Muzika n’Ballkan ka kohë që e ka luftu homofobinë. Këto janë disa prej kangve që kanë thy tabu, tash e katërdhjetë vjet.
Para vitit 1977, homoseksualiteti ishte një tabu e vërtetë për secilin person në Jugosllavi. Ishte e vështirë të gjeje një person publik aq të guximshëm që të fliste lirshëm në cilëndo media lidhur me homoseksualitetin dhe e pamundur të dëgjoje muzikë të famshme asokohe me influenca direkte për komunitetin LGBTQ+. E vetmja këngë që ishte më e vjetër e që përshkruante një lloj marrëdhënieje midis të njëjtit seks ishte kënga e stilit Bollywood-ian e titulluar “Ramo, Ramo”, e regjistruar në vitin 1974 nga këngëtari popullor rom, Muharem Serbezovski. Teksti i këngës vështirë se mund të interpretohej si diçka tjetër veçse një histori e trishtuar e një marrëdhënieje dashurie të humbur mes dy burrave. Ai ishte shumë i suksesshëm në tregun e muzikës vendase, por askund nuk u njoh si ikonë gej.
“Kur takova një shok timin, shokun tim të vetëm/Ishte dita më e lumtur pasi nuk isha më vetëm/Një këngë na ngushëlloi, fati na buzëqeshi/Por stuhia e fatit të keq e largoi nga unë/Ramo, Ramo, shoku im/Ramo, Ramo, shoku im/A e dëgjon rënkimin tim/Tani jetoj vetëm në errësirë si flaka e shuar e diellit/Sepse ti ike dhe gjete një jetë më të mirë/Megjithatë shpresoj dhe të thërras: Kthehu/Ramo kthehu tek unë/Kemi të njëjtin fat”
Opinionet e autoriteteve të ashpra komuniste dhe të themeluesve të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ishin të qarta: Ata e dënonin ashpër aktin homoseksual si një dekadencë borgjeze e importuar nga Perëndimi. Homoseksualiteti te burrat ishte rreptësisht i ndaluar me ligj në Jugosllavi që nga Lufta e Dytë Botërore, me një dënim maksimal prej një viti burgim. Një historian dhe aktivist kroat i komunitetit LGBTQ+, Franko Dota, gjeti prova të rreth 500 dënimeve të shqiptuara përgjatë tre dekadave. Pas reformimit të ligjit në vitin 1977, homoseksualiteti u dekriminalizua, por vetëm për një pjesë të Federatës Jugosllave.
Projektligji për dekriminalizimin u miratua në Republikat e Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe krahinës autonome të Vojvodinës. Megjithatë, homoseksualiteti mbeti i ndaluar në Serbi dhe Kosovë deri në vitin 1994, në Maqedoni deri në vitin 1996 dhe në Bosnje dhe Hercegovinë deri në vitin 1998.
Por pse ligjvënësit jugosllavë kanë vendosur të ndërmarrin politika të ndryshme? Veriperëndimi, veçanërisht Sllovenia me kryeqytet Lubjanën, ishte më liberale në krahasim me juglindjen, e rrënjosur thellë në perspektivën Ballkanike dhe gjithmonë më konservatore. Përveç kësaj, Jugosllavia fitoi shumë të ardhura nga fluksi i turistëve të huaj në vitet 1970 dhe kishte nevojë urgjente për disa hapësira miqësore për personat queer në resortet verore të klasit të lartë të bregdetit të Adriatikut. Megjithatë, dekriminalizimi i pjesshëm nuk e ndryshoi jetën e përditshme, kishte akoma homofobi të shëmtuar dhe çdo dalje hapur për personat LGBTQ+ ishte ende shumë e rrezikshme për t’u konsideruar.
