Tituj të librave queer klasik dhe bashkëkohorë
Historia e letërsisë queer është mjaft e vjetër. Nisur nga poetja greke Sappho e te dramaturgu irlandez Oscar Wilde, shumë shkrimtarë i janë qasur sfidave dhe kënaqësive të përvojave LGBTQ+ me thellësi dhe imagjinatë të madhe. Kjo nuk ka qenë gjithmonë përpjekje e lehtë; shpesh, kanë qenë histori të rrëfyra mes rreshtash dhe me kuptime të fshehura, sepse kishte shumë pengesa për ata që përshkruanin pa censurë nuancat e seksualitetit dhe identitetit gjinor. Fatmirësisht, me kalimin e kohës kjo ka ndryshuar ngadalë, dhe nga viti në vit horizonti i letërsisë queer po bëhet gjithnjë më vibrant e më i gjerë.
Në fakt, kjo listë në këtë artikull ofron vetëm disa nga librat e shumtë që mund të ishin zgjedhur. Në vend të çdo libri të përfshirë, është një tjetër libër që mungon. Shkrimtarët si EM Forster, Audre Lorde, Christopher Isherwood, Sarah Waters e shumë novelistë të tjerë nuk janë të listuar këtu, por të gjithë kanë shkruar proza letrare të shkëlqyeshme që kanë ndihmuar në formimin dhe pasurimin e tregimeve që tani janë pjesë e një bibloteke queer. Sugjerimet këtu merrni si një pikënisje – një grusht titujsh të librave klasik dhe bashkëkohorë që ofrojnë qasjet e tyre të veçanta në tematika si dashuria, seksi, familja, mungesa dhe njohja e vetvetes.
“After The Parade” nga Lori Ostlund (2015)
Kur pas 20 vitesh Aaron Englund u nda nga partneri i vet më i moshuar, me jetën e tij të paketuar në pjesën e pasme të një kamioni, e kaluara i ndërhynte vazhdimisht në të ardhmen që ai kishte zgjedhur. Zhvendosja në San Francisko, kujtimet shqetësuese të fëmijërisë i përzihen me shqyrtimet që i bënte kohës gjatë të cilës kishte qenë i lidhur me Walterin – një burrë i qetë e i disiplinuar që dëshironte të vazhdonte “të shërbente si mbështetës financiar i dëshirave dhe ambicieve të Aaronit dhe kështu ta mbante Aaronin të lidhur pas vetes”. Duke u çliruar nga gjithçka që e mbante lidhur, Aaroni gjen hapësirë për të zbuluar te vetja një rrjet kompleks traumash dhe humbjesh. “After The Parade” është një libër i shkruar bukur e në mënyrë mahnitëse, i shkathët në përshkrimin e kuptimit të dashurisë dhe tjetërsimit.
“Under the Udala Trees” nga Chinelo Okparanta (2015)
Në vitin 2014, presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, nënshkroi Aktin e Ndalimit të Martesave midis të Njëjtit Seks me sanksione tepër të rënda, nisur nga burgimet deri në dënimet me vdekje. Ky fakt drithërues formëson përfundimin e këtij romanini prekës të shkruar me kujdes nga Chinelo Okparanta. Një rrëfim që zhvillohet në sfondin e luftës civile në Nigeri, e që përcjellë rritjen e një gruaje të re të quajtur Ijeoma, që përket në grupin etnik Igbo, e cila hasë në pengesa në gjetjen e balancës së pajtimit midis besimit, familjes dhe seksualitetit të saj. Duke u pajtuar me faktin se është lezbike në një kulturë armiqësore ndaj homoseksualitetit, shkrimtarja Okparanta gërsheton me mjeshtëri tundimin midis dorëheqjes dhe këmbëngulësisë për njohje – duke mos kursyer detajet e saj nga tmerret e luftës dhe paragjykimet e thella, ndërkohë që gjithsesi ofron një dromcë të brishtë shprese.
Our Wives Under the Sea nga Julia Armfield (2022)
Kur Lea kthehet pas një misioni të tejzgjatur e të papritur në det të thellë, Miri fillon ta vajtojë gruan që kishte dikur. Debutimi i Julia Armfield, i miratuar edhe nga këngëtarja Florence Welch, është disa gjëra njëherësh: një histori gotike mahnitëse e rrëqethëse për tmerret e panjohura të oqeanit; një shqyrtim i dashur i jetës familjare të lezbikeve; një portret turbullues i asaj që ndodh kur personi që keni dashur mbetet i paarritshëm, edhe kur ai person të jetë ulur pranë jush në divan. Proza e Armfield është e shkathët dhe atmosferike, dhe vëzhgimet e saj mbi imtësirat dhe mitologjinë private të marrëdhënieve janë të përshkruara bukur. Ashtu si përmbledhja e saj e tregimeve të shkurtra “Salt Slow”, ky është një rrëfim rreth metamorfozës së pandalshme: përplasja e zakonshme me botën e përhumbur.
Rubyfruit Jungle nga Rita Mae Brown (1973)
““A je gej?” “Oh, nuk do të thosha që jam gej. Thjesht do të thosha që jam magjepsur.” Libri “Rubyfruit Jungle” i Rita Mae Brown bëri bujë kur u botua për herë të parë në vitin 1973 për përshkrimin johezitues të një “lezbikeje të vërtetë e të mirëfilltë” që po mundohet ta gjejë veten nëpër Nju Jork. Është një lexim marramendës, shpesh humoristic, për një protagoniste me shumë vullnet, që është e uritur për jetë dhe s’ua varë fare kategorive apo kritikave të të tjerëve. Me ribotimin e këtij libri në vitin 2016, Brown shkroi një hyrje të re duke reflektuar mbi trashëgiminë e librit. “Nëse “Rubyfruit Jungle” ju ndihmoi për t’ju japur një të shtyrë në rrugën tuaj drejt lirisë, atëherë unë kam bërë diçka të hajrit,” shkroi ajo me shkathtësi.
“Giovanni’s Room” nga James Baldwin (1956)
“Giovanni’s Room” përmbledh një shtrirje të jashtëzakonshme të emocioneve në një shkrim jo dhe aq të gjatë. Duke detajuar marrëdhënien e tensionuar midis amerikanit David dhe banakierit Italian, Giovanni, i pari rrëfen historinë e kohës së tyre së bashku gjatë një nate që e çoi “në mëngjesin më të tmerrshëm të jetës”. Ky mëngjes i tmerrshëm, zbuluam së shpejti, shënon ditën e ekzekutimit të Giovannit. Me këtë kanosje, Davidi rrëfen sprovat dhe trazirat e lidhjes së tyre të dashurisë dhe, duke e bërë këtë, skicon një portret kompleks të një maskuliniteti që është në luftë me veten. Është një roman mahnitës dhe i gjallë, që ndeshet jo vetëm me konturet marramendëse të epshit, por edhe me pasojat shqetësuese të turpit dhe urrejtjes ndaj vetvetes.
“The Line of Beauty” nga Alan Hollinghurst (2004)
Nick Guest la universitetin dhe vera është në lulëzim të plotë. Duke jetuar në rajonin Notting Hill në shtëpinë e një shoku të pasur të shkollës, babai i të cilit është një politikan konservator, libri fillon me fitoren e dytë zgjedhore të Margaret Thatcher në vitin 1983 duke ndërthurur me mjeshtëri çështjet si politika, klasat sociale dhe seksi. Në fillim, seksualiteti i Nickut fshihet kryesisht nga bota e klasës së lartë në të cilën ai futet – me shpërthime vetëm në kopshte të rrethuara dhe pas dyerve të mbyllura. Por, me kalimin e kohës dhe zhvillimin e krizës së AIDS, kjo më nuk bëhet e mundur. Duke pasur në shënjestër joshjen boshe për pasuri dhe vakuumin moral të sundimit të Thatcher, romani i Hollinghurstit është i shkëlqyeshëm dhe karakterizohet me një zymtësi që shkon e rritet.
“Oranges Are Not The Only Fruit” nga Jeanette Winterson (1985)
“Njerëzve u pëlqen ta bëjnë ndarjen midis tregimeve që nuk janë të bazuara në fakte dhe historisë që është faktike. Ata e bëjnë këtë në mënyrë që ta dinë çfarë të besojnë e çfarë jo.” Debutimi i Jeanette Winterson, i rrënjosur në përvojat e saj të rritjes si lezbike në një familje birësuese Pentekostale (lëvizje fetare që mori hov në një numër kishash protestante në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 20-të), është strukturuar rreth teksteve fetare që pushtojnë edukimin e protagonistes Jeanette. Duke u thelluar në atë që ndodh kur narrativat e pritura – si teologjike, ashtu edhe personale – refuzohen, zëri i Winterson është i freskët, befasues dhe me humor. Është një roman i mrekullueshëm, që ndriçon pasojat e një nëne të devotshme dhe klaustrofobike, dhe një institucion që ndëshkon me mizori dashurinë në zhvillim.
“Orlando” nga Virginia Woolf (1928)
Disa romane janë si dialogje me pyetje të vështira. Të tjerët synojnë të ngërthejnë një histori të caktuar: kulturore, kolektive, individuale. Disa janë letra dashurie. Orlando është gjithçka nga këto të përmendurat. Frymëzuar dhe shkruar për personalitetin magnetik e imponues të Vita Sackville-West, me të cilën Virginia Woolf pati një lidhje të gjatë, libri ndjek protagonistin Orlando përgjatë tre shekujsh historie, ndërlidhjesh romantike, ndryshimit gjinor dhe një projekti shumë të gjatë poetik. Është një lexim i këndshëm, plot humor dhe ngrohtësi, si dhe shqyrtime të gjinisë, seksualitetit, fuqisë dhe procesit artistik.
“Paul Takes The Form of a Mortal Girl” nga Andrea Lawlor (2017)
Çka do të ndodhte nëse “Orlando” do transportohej në vitin 1993 dhe në të do të shtoheshin dhjetëra skena të tjera eksplicite seksuale? Rezultati ndoshta do të ishte diçka si libri “Paul Takes The Form of a Mortal Girl” nga Andrea Lawlor. Ky roman i zhurmshëm ndjek aventurat e Paulit – i njohur gjithashtu si Polly – trupi i të cilit është i lakueshëm, metamorfik dhe pafundësisht i uritur për kënaqësi. Në gjendje të transformohet fizikisht sipas dëshirës, Paul kënaqet me mundësitë seksuale dhe romantike të ofruara nga rregullimet e shumta në fytyrë, gjatësi të trupit, organe gjenitale dhe shumë tjera. Duke rrëshqitur mes maskimeve dhe identiteteve, polimorfi Paul ofron një vështrim të kthjellët mbi identitetin transgjinor – sa lozonjar, aq edhe serioz.
“The Color Purple” nga Alice Walker (1982)
Një rrëfim shkatërrues, por në fund shpresëdhënës, i rrëfyer në një seri letrash nga protagonistja Celie drejtuar Zotit dhe motrës së saj Nettie, Alice Walker fitoi çmimin Pulitzer për librin “The Color Purple” në vitin 1983. Duke detajuar realitetet e zymta të abuzimit, mizogjinisë dhe racizmit në zonat rurale të Gjeorgjisë, romani i Walker ofron njëkohësisht aktakuzën mallkuese të shtypjes së institucionalizuar e të koduar kulturore, njashtu dhe potencialin e jashtëzakonshëm që gjendet në rimarrjen e jetës për vetveten. Me hyrje të shkruar nga këngëtari i zhanrit të muzikës bluz, Shug Avery, shndërrohet gjithashtu në një histori dashurie – një histori në të cilën kënaqësia dhe pasioni janë të ndërsjella, dhe solidariteti femëror ofron ngushëllim të madh.
“Carol” nga Patricia Highsmith (1952)
Botuar nën pseudonimin “Claire Morgan”, titulluar më parë “The Price of Salt” shpejt u bë libër i jashtëzakonshëm. Shkrimtarja u frymëzua nga një grua bjonde me një pallto të veshur e që e kishte bërë të ndihej “çuditshëm dhe disi e turubullar në kokë” ndërsa punonte te Macy’s (dhe e ndikuar gjithashtu nga marrëdhënia e saj me trashëgimtaren Virginia Kent Catherwood), Highsmith krijoi një histori dashurie plot ngarkesa erotike. Duke dokumentuar shpalosjen e marrëdhënies ndërmjet Thereses 19-vjeçare dhe Caroles tridhjetë e pak vjeçare, historia dominohet qartë nga dëshira në zierje dhe shtrëngimet e jetës familjare. Në atë kohë kur u botua, u vlerësua për përfundimin e hapur, duke sugjeruar një të ardhme të lumtur. Vitet e fundit, libri është sjellë sërish në vëmendje të publikut falë filmit “Craol” të regjisorit Todd Haynes.
“On Earth We’re Briefly Gorgeous” nga Ocean Vuong (2019)
Gjuha, epshi, varësia dhe traumat e trashëguara bashkohen në debutimin e shkrimtarit Ocean Vuong. Shkruar në narrativën e formës së një letre që djali ia dedikon nënës që nuk di ta lexojë, Vuong ndërthur me saktësi përpikmërinë e vet me dhe rrjedhën e poezive të tij me format e ndryshme të intimitetit që ekziston midis të dashuruarve, midis prindit dhe fëmijës dhe midis të sëmurëve dhe atyre që gëzojnë shëndet. I rritur nga një nënë dhe gjyshe vietnameze tek të cilat lufta dhe dhuna kanë lënë gjurmë të thella, folësi i romanit, Little Dog, i qaset çështjes së mbijetesës me njëfarë intensiteti kërkues. Kombinimi i kujtimeve të fragmentuara të fëmijërisë me një rrëfim rreth dashurisë së tij të parë të trazuar – Trevor, djali 16-vjeçar i një fermeri të fushave të duhanit – rrëfimi i Vuong se si është rritur ai dhe e ka përjetuar të qenit gej dhe në ikje, është rrëfim i ndjeshëm dhe zemërthyes.
“America is Not the Heart” nga Elaine Castillo (2018)
Heroina përdorë disa emra. E quajtur Geronima De Vera, në Filipine ajo njihet si Nimang. Por me të mbërritur në Milpitas, afër San Franciskos, mbesa e vet shtatë vjeçare e quan atë Heroinën e saj. Është një pseudonim jo i lehtë por i përshtatshëm për një grua, jeta e së cilës ka marrë kthesa të ndryshme, nga një fëmijëri e pasur, tek të punuarit për një dekadë si mjeke në Neë People’s Army, e deri tek dy vite tortura, në një fillim të ri në SHBA. Duke mbërritur me gishtat e mëdhenj të thyer dhe një pamje të jashtme të brishtë, afeksionet e Heroinës zbërthehen ngadalë. Libri i Castillos ka shtrirje të gjerë dhe është dinamik në tematikë: i mprehtë në pyetjet që ngre sa i përket gjuhës, emigracionit dhe klasës, dhe plot zemër e guxim në përshkrimin e qasjes së sinqertë, josentimentale ndaj seksit dhe dashurisë.
“Stone Butch Blues” nga Leslie Feinberg (1993)
“Ligji thoshte se ne duhej të vishnim tre pjesë nga veshjet tipike për gra. Ne kurrë nuk i ndërruam veshjet. As motrat tona mbretëreshat drag. Ne e dinim, ashtu siç e dini dhe ju, se çfarë do të pasonte. Na duhej mëngët t’i përvjelnim, flokët t’i mbanim të lidhura nga pas, në mënyrë që të jetonim.” Romani i Leslie Feinberg është një përshkrim i vrullshëm dhe prerës i përvojës lezbike dhe transgjinore. Duke eksploruar jetën e Jess Goldberg, një lezbike gender-queer butch e klasës punëtore, e rritur në Buffalo të viteve 1950 përpara se të transferohej në Nju Jork, Feinberg hedh dritë mbi brutalitetin e tmerrshëm të policisë, dhe mbi rrjetet queer për komunitet e kujdes, dhe pyet se çka do të thotë (dhe çka duhet për) rezistencë.
Artikulli është publikuar fillimisht në Vogue dhe është përkthyer nga Dylberizm.