liderët u përpoqën të ndalonin EuroPride në 2022.
Da se zna dokumentoi një rritje të mprehtë të dhunës dhe diskriminimit kundër komunitetit LGBTQ+ në Serbi në vitin 2023. Organizata i tha Radios Evropa e Lirë se kishte regjistruar më shumë se 80 raste të dhunës dhe diskriminimit kundër anëtarëve të komunitetit LGBTQ+ në Serbi gjatë vitit 2023. Në vitin 2022, HRW, duke punuar me Da se zna, dokumentoi 30 incidente të motivuara nga urrejtja kundër personave LGBTQ+, duke përfshirë 10 sulme fizike dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Përfaqësuesit e Da se zna i thanë Radios Evropa e Lirë se shumica e rasteve të dhunës ndaj serbëve LGBTQ+ nuk raportohen në polici për shkak se serbët queer nuk kanë besim te institucionet qeveritare.
“Jeta e personave LGBT është ende shumë e vështirë”, tha për Radion Evropa e Lirë Bojan Lazic, aktivist në protestë. “Ata ende përballen me diskriminim dhe, në fakt, kam frikë se këto raste të dhunës, nëse askush nuk mban përgjegjësi, do të përkeqësohen gjithnjë e më shumë.
Lajmi u publikua në Ebar dhe u përkthye nga Dylberizm.