Një subkulturë e vogël e komunitetit LGBTQ+ ishte ende e padukshme, por një subkulturë tjetër ishte në rritje e sipër. Rebelët e rinj punk të fundit të viteve 1970 filluan të luftojnë për më shumë të drejta. Në vitin 1979, pionierët e punk-ut nga Zagrebi, të quajtur Prljavo kazaliste publikuan një album debutues të vetëtitulluar dhe kjo gjë i shqetësoi secilin prind të fëmijëve nëpër shkolla. Adoleshentët me qëndrime rebeluese ndaj çdo autoriteti u ‘armatosën’ me disa hite punk rock, disqet e të cilëve u shitën mbi 100,000 në numër. Ishte vetëm një këngë, “Neki djecaci (Disa djem)” që nuk u prit ngrohtësisht nga drejtuesit e televizionit dhe radios shtetërore për shkak të thirrjes të fuqishme pro-gej që kishte: “Jam për lirinë e dashurisë mashkullore” të përsëritur në refren.
“Ti po zgjohesh me shokët e tu meshkuj/Ti kalon rrugën/Ti më drejton gishtin/Po qesh/Ti e di që kjo më lëndon shumë/’Sepse nëse ka ndonjë që të do/Epo jam unë/Ti’ po ec me shokët e tu meshkuj/Ti ndjek femrat e ndyra/Dhe unë po të pres plot shpresë si qen/E di që përpiqesh të më bësh xheloz/A më ke thënë në park/Unë jam në favor të dashurisë së lirë mashkullore/Unë jam në favor të dashurisë së lirë mashkullore”
Ai mesazh shumë kontravers kishte shënjestruar homofobinë dyzet vjet më parë dhe pati një ndikim të madh në zhanrin punk jugosllav dhe të rinjtë e valës së re në lëvizje. Ata u rritën në kohën para mediave sociale – periudhë kjo kur të bërit e një kënge të fuqishme ishte mënyra më e mirë për të përhapur fjalën.
Nuk kaloi shumë kohë para se Prljavo Kazaliste frymëzoi të tjerët të thyenin tabunë rreth homoseksualëve dhe të fillonin të shkruanin këngë pro-gej. Grupi i zhanrit art rock nga Beogradi i quajtur Idoli e bëri këtë gjë në vitin 1980 me këngën e tyre debutuese “Retko te vidjam sa devojkama” (Rrallë të shoh me vajza) të prodhuar nga Goran Bregovic. Ishte një këngë me një melodi tërheqëse, me tekstin që trajtonte temën se si paralajmërohej një shok që rrinte rrotull djemve të bukur që të ruhej nga thashethemet e pakëndshme të rrugës.
“Të shoh rrallë me vajza/Megjithëse të shoh çdo ditë/Megjithatë nuk je kurrë vetëm/Je i rrethuar me djem/Janë të këndshëm, por ki kujdes/Thashethemet përhapen shpejt/Kur të dalin në pah do të jetë fundi/Më beso/Më beso/Me vajza më sheh rrallë/Megjithëse më sheh çdo ditë/Megjithatë nuk jam kurrë i vetmuar/I kam qejf vajzat/Më pëlqejnë por duhet ta dish/Nuk jam i mirë me to/Një takim dhe mbaroi/Besomë/Besomë”
Mesazhi i tyre pro-homoseksualëve nuk ishte aq i qartë si te kënga ‘’Some boys” (Disa djem) nga PK, por Idoli e bëri atë mjaft mesazh provokues për ta shtyrë këngën në transmetim masiv në radio për vite me radhë. Në vitin 1982, grupi kroat i valës së re të pop-it, i quajtur Xenia me drejtuesen Vesna Vrandeciq inqizoi këngën “Moja prijateljica” ( Shoqja ime), e cila mbahet mend si kënga e parë pro-lezbike në një vend që njihej për kulturën macho.
“Shoqja ime/Ajo është kaq e bukur/Unë jam shumë krenare/Burrat kthehen për ta parë/Për të parë shoqen time/Meshkujt do të donin ta preknin/Meshkujt do të donin ta fshihnin atë/Nga unë/Meshkujt do të donin të ëndërronin me të/ Burrat do të donin të flinin me të/Pa mua”
Lista e mëvonshme e gjatë e këngëve të viteve të ‘80-ta me tematika rreth komunitetit LGBTQ+ përfshinte gjithashtu disa artistë dhe grupe që në fakt nuk u interesuan për diskriminimin seksual dhe homofobinë. Ata e luanin atë lojë vetëm për vetë-promovimin e tyre, por ndikimi i tyre në një audiencë më të gjerë ishte i rëndësishëm për një lëvizje të hershme LGBTQ+ e cila nuk kishte pasur shumë aleatë mes personave heteroseksualë.
Në vitin 1983, supergrupi jugosllav nga Sarajeva, Bijelo Dugme, publikoi një video muzikore për Ovaj ples dame biraju ( këtë vallëzim të zgjedhur nga zonjat), i cili paraqiste këngëtarin kryesor që ngacmonte burrat në një festë me kod të veshjes. Edhe pse larg promovimit të teksteve të temave të homoseksualëve, videoja u konsiderua seriozisht e diskutueshme në disa grupe dhe, natyrisht, shumë e kuptueshme në të tjera.
Lëvizja filloi nga Lubjana në vitin 1984 me MAGNUS-in, i themeluar si një seksion gej i Qendrës Studentore Kulturore (ŠKUC) duke u krijuar si seli për skenën alternative sllovene. Arritja e tyre më e rëndësishme ishte Festivali MAGNUS, duke vendosur në hartë stilin e jetës homoseksuale përmes filmave LGBTQ+, artit të videove eksperimentale, performancave dhe netëve disko. MAGNUS ishte i lidhur ngushtë me grupin e zhanrit dark wave të Ljubljanës, Borghesia, duke sjellë në skenë imagjinatën homoerotike, estetikën S&M, tekste provokuese dhe mesazhe politike kundër sistemit. Borghesia, që kishte si vokalistë kryesor Aldo Ivancic dhe Dario Seraval, prezantoi me krenari subkulturën në zhvillim në albumin e tyre të shkëlqyer debutues Ljubav je hladnija od smrti, titulluar sipas filmit të Fassbinder-it: Love is Colder than Death (Dashuria është më e ftohtë se vdekja).
Borghesia – Noćne šetnje (Shëtitjet e natës, Ljubav je hladnija od smrti, 1985)
“Shëtitjet e natës nëpër parqet e qytetit/Në fund të natës/Kur të gjithë shkojnë në shtëpi/Dëgjohet një ulërimë nga errësira/Zavorri kërcit nën këmbë/Hëna është e plotë, dikush është në park/Thjesht dua që të gjithë të më doni”
Një nga grupet alternative më të fuqishme të mesit të viteve tetëdhjetë në Jugosllavi i kaloi shpejt kufijtë perëndimorë. Pas albumit të tyre të tretë No Hope, No Fear, inqizuar në vitin 1987, për shtëpinë diskografike belge Play It Again Sam – Borghesia që u promovua ndërkombëtarisht iu bashkua forcave elitare të skenës evropiane të zhanrit Electro Body Music (muzikës elektro trupore) (EBM). Lëvizja MAGNUS gjithashtu e çoi atë në një nivel më të lartë duke themeluar një organizatë politike, Roza klub, dhe duke ndërtuar një grup homoseksual në Slloveni.
Forcat pro-LGBT të Sllovenisë shpejt u rritën me “Videosex” nga Anja Rupel që nxori disa tekste të shkëlqyera lezbike, kjo është arsyeja pse, përveçse ishte e mitur dhe albumi një kryevepër, Rupel dhe Videosex tërhoqën menjëherë një kult të madh.
“Ana, ti e di mirë/Këtu është e ndaluar kjo që po bën/Hera e parë, tualeti i grave/Vërtet nuk dua/Sekreti inflamator fitoi lirinë/Sytë e qeshur më shikonin/Do të doja të zhdukesha/Unë dua të të dua, do të doja shumë/do të doja të mund të të dua/Ana, pse të dua si e çmendur? /Ana, e di mirë/Më urren kur je vetëm/Dje në mbrëmje shaja fatin e keq/Ti e di mirë/Mund të vish në çdo kohë/Psherëtimat e tua janë shumë për mua/Dylli yt është plot pasion/Ana pse të dua si e çmendur?”
Përvojat e personave LGBTQ+ në vendet e tjera post-jugosllave ishin shumë më të vështira. Pasojat e luftërave të përgjakshme ballkanike në vitet 1990 e tutje sollën një valë të madhe homofobie, e ushqyer nga shumë gjuhë e urrejtjes nga politikanët e krahut të djathtë dhe ekstremistët fetarë.
