Vendimi i Gjykatës Evropiane thotë se Rumania shkeli të drejtat njerëzore të çifteve queer
Rumania po shkel të drejtat njerëzore të çifteve të të njëjtit seks duke refuzuar njohjen ligjore të marrëdhënieve të tyