Lirohen dhjetë protestuesit e arrestuar në Paradën e Krenarisë Trans në Stamboll
Dhjetë aktivistë të komunitetit LGBTQ+, përfshirë organizatorët e Paradës së Krenarisë dhe persona queer, u liruan të hënën pasi u arrestuan nga policia të dielën në Stamboll në Paradën e Krenarisë Trans.
Parada u ndalua nga Guvernatori i Stambollit si pjesë e politikave armiqësore të qeverisë turke karshi ngjarjeve të Krenarisë.
“Ne i kthyem miqtë tanë,” njoftuan organizatorët e paradës në Twitter.
Parada e nëntë e Krenarisë Trans në Stamboll ishte planifikuar të organizohej në lagjen Cihangir të Stambollit, pavarësisht ndalimit të Guvernatorit.
Kur parada filloi, policia ndërhyri dhe ndaloi marshimin e turmës.
Dhjetë persona të arrestuar nga policia u transferuan në Stacionin e Policisë së Stambollit, por më pas u liruan pas dëshmive të marra nga policia.
Pasi presidenti Recep Tajip Erdogan fitoi edhe zgjedhjet presidenciale, edhe ato parlamentare këtë vit në muajin maj, ai tha se qeveria e tij nuk do të toleronte shfaqjet publike të homoseksualitetit, duke e akuzuar opozitën si mbështetëse të komunitetit LGBTQ+.
Anembanë shtetit turk, paradat, koncertet dhe ngjarjet e tjera rreth komunitetit LGBTQ+, u ndaluan nga autoritetet gjatë muajit të Krenarisë.
Lajmi është publikuar fillimisht në Balkan Insight dhe është përkthyer nga Dylberizm.