Tu e lexu qitash
Pronarët e orëve Swatch “LGBT” mund të dënohen me tre vjet burg në Malajzi
Nale Dheze

Pronarët e orëve Swatch “LGBT” mund të dënohen me tre vjet burg në Malajzi

Pronarët ose shitësit e orëve me ngjyra të ylberit të prodhuara nga prodhuesi zviceran i orëve Swatch përballen me tre vjet burg në Malajzi, ka thënë Ministria e Brendshme, pasi shteti me shumicë myslimane kundërshton simbolet e komunitetit LGBTQ+ dhe thotë se mund të “dëmtojnë moralin”.

Homoseksualiteti është i jashtëligjshëm në Malajzi dhe personat LGBTQ+ përballen me diskriminim.

Në maj të këtij viti u bastisën 11 dyqane të Swatch-it nga njësiti për zbatim të ligjit në Malajzi i urdhëruar nga Ministria e Brendshme, duke përfshirë kryeqytetin Kuala Lumpur, për orët Swatch që mbajnë atë që u quajt  “element LGBT”.

Kushdo që “printon, importon, prodhon … ose ka në posedim” artikuj të tillë përballet me dënim deri në tre vjet burgim, tha Ministria në një deklaratë. Sipas njoftimit të ndalimit, secili individ që mban ose shpërndan këto ora mund të gjobitet gjithashtu me 20,000 ringgit malajzian (3,976 euro).

“Qeveria e Malajzisë është e përkushtuar për të parandaluar përhapjen e elementeve që janë të dëmshme ose mund të jenë të dëmshëm për moralin”, tha ministria në një deklaratë.

Po ashtu nga Ministria thanë se orët “mund të dëmtojnë … interesat e kombit duke promovuar, mbështetur dhe normalizuar lëvizjen LGBTQ+ që nuk pranohet nga publiku i gjerë”.

Një zyrtar i ministrisë gjatë muajit maj i tha Agjencionit Françez të Shtypit se 172 orë Swatch me vlerë 14,000 dollarë (13,123 euro) u sekuestruan në bastisje, sepse ato mbanin akronimin “LGBTQ” dhe kishin gjashtë ngjyra në vend të shtatë ngjyrave të ylberit.

Flamuri i Krenarisë me gjashtë ngjyra të ylberit është një nga simbolet më të njohura të LGBTQ+ në mbarë botën.

Sipas njoftimit të thirrjes, sekuestrimi bazohej në Aktin e Shtypshkronjave dhe Publikimeve të vitit 1984, të cilin kritikët e kanë dënuar si drakonian.

Në muajin qershor të këtij viti, kompania Swatch ngriti padi kundër qeverisë malajziane lidhur me konfiskimin, duke shkruar se orët “nuk promovonin asnjë aktivitet seksual, por thjesht një shprehje argëtuese dhe të gëzueshme të paqes dhe dashurisë”.

Kryeministri Anwar Ibrahim është kritikuar nga opozita që ai nuk po bën sa duhet për të mbrojtur vlerat islame të Malajzisë. Ndërsa Anwar thotë se qeveria e tij nuk do të mbështesë të drejtat e komunitetit LGBTQ.

Artikulli fillimisht u publikua në The Guardian dhe është përkthyer nga Dylberizm 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top