Në Turqi, një nga ikonat e muzikës popullore turke, doli hapur si homoseksual, duke thyer akullin në shoqërinë konservatore turke të asaj kohe. Ferdi Özbeğenfoli për homoseksualitetin e tij si i rritur dhe, duke qenë se martesat e homoseksualëve ishin të paligjshme në vitet 1990, ai adoptoi partnerin e tij të jetës. Ai shpejt u vendos si interpretues i muzikës popullore urbane fantezi. Më 1977, ai publikoi albumin e tij të parë dhe fitoi një çmim shitjesh për “Sohbet” (“Bisedë”) si dhe një çmim të artë për piano për “Mutluluklar” (“Lumturi”). Ai regjistroi në përgjithësi rreth 28 albume në karrierën e tij.
Në Bullgarinë post-komuniste, një artist i ri rom u shfaq në skenë, duke u kthyer shpejt në një ikonë tërë Ballkanike. Azis për herë të parë mori vëmendjen e publikut në vitin 1995 me publikimin e albumit të tij debutues “San Trope”. Që atëherë, ka publikuar shumë albume dhe këngë të suksesshme, duke përfshirë “Cherno More” (2003), “Ludata Doide” (2007) dhe “Angel Si Ti” (2009), dhe fitoi çmime të shumta, duke përfshirë Best Male Artist në MTV Europe Music Awards. I njohur për stilin e tij të jashtëzakonshëm, për veshjet cross-dressing personalitetin e tij të gjallë, historia e Azisit nuk është e njejtë si shumica e yjeve pop që e arrijnë famën, sepse të qenit edhe rom, edhe queer, vjen me sfidat e shumta të veta. Ndërsa muzika e tij ka qëndruar në rrënjët e veta tradicionale të zhanrit chalga, stilet e performancës së artistëve perëndimorë sigurisht që ndikuan edhe në stilin e lirshmërinë e Azisit. Këngëtari është i famshëm për stilin e tij të veçantë e eksperimental po aq sa për muzikën e tij. Është hapurazi queer dhe është pafundësisht i guximshëm dhe imagjinativ me pamjen e vet, e cila ka ndryshuar vazhdimisht që nga momenti kur ai hyri në skenë para 15 vitesh.
“Vetë i kam menduar krejt imazhet dhe dukjet e paraqitjeve të mia të shumta. Herë isha i shëndoshë, herë i dobët, herë sytë e kaltër, herë sytë e zi. Kam qenë grua, e kam qenë burrë. Çfarë nuk kam qenë në jetën time! Jetoj në momentin e së tashmes, sot mbase ndihem mirë me flokë të gjatë, bëhem bjonde, nesër i bëj flokët e zeza, e pas një kohe e rruaj kokën krejt. Nuk e kam huazuar kurrë stilin tim nga askush”, ka deklaruar ai.
Të bekuar dhe të udhëhequr nga një prift ortodoks serb, mijëra huliganë të futbollit dhe ekstremistë të së djathtës ekstreme, sulmuan brutalisht dhe shkatërruan plotësisht Paradën e parë të Krenarinë në Beograd në vitin 2001. Parada e parë në Zagreb në 2002 ishte gjithashtu nën sulm nga nazistët skinhead* vendas. Grupi kroati famshëm i zhanrit rock, Hladno pivo, u përgjigj me një këngë kundër skinheadëve të dhunshëm, por kjo nuk mjaftoi. Vajzat nga dyshja synth-pop, Lollobrigida, e bënë atë në mënyrë më efektive, duke kënduar një këngë vërtetë pro-gej “Moj decko je gej” (I dashuri im është gej / dhe gej është okej).
