Islanda ka miratuar ligjin për ndalim të terapisë së konvertimit që përfshin edhe personat transgjinorë
Parlamenti islandez ka miratuar një ligj që ndalon të ashtuquajturat praktika të terapisë së konvertimit në bazë të orientimit seksual, shprehjes gjinore apo identitetit gjinor.
Të premten (më 9 qershor), ky shtet nordik iu bashkua Kanadasë, Brazilit, Ekuadorit, Spanjës, Gjermanisë, Francës, Maltës dhe Zelandës së Re në ndalimin e praktikave të dëmshme të konvertimit.
Me 53 vota “po” dhe tre abstenime, as edhe një përfaqësues nuk votoi kundër projektligjit të propozuar nga kryetarja e partisë parlamentare Viðreisnar dhe deputetja e Partisë Reformuese, Hanna Katrín Friðriksson, njofton PinkNews.
Friðriksson ka thënë më parë se praktikat e konvertimit janë “të bazuara thjesht në injorancë dhe ide reaksionare” dhe “nuk kanë vend në shoqërinë tonë”, sipas Reykjavik Grapevine.
Sipas Ugla Stefanía Kristjönudóttir Jónsdóttir – shkrimtare dhe eksperte për çështjet LGBTQ+ në Islandë – shumica dërrmuese e votimit për ndalimin e terapisë së konvertimit në Althingi (Parlamenti lsandez) ka treguar se legjislacioni u mbështet gjerësisht, edhe pas përpjekjeve transfobike për ta rrëzuar atë.
“Legjislacioni ka pasur mbështetje ndërpartiake në parlament, pavarësisht përpjekjeve të grupeve për ta kundërshtuar atë, grupe të njohura të urrejtjes kundër personave transgjinorë, grupe nën ndikimin anglez, që pretendonin gabimisht se arritën të ‘hedhin poshtë projektligjin’,” ka postuar ajo në Twitter.
“Argumentet e tyre u hodhën poshtë si retorikë anti-shkencore dhe anti-transgjinore.”
Postimet në tabelën e mesazheve të prindërve në Mumsnet (Website i famshëm për prindër në Angli) dhe nga llogaritë në Twitter kundër personave transgjinorë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, kanë festuar gabimisht ndalimin që u hodh poshtë në ditët e mëparshme.
Në vitin 2009, kur Jóhanna Sigurðardóttir u emërua kryeministrja e parë grua e Islandës – shteti u bë vendi i parë në botë që kishte një udhëheqëse qeverie e cila ishte hapurazi homoseksuale.
Kryeministrja aktuale e Islandës është Katrín Jakobsdóttir – politikane e Lëvizjes së Majtë e të Gjelbër.
Bashkimi Evropian aktualisht rendit 90/100 Islandën në indeksin global të të drejtave të personave LGBTQ+ në Equaldex, pozicion ky i cili kur të përditësohet për të pasqyruar ndalimin gjithëpërfshirës të terapisë së konvertimit, me shumë gjasa do të përmirësohet edhe më tej.
Islanda i njeh martesat midis të njëjtit seks, lejon qytetarët të ndryshojnë gjininë e tyre të regjistruar pa ndërhyrje mjekësore, dhe lejon regjistrimin si gjini e tretë me shenjën gjinore “X” në dokumentet zyrtare. Çiftet e të njëjtit seks mund të adoptojnë ligjërisht fëmjë në Islandë dhe diskriminimi ndaj personave LGBTQ+ është ilegal sipas ligjit islandez.
Teksa Mbretëria e Bashkuar ngelet prapa vendeve të tjera në mbarë botën në zbatimin e ndalimit të praktikave të konvertimit në mënyrë të plotë, efektive dhe trans-përfshirëse, përçarjet në Partinë Konservatore nën qeverisjen e Rishi Sunak mbi të drejtat e personave transgjinorë janë bërë gjithnjë e më të theksuara.
Jónsdóttir tha për PinkNews se votimi historik ka dëshmuar se “drejtësia do të mbizotërojë mbi paragjykimin”.
“Ky ndalim i të gjitha praktikave të konvertimit është një moment i rëndësishëm që na përkujton se përparimi ligjor jetik për të gjithë njerëzit LGBT+ nuk është një çështje diskutabile për ata që kanë në qendër të politikave tëtyre drejtësinë dhe dhembshurinë.
“Gjatë kësaj periudhe që mund të përshkruhet si një reagim i përqendruar kundër të drejtave të personave transgjinorë dhe LGBT+ në përgjithësi, kjo gjë dërgon një mesazh të fortë se mund të arrihet përparim dhe se në fund drejtësia do të mbizotërojë mbi paragjykimet.”