Tu e lexu qitash
Martini: një zë arbëresh për personat interseks

Martini: një zë arbëresh për personat interseks

26 tetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave Interseks. Veçanërisht në këtë ditë, është shumë e rëndësishme që t’iu japim hapësirë përvojave të personave interseks dhe të rrisim vetëdijen publike rreth personave interseks. Andaj, Dylberizm pati kënaqësinë që për këtë komunitet të diskutoj me aktivistin interseks, Martin.

Përvoja e Martinit me të qenit interseks fillon që nga lindja e tij, por mori më shumë kuptim kur ai ishte në të njëzetat e tij. Ai kur ishte 20 vjeç e kuptoi të vërtetën e 9 operacioneve që iu kishte nënshtruar qysh kur kishte qenë fëmijë e deri në moshën 17 vjeçare. Për të ishte e çuditshme kur e kuptoi se “diagnoza” prapa të gjithë këtyre operacioneve ishte “interseks.”

Shumicën e herave kur një foshnje lind interseks, mjekët dhe familja vendosin që fëmija të ju nënshtrohetdisa operacioneve për të “specifikuar” vetëm njërin seks dhe pastaj e rrisin foshnjen mbi stereotipet e gjinisë që tradicionalisht i mvishet seksit. Ngjashëm ka ndodhur edhe Martinin, i cili iu është nënshturar 9 operacioneve pa miratimin e tij kur ai ishte edhe më i ri se sa 17 vjeç. 

Pikërisht operimi i foshnjeve apo fëmijëve interseks është çështje për të cilën Martini avokon më së shumti dhe sistematikisht. “’Asnjë fëmijë interseks nuk duhet t’iu nënshtrohet operacioneve për “përcaktimin” e seksit dhe se ai vendim duhet të merret nga vet individi kur të rritet dhe të jetë mirë i informuar rreth të qenit interseks dhe mundësisë për operacione” tha Martini .

 Në punën e tij të përditshme, Martini avokon fuqishëm për të drejtat e personave interseks dhe transgjinorë. Ai thekson rëndësinë e ndaljes së operacioneve për individët interseks duke u fokusuar në riformulimin e ideologjive tradicionale në lidhje me gjininë dhe seksin. Po ashtu, Martini dhe aktivizmi i tij rreket të ndërgjegjësojë publikun e gjerë rreth domosdoshmërisë që profesionistët mjekësor të dëgjojnë më shumë zërin e personave interseks dhe të bashkëpunojnë afër me ta dhe me familjarët e tyre për të siguruar një përvojë të shëndetshme fizikisht dhe emocionalisht. 

Martini është po ashtu arbëresh. Ndër të tjera, është një ndër të vetmit arbëresh që hapur ka folur për përvojën e tij si person queer, respektivisht si person interseks. Të qenit arbëresh për të nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh në integrimin e tij brenda komunitetit. Gjithsesi, Martini thekson se gjatë jetës së tij nuk ka takuar kurrë spontanisht një person queer dhe arbëresh. Po ashtu, deri në moshën 16 vjeçare, ai nuk ka takuar ndonjë familje shqiptare dhe gjithsej ka njohur vetëm pesë familje arbëreshe në zonën ku ai jeton e punon. Ndonëse Martini thotë që kurrë nuk e ka takuar dikë që e ka përvojën e njëjtë dhe mund ta flet gjuhën e njëjtë me ta, pra si arbëresh queer, ai thotë se kjo pjesë e identitetit të tij dhe fakti që ai flet një dialekt që e flasin vetëm 900 persona është diçka që i intrigon të tjerët. 

Për Dylberizm, Martini flet edhe për sfidat kryesore të të qenit interseks, sidomos edhe brenda komunitetit LGBTIQ+. Martini shprehet se personat interseks ndihen të neglizhuar nga personat e tjerë queer. Ai tha që ka dëgjuar persona transgjinorë dhe me gjini jo binare që kanë përdorur përvojat e personave interseks për të justifikuar historinë e tyre dhe sipas tij kjo është gabim, dhe personat transgjinorë dhe identitetet e tyre kanë një njohje historike, derisa përvojat e personave interseks janë të panjohura, të pavlerësuara. 

Martini nënvizon se gjuha e gjinizuar që përdoret nga personat endoseks (me termin endoseks iu referohemi njerëzve karakteristikat e seksit të të cilëve janë konform  normave shoqërore dhe mjekësore të trupit “mashkull” dhe “femër)  është dëmtuese për personat interseks sepse ata rriten me idetë, stigmën dhe paragjykimet që nuk janë “tërësisht meshkuj” ose “tërësisht femra” për shkak se janë interseks. Po ashtu, sipas Martinit, të thërrasësh një përson interseks që duket tradicionalisht si djalë “vajzë” ose anasjelltas është traumatike sepse rikujton të gjitha ndërhyrjet mjekësore të padëshiruara në trupin e tyre, që janë bërë pa pëlqimin e tyre. 

Martini po ashtu tha se për të është ofenduese që në aktivitete LGBTIQ+ njerëzit mund ta valvisin flamurin interseks, por nuk flasin kurrë për ta, ndonëse rreth 1.7 % e botës janë persona interseks. Po ashtu, ai tregon për disa përvoja që ka pasur nëpër hapësira queer, të cilat në hyrje kanë pasur të vendosur flamurin interseks, por sigurimi i asaj hapësirës ka intervenuar duke i përcaktuar Martinit se në cilin tualet duhet të hyjë; duke i kërkuar të përdor një tualet për meshkuj me mjete sanitare të caktuara përkundër rehatisë dhe mundësive të Martinit. 

“Është e rëndësishme t’i kushtohet më shumë rëndësi gjuhës që e përdorim kur flasim për çështje queer, e sidomos për personat interseks. Termi “burra dhe gra cishet (cis-gjinorë dhe heteroseksual) është term që mund të diskriminojë personat interseks”- shpjegon Martini. 

Ngjashëm, ai tregon se shumica e personave interseks identifikohen si heteroseksual, ndonëse shprehet skeptik nëse ky term mund të përdoret në kontekstin e personave interseks. Ai thotë se për gjuhën ekzistuese, personat interseks shihen si persona transgjinorë, për shkak të ridefinimit të seksit dhe/apo gjinisë. Por, sipas tij kjo është problematike sepse personat interseks janë interseks dhe nuk janë trans. Personat interseks iu nënshtrohet operacioneve mjekësorë pa lejen e tyre dhe pa i kuptuar mirë. 

Sidomos në Ditën Ndërkombëtare të Personave Interseks, dhe çdo ditë tjetër, Martini bënë thirrje që edhe brenda komunitetit LGBTIQ+, por edhe jashtë tij, të dëgjojmë më shumë personat interseks dhe përvojat e tyre.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top