Lollobrigida ishte gjithashtu grupi i parë heteroseksual që luajti në një koncert në Paradën e Krenarisë në Zagreb. Kohë më vonë, lëvizja kroate LGBTQ+ kishte gjetur mundësi për të prodhuar muzikën e vet me grupin e tyre të zëshëm feminist e lezbik Le Zbor, aktiv që nga viti 2006, grupin e zëshëm gej jetëshkurtër Qlapa dhe disa grupe të tjera të shquara queer indie rock të dekadës së fundit duke përfshirë të preferuarat të ngjarjes Eurosonic: Žen. Ndërsa vajzat post-rock nga Žen kanë më shumë një rol ndërkombëtar, fotografja dhe aktivistja LGBTQ+, Ana Opalic qëndron si një figurë kyçe në skenën bashkëkohore të muzikës kroate queer. Ajo është kantautorja kryesore dhe pianistja në grupin e mirënjohur lezbik të Zagrebit U pol’ 9 kod Sabe, bashkëthemeluesja e një grupi tjetër indie, Ti, ja i moja mama, dhe gjithashtu një artiste synth-pop DIY nën emrin e Ana Banana.
Ishin dy grupe të paktën të njohura nga Sarajeva që publikuan këngë pro-gej në gjysmën e fundit të viteve ’80. I pari ishte një që pëlqehej nga turma adoleshente, Plavi Orkestar. Adoleshentët vetë, ata ishin më afër Jugosllavisë në Beatlemania. Ata ishin të rinj, androgjen e ‘të lezetshëm’ me veshjet tradicionale për t’i garantuar vetes famë të tipit në stadium. Kjo video live e vetme për këngën paksa të paqartë Kad si sam, druze moj (Kur je vetëm, shoku im) është një testament i rikthimit bombastik të Plavi Orkestar në vitet 1990.
“Kur je vetëm, shoku im/Thirr këtë numër/Katër, tetë, dy, dy, tre/Dhe unë do lajmërohem/Dhe do të lajmërohem/Oh, kur të jep dashuri/Nuk është e lehtë ta kuptosh/ Se je askushi për dikë/ ishte gjithçka për ty/Kush ishte gjithçka për ty/Hej, pi apo jo, do të të dua”
Tashmë me arena të mbushura prej vitesh, Zabranjeno Pušenje i Sarajevës publikoi një këngë me një mesazh pro-gej në 1989. Ka qenë një nga hitet e tyre më të mëdha deri më sot. Për shkak të ndarjes së grupit gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, përkatësisht me një këngëtar dhe një kitarist, duke krijuar grupe të reja me të njëjtin emër.
“Kur mbetesh vetëm në dhomën e errët me kujtimet e tua/Kur dëshiron që mëngjesi të mos vijë kurrë/Duhet ta dish që ende të dua, gjithmonë mund të më telefonosh/Më trego, më njofto, do të të pres/… Kur gruaja jote të pyet: Epo, seriozisht, çfarë ka që nuk të pëlqen?/Pse nuk i bëjmë kurrë ato gjëra?/Kur ajo largohet për të qarë vetëm/Kur përplas derën/Duhet të dish që unë ende të dua, mund të më telefonosh gjithmonë/Më lajmëro, më njofto, do të pres/Kur të bëhem dyshues në lagje/Për shoqërine me fëmijët gjatë gjithë kohës/Kur një vendas të thërret: Do një copë bythë, shok ?/ Duhet ta dish qe të dua akoma, mund të më telefonosh gjithmonë/Me trego, më njofto, do të pres”
Gara e këngës në Eurovizion është një gjë e madhe në Ballkan. Sigurisht që ishte e madhe kur kualifikuesi slloven në 2002 ishte një treshe trans me emrin Sestre (Motrat). Si rezultat, ata u bënë të famshme në të gjithë ish-Jugosllavinë brenda natës dhe megjithëse ishte një mrekulli vetëm njëvjeçare, ato ndoshta arritën më shumë për promovimin e lëvizjes gej sesa shumica e muzikantëve nga rajoni.
