Tu e lexu qitash
Regjistrohet martesa e parë mes seksit të njëjtë në Nepal
Nale Dheze

Regjistrohet martesa e parë mes seksit të njëjtë në Nepal

Më 29 nëntor, çifti Maya Gurung dhe Surendra Pandey, u martuan ligjërisht në Dordi, Nepal. Kjo dokumentohet si martesa e parë mes një çifti LGBTQ+ në shtetin aziatik. 

Edhe pse në fakt, çifti nuk janë të seksit të njëjtë, ligjërisht kjo martesë u regjistrua si e tillë për shkak insistimeve të shumëta të çiftit në Gjykatën e Lartë të Nepalit.

Gurung, një grua transgjinore që në dokumentet e saj ka të shënuar seksin mashkull, dhe Pandey, burrë cisgjinor, mbajtën ceremoninë e martesës në vitin 2017. Kur tentuan për herë të parë të regjistronin martesën e tyre në Gjykatën e Qarkut në kryeqytetin Katmandu, kërkesa e tyre u refuzua, pavarësisht urdhërit të Gjykatës së Lartë që udhëzoi qeverinë të regjistronte bashkimet e seksit të njëjtë derisa të përgatiste legjislacionin për të ndryshuar ligjin e martesave.

Gjykata e Qarkut kishte argumentuar se gjykatat më të ulëta nuk ishin të detyruara të ndiqnin urdhrin e Gjykatës së Lartë pasi ai i drejtohej vetëm qeverisë.

Por të mërkurën, Hem Raj Kafle, zyrtari kryesor administrativ i bashkisë rurale Dordi, i tha Reuters: “Ne kemi lëshuar çertifikatën e regjistrimit të martesës për çiftin duke marrë parasysh urdhrin e Gjykatës së Lartë dhe udhëzimet nga autoritetet përkatëse qeveritare.”

Kodi civil i Nepalit aktualisht njeh vetëm martesat midis një burri dhe një gruaje. Gjykata e Lartë u përpoq ta korrigjonte këtë duke urdhëruar krijimin e një regjistri të përkohshëm për martesat jotradicionale derisa parlamenti të ndryshojë ligjin. Më pas, dy gjykatat më të ulëta ndryshuan logjikën duke pretenduar se së pari duhet ndryshuar ligji kombëtar, raporton Human Rights Watch.

Barazia në martesë – dhe përparime të tjera të të drejtave LGBT – kanë një histori të gjatë në Nepal. Në vitin 2007, Gjykata e Lartë urdhëroi qeverinë të formonte një komitet për të përgatitur një ligj që legalizon martesat e të njëjtit seks. Në vitin 2015, ai komitet rekomandoi qeverinë “t’i japë njohje ligjore martesës së të njëjtit seks në bazë të parimit të barazisë”. Megjithatë, qeveritë e njëpasnjëshme nuk arritën të miratonin këtë legjislacion. 

Zyrtarët e Dordi kanë mbrojtur të drejtat e Maya Gurung dhe Surendra Pandey dhe kanë treguar se është e mundur që marrëdhëniet e të njëjtit seks të njihen në të gjithë vendin. Ky është një shembull që duhet të ndjekin zyrtarët e tjerë. Njohja e martesës së Maya Gurung dhe Surendra Pandey, hapi rrugën për barazinë martesore në të gjithë vendin dhe avancimin e të drejtave LGBT. 


Artikull fillimisht u publikua në HRW.org dhe u përkthye nga Dylberizm.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top