Universiteti i Prishtinës me deklaratë të fuqishme për të drejtat queer
Një moment i rëndësishëm historik për të drejtat LGBTQ+ në rajon ka ardhë nga Universiteti i Prishtinës. Gjatë Javës së Krenarisë, ky Universitet ka lëshuar një deklaratë e cila njeh dhe mbron të drejtat queer e po ashtu i ka parasysh sfidat me të cilat përballen studentët dhe akademikët queer për shkak të identitetit gjinor dhe orientimit seksual.
Si Universiteti i parë publik në vend që mbështet publikisht dhe mbron studentët queer, kjo deklaratë është një dëshmi e progresit që po ndodhë në Kosovë në adresimin e sfidave me të cilat përballen personat LGBTQ+.
Kjo deklaratë është e rëndësishme në nxitjen e një mjedisi akademik gjithëpërfshirës dhe të larmishëm, duke ju ofruar hapësirë pranuese pedagogëve dhe studentëve queer pa frikë nga diskriminimi apo paragjykimi. Njëkohësisht kjo deklaratë do të ndihmojë në adresimin e barrierave sistematike të cilat kontribuojnë në pabarazinë në universitet.
Deklaratë nga Universiteti i Prishtinës
Në frymën e gjithëpërfshirjes, diversitetit dhe të drejtave të barabarta, ne njohim dhe festojmë Muajin e Krenarisë, si mundësi për të rikonfirmuar angazhimin tonë për të nxitur një mjedis gjithëpërfshirës brenda institucioneve akademike. Si Rektorat, ne besojmë fuqishëm në vlerën dhe dinjitetin e natyrshëm të çdo individi, pavarësisht nga orientimi seksual, identiteti gjinor ose karakteristikat tjera individuale.
Muaji i Krenarisë shërben si një kujtesë e fuqishme se lufta për të drejtat e personave LGBTQI+ nuk kufizohet në një kornizë kohore të caktuar, por kërkon përpjekje të vazhdueshme gjatë gjithë vitit. Si institucion i arsimit të lartë, është përgjegjësi e jona që të thyejmë paragjykimet dhe të krijojmë hapësirë të sigurt dhe mbështetëse për të gjithë anëtarët e universitetit tonë. Ne e njohim të drejtën e çdo individi për të tu trajtuar me respekt, drejtësi dhe dinjitet. Duke mbështetur aktivisht ngritjen e njohurive për tema që kulturalisht përcjellen me paragjykime dhe shtypje nga shumica e shoqërisë, ne synojmë të jemi katalizatorë promovojmë një ambient të shoqërisë ku individët mund të shprehin lirshëm identitetet e tyre, pa pasur frikë nga diskriminimi apo paragjykimi. Kjo nënkupton zbatimin e politikave që mbrojnë nga ngacmimet dhe garantimin që të gjitha aspektet e jetës universitare, duke filluar nga akademia e deri te aktivitetet jashtë programeve akademike, të jenë të qasshme dhe mikpritëse për të gjithë.
Ne e kuptojmë se përqafimi i të drejtave të grupeve të ndjeshme shkon përtej tolerancës së thjeshtë; kërkon avokimnë mënyrë aktive për barazinë dhe marrjen e një qëndrimi kundër homofobisë, transfobisë dhe çdo forme diskriminimi. Duke mbrojtur të drejtat e njeriut, ne ushqejme një mjedis që jo vetëm rrit mirëqenien dhe suksesin e studentëve, akademikëve dhe stafit tonë tanë që vijnë nga sfondi i ndjeshëm, por gjithashtu pasuron përvojën e përgjithshme arsimore për të gjithë.
Teksa festojme Muajin e Krenarisë dhe më tej, ne premtojmë mbështetjen tonë të palëkundur për të drejtat e njeriut. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të krijuar një mjedis universitar që vlerëson dhe respekton identitetet e ndryshme të të gjithë individëve. Së bashku, ne do të përpiqemi të krijojmë një të ardhme, ku dashuria, pranimi dhe barazia nuk festohen vetëm gjatë një muaji të caktuar, por përqafohen gjatë gjithë vitit, duke frymëzuar gjeneratën e ardhshme të liderëve, për të ndërtuar një botë që është me të vërtet gjithëpërfshirëse për të gjithë.
GËZUAR MUAJI I KRENARISË!