Asnjë ndryshim domethënës në lidhje me ndërgjegjësimin e publikut dhe pranimin e personave LGBTQ+ Kosovë, thuhet në raportin e Komisionit Evropian
Komisioni Evropian ka publikuar raportin e Vendit* (Progresit) për Kosovën. Një pjesë e këtij raporti ju dedikohet edhe çështjeve dhe të drejtave që lidhen me komunitetin LGBTQ+.
Raporti ka analizuar periudhën qershor 2022 – qershor 2023 dhe bazohet në të dhënat e ofruara nga shumë burime, duke përfshirë kontribuesit nga Qeveria e Kosovës, Shtetet Anëtare të BE-së, raportet e Parlamentit Evropian si dhe informacionet nga organizatat ndërkombëtare dhe jo-qeveritare.
Në këtë raport, lidhur me të drejtat e personave lezbike, gej, biseksual, transgjinor, interseks dhe queer (LGBTQ+), thuhet se Kushtetuta ofron mbrojtje nga diskriminimi në bazë të orientimit seksual ose gjinisë. Megjithatë, asnjë ndryshim domethënës nuk mund të raportohet në lidhje me ndërgjegjësimin e publikut dhe pranimin e personave LGBTIQ+.
‘‘Projekt Kodi Civil ende nuk është miratuar nga Kuvendi, i cili përfshin dispozita për bashkësitë civile për partnerët e të njëjtës gjini. Shqetësimet se diskutimet rreth bashkësive civile të së njejtës gjini kanë shkaktuar përdorimin e gjuhës homofobike nga figurat publike, figurat politike dhe media, janë ende të pranishme’’ thuhet në raport.
Raporti më tutje thekson se Plani i Punës 2019 – maj 2022 i Grupit Këshillues dhe Koordinues për të Drejtat e Komunitetit LGBTI ka skaduar.
Tutje thuhet se shoqëria civile raporton mungesë të përmirësimit të qëndrimeve ndaj personave LGBTQ+. Shërbimet sociale të dedikuara ndaj personave LGBTIQ ofrohen ekskluzivisht nga OJQ-të, të cilat raportojnë një rritje të shkallës së vetëvrasjeve në mesin e personave LGBTIQ+ si dhe një rritje të rasteve të dhunës në familje.
Raporti sërish ka potencuar mungesën e strehimores, duke theksuar se: ‘’Në komunën e Prishtinës nuk ka pasur përparim në ndërtimin e planifikuar të një strehimoreje për viktimat LGBTIQ+ të dhunës në familje apo refuzimit familjar’’.
Sa i përket njohjes ligjore të gjinisë, procesi i ndryshimit të Ligjit për gjendjen civile mbetet pezull dhe se nevojitet një trajnim i mëtejshëm për zyrtarët që zbatojnë ligjin, veçanërisht për të drejtat e personave transgjinorë, kualifikimin e krimeve të urrejtjes dhe viktimizimin dytësor.
Raporti nënvizon se gjuha e urrejtjes kundër atyre në situata të cenueshme, duke përfshirë komunitetet LGBTIQ+ dhe komunitetet jo-shumicë, vazhdon, veçanërisht në mediat sociale.
Raportin e plotë në gjuhë angleze mund ta lexoni këtu:
* Raporti i KE-së për Kosovën vlerëson sa ka arritur Kosova të zbatojë reformat të cilat janë kusht për anëtarësim në BE, duke përfshirë ruajtjen e qeverisjes demokratike dhe të drejtave të njeriut.