Java e Krenarisë shënohet sërish në Prishtinë nën slloganin ‘T’DU QASHTU QYSH JE’
Shumë njerëz të cilët pyesin pse Muaji i Krenarisë është ende i nevojshëm janë të pavëmendshëm për luftën në baza ditore të personave queer për clirim, njohje dhe ekzistencë. Ka shumë arsye pse muaji i Krenarisë është ende i nevojshëm. Ky muaj shërben si një kujtesë e fortë për betejat e personave queer kundër diskriminimit, pabarazisë dhe trajtimit çnjerëzor.. Poashtu, për shumë persona të tjerë ky muaj shërben si festë për këto beteja te fituara dhe çlirimin e tyre nga pritshmëritë heteronormative të familjes dhe shoqërisë.
Qershori njihet si muaji i Krenarisë në nderim të Kryengritjes të Stonewall-it të vitit 1969 në Manhatan dhe të gjitha kryengritjeve të cilat vazhduan pas saj. Këto kryengritje shërbyen si katalizator për lëvizjen për të drejtat e komunitetit queer dhe çuan në krijimin e grupeve të ndryshme aktiviste në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.
E përgjatë këtij muaji, në Prishtinë po shënohet Java e Krenarisë me ngjarje të ndryshme, të cilat do të fillojnë nga sot (e hënë), më 5 qershor, dhe do të zgjasin deri më 10 qershor, të shtunën – ditën kur edhe do të mbahet parada e përvitshme e krenarisë nisur nga “Sheshi Skënderbe”, e cila sivjet do të fillojë në orën 17:00.
Ecja do të bëhet nën slloganin ‘T’DU QASHTU QYSH JE’, pasi që Java e Krenarisë këtë vit përqëndrohet në shëndetin mendor me qëllimin t’ua rikujtojë të gjithë personave queer se nuk janë vetëm.
Jemi të entuziasmuar ta shohim komunitetin tonë dhe përkrahësit sa më të hareshëm e me plot ngjyra gjatë këtij muaji.
Më poshtë i gjeni aktivitetet të cilat do të ndodhin secilën ditë në kryeqytet gjatë Javës së Krenarisë. Në disa nga to ka prezencë të medieve, e në disa jo. Për ju që jeni të ndjeshëm ndaj këtij fakti, ju lutem referojuni fusnotës poshtë secilit event që informon në lidhje me formatin e ngjarjes. Krejt këto ngjarje janë të hapura dhe pa pagesë për të gjithë të interesuarit që duan t’i ndjekin.
Agjendën e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.