“Unë mund të të jap vetëm dashuri/Shpresën e vetme/Shiko në sytë e mi/Dhe mos u shqetëso/E di që edhe ti ndihesh njësoj/Ajo që dëshiron nuk është mëkat/Është dashuri në sy/Ti më njeh më shumë se sa je i vetëdijshëm/Megjithëse po mbyll sytë/Kur më shikon sheh se çfarë je/Ke kërkuar për një kohë të gjatë/Për atë që mendoje se ishte e drejtë/Por përfundimisht ti do të zgjedh një gjë të vetme”
Në Kosovën e pasluftës, lëvizja popullore për liri dhe pavarësi vetëm sa rritej dita ditës. Adelina Ismajli, këngëtarja më e popullarizuar e asaj kohe, që guximshëm fliste hapur për pavarësi përgjatë regjimit të Millosheviqit, në vitin 2002, publikon albumin “Prej Fillimit…”, një ndër sukseset më të mëdha të karrierës së saj. Një album me 17 këngë, përveç se përmbante një duet me grupin Tingulli 3 në këngën “Me Kosovë po luhet komorë” ku ajo hapur kritikon mediet, pushtetin dhe ndërkombëtarët në Kosovë, me koncerte kushtuar heronjve të kombit Zahir Pajaziti, Sali Çeku e Agim Ramadani ku në njërin prej tyre Presidenti historik z. Ibrahim Rugova ngritet në këmbë për të, një album ku për herë të parë kombinohej muzika rock me atë tradicionale shqipe në një album pop, mu në këtë album Adelina i këndon edhe homoseksualitetit në një këngë të quajtur “Shokut tim” kushtuar shokut të saj gej të fëmijërisë i cili bëri vetëvrasje në Prishtinë. Kjo ishte hera e parë kur në një këngë shqipe u përdorë fjala “homoseksual”në një konetacion pozitiv dhe fuqizues.
“Ti nuk je aspak banal, nëse ndihesh homoseksual. Merri gjërat më ndagalë dhe bëri njerzit me total, se kjo jetë është veç e jotja dhe mund të bësh me të çfarë të duash se, Ti nuk je aspak banal nëse ndihesh si homosekusal. S’ke nevojë për guxim se ti je djalë dhe don djalë tjetër. As i pari as i fundit, kjo gjë në botë është punë e vjetër. Jeto për vete e jo për të tjerët, lëri njerzit le të plasin. S’ke nevojë për guxim se ti je djalë dhe don djalë tjetër” ishin disa nga vargjet ikonike që Diva e estradës shqiptare, Adelina Ismajli guximshëm i këndonte.
Kjo këngë dhe shumë të tjera mbetën të pafilmuar, si pasojë e cenzurës nga Radio Televizioni i Kosovës. Klanet e caktuara radikale filluan sabotimin e veprës së Adelina Ismailit, të cilët në retrospektivë nuk e dëmtuan atë aspak, madje e fuqizuan në statusin e ikonës së muzikës pop shqiptare .
Qyteti i Sarajevës, Bosnjë dhe Hercegovinës, është kryeqytet më i vonshëm evropian sa i përket mbajtjes së Paradës së Krenarisë, nisur për herë të parë në vitin 2019. Në këtë qytet, një festival i vogël i artit queer në vitin 2008 u shkatërrua nga radikalët vehabistë. Disa vite më vonë, një këngëtar jo dhe aq i njohur popullor tradicional, Bozo Vreco, nga qyteti lindor i Bosnjës, Foqa, erdhi në Sarajevë me pasionin e fortë për një stil të vjetër të të kënduarit të quajtur sevdah dhe një pamje queer në modë të ngjashme me Conchita Wurst. Sarajevo Jazz Festival i dha atij mbështetje përmes shtëpisë së tyre diskografike Gramofon, ndërsa Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Sarajevë mbështeti idenë e guximshme të promovimit të të drejtave të personave gej me tingujt e muzikës tradicionale sevdah që zakonisht i përket trashëgimisë patriarkale. I prezantuar me video ekscentrike të artit queer, Bozo Vreco, një burrë gej me mjekër të zezë e i veshur me fustan, u bë një hero dhe një yll folk-pop në rritje të shpejtë në Ballkan. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se homofobia u ndal në këtë pjesë të Evropës. Por ama tabutë janë thyer përgjithmonë.
Skinhead* Një person skinhead quhej një anëtar/e i një nën-kulture me origjinë në mesin e të rinjve të klasës punëtore në Londër, Angli rreth vitet të 1960-ta.