Aktivisti Lendi Mustafa sulmohet dhe kërcënohet publikisht.
Aktivisti Lendi Mustafa u përball me shqetësim dhe tentativë për lëndim, pasi që një qytetar qëllimisht tentoi ta shkelte atë me veturë në vendkalimin për këmbësorë në Prishtinë.
Ky person kishte kërcënuar Lendin publikisht duke e pohuar edhe vet që kishte tentuar ta shkelte me veturë atë, përmes një komenti në ‘Facebook’.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për shqiptimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin nën akuzën e “kanosjes” dhe “nxitje të urrejtjes dhe mos durimit”. Në raportin zytar të këtij institucioni, ndër të tjera thuhet se “i pandehuri me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim ndaj komunitetit LGBTQ+ bazuar në orientimin seksual të personit, ku përmes rrjetit social “Facebook”, komenton në njërin portal për të, dhe me këtë seriozisht e ka rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje për komunitetin LGBTQ+ në territorin e Republikës së Kosovës.”
Rasti u bë publik edhe para kësaj deklarate publike të Prokurorisë Themelore të Prishtinës me emrat e përveçëm të të dy palëve dhe kjo është shkelje e etikës gazetareske dhe kornizës ligjore. CEL Kosova, CSGD, YIHR KS, QKSGJ dhe CRD dënuan publikimin e identitetit që raportoi kanosjen dhe dhe nxitje të urrejtjes, deklarata e plotë.
Aktivisti Lendi Mustafa është përballur me shumë kërcënime qysh nga dalja e tij hapur, organizimi i Prishtina Pride dhe së fundmi edhe për hapjen e lokalit të vetëm LGBTIQ+ në vend ‘Bubble Pub’.
Drejtësia e këtij rasti nuk është e izoluar sepse kësisoji ndikon në ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektim të të drejtave të njeriut duke i mësuar ata që pason dënimi për homofobi dhe sulm verbal a fizik etj. Ngjashëm, ndikon pozitivisht edhe në rifitimin e besimit të personave LGBTIQ+ në institucionet lokale.
Ne urojmë që ky është rasti i fundit që Lendi dhe personat queer të përballen me sfida të tilla dhe shpresojmë që organet e vendit do të vendosin drejtësinë në pah.
Burimi: Prokuroria e Republikës së Kosovës