Anibar ngjallë dashni e rezistencë në qytetin e Pejës me hapjen e edicionit të 14-të
U hap edicioni i katërmbëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar dhe Animacionit Anibar në Pejë. Duke u përpjekur çdo herë të trajtojë temat aktuale që shqetësojnë shoqërinë e Kosovës, këtë edicion Anibar përshëndet dashninë në të gjitha format e saj, e cila është tema e sivjetme e festivalit.
“Në një botë të konsumuar shpesh nga kaosi dhe përçarja, ne tentojmë t’i rikujtojmë vetes dhe çdo kujt që dashuria nuk njeh kufij dhe si e tillë, nuk mund të definohet!” thuhet në kumtesën zyrtare të festivalit.
Nga e hëna deri të dielën më 23 korrik, do të shfaqen 138 filma, do të ketë panele diskutimi, mbrëmje muzikore, diskutime me filmbërës si dhe punëtori.
Nata e hapjes së festivalit u moderua nga mbretëresha drag Adelina Rose, e cila është me prejardhje nga qyteti i Pejës. Adelina Rose përvec fjalive hapëse dhe mirëseardhjes tregoi për emocionet dhe krenarinë e saj për të hapur festivalin në qytetin e saj të lindjes. Adelina Rose poashtu tregoi për përkrahjen të cilën e ka nga nëna e saj e cila e kishte punuar fustanin e saj.
Tre filma të cilët u shfaqën në këtë mbrëmje ishin: All those sensations in my belly, i cili fliste për personat transgjinorë; Maurice’s Bar, i cili trajtonte jetën e mbretëreshave drag, si dhe Pentola, i cili ilustronte dashurinë në mes të dy djemve.
Megjithëse hapja ishte një ngjarje e mbyllur, këta filma gjithsesi që do të shfaqen edhe një herë gjatë festivalit për ata të cilët duan t’i ndjekin.
Filmat që do të shfaqen përkasin në nëntë kategori, shtatë nga të cilat janë garuese e dy të tjera jashtë garës.
Dylberizm ka biseduar me koordinatoren e programit të festivalit, Vita Kasapolli, e cila na ka treguar se, sa i përket tematikës, qasja që po e ka këtë vit festivali në krahasim me vitet e kaluara është shumë më e veçantë.
Viteve të para kur është mbajtur ky festival nuk ka pasur tematika të veçanta, mirëpo me kalimin e kohës ekipi ka filluar që secilin edicion të ja dedikojë dhe formësojë rreth një çështjeje të caktuar.
Përgjatë viteve, Anibar ka trajtuar çështje të shumta, siç janë ngrohja globale, migrimi, rimarrja e hapësirave publike, barazia gjinore, frika, shpresa etj. Pastaj gjatë izolimit të pandemisë Covid-19 e kanë trajtuar temën e izolimit, më pas vitin e shkuar tema ka qenë më zbavitëse, për bestytni, e sivjet, Kasapolli tregon se ekipi i Anibar kanë dashur të bëjnë diçka më revolucionare dhe diçka që lë efekt më të gjatë, kështu që kanë vendosur t’ia dedikojnë dashnisë.
Qëllimi i sivjetmë i Anibar-it është t’i përfshijë e t’i kremtojë të gjithë format e dashnisë, duke e përcjellur mesazhin që dashnia nuk ka nevojë të përkufizohet apo përcaktohet në një të vetme, por të gjithë meritojnë të jenë të lirë, rehat dhe të ndihen se të gjitha llojet e dashurisë janë të mirëseardhura për t’u shprehur.
Për këtë arsye, edhe në aspektin vizuel, e edhe në program, Anibari sivjet ka futur më tepër përmbajtje queer, pasi që, siç e tha edhe Kasapolli për Dylberizm, “nuk mund të flasim për dashninë, pa e përfshirë edhe dashninë queer.”
Megjithëse filma për komunitetin LGBTQ+ ka pasur të përfshirë në program pothuajse në secilin edicion të Anibarit, këtë vit në program është një kategori e posaçme e filmave të animuar me përmbajtje queer, e quajtur QueerToons; dhe filma queer poashtu do të ketë edhe brenda kategorisë Human Rights.
Në muralin e përvitshëm që Anibar e ngjyros dhe përpunon në secilin edicion, këtë vit në mes të dizajnit vendosën ta shtonin edhe ylberin – që ta theksojnë ekzistencën e personave queer dhe fuqizimin e komunitetit LGBTQ+ për të cilët shprehja e dashurisë dhe ekzistenca janë akoma një sfidë e përditshme.
Ndonëse ky edicion është mirëpritur nga shumë adhurues të filmave të animuar, festivali ka ngjallur edhe reagime të shumta nga qytetarët e Pejës të ciëve nuk po iu pëlqen fakti që Anibari sivjet po iu jep hapësirë çështjeve queer, dhe një grup i tyre kanë vandalizuar muralin, duke e lyer ylberin me ngjyrë të zezë. Disa të tjerë kundërshtimet e tyre i kanë shprehur përmes gjuhës së urrejtjes nëpër rrjete sociale. Grupet më të organizuara në këtë kundërshtim janë prijësit fetarë musliman dhe tifozët e klubeve futbollistike dhe basketbolliste të Pejës. Këto ditë në xhamitë e Pejës në mënyrë të organizuar u ligjërua kundër personave LGBTQ+ dhe festivalit Anibar.
Kasapolli njoftoi që të gjithë këto raste janë raportuar në polici, duke përfshirë ata që kanë vandalizuar muralin, si dhe ata që kanë nxitur dhunë dhe urrejtje përmes rrjeteve sociale, dhe se edhe personat e tjerë të cilët veprojnë njejtë do të raportohen në organet e rendit dhe do të jenë në mbikëqyrje.
Në hapje të festivalit, përvec përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,, skenës së artit dhe shoqërisë civile, të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, deputetja, Adriana Matoshi.
Ndërkaq për të diskutuar më tutje mbi sfidat e personave queer për të jetuar lirshëm dashurinë e tyre të mbrojtur e të njohur edhe me ligj, në kuadër të festivalit do të mbahet sot (18 korrik) në Galerinë e Artit një panel diskutimi nga ora 17:00 me temë: Forcimi i mbrojtjeve ligjore: Rruga drejt martesës midis të njëjtit seks në Kosovë.
Gjatë festivalit do të mbahen edhe tri panele të tjera që kanë të bëjnë me tema si: Ndikimi i kinematografisë në percetimin e dashurisë, Dashuria ndaj vetes, dhe Pajtueshmëria astrologjike mes lidhjeve dhe dashurisë.
Informata më të hollësishme rreth programit të Anibarit për vitin 2023, që përfshijnë orarin e shfaqjeve të filmave, mbrëmjeve muzikore dhe më gjerë, mund ti gjeni në uebfaqen zyrtare të festivalit:https://anibar.org/sq/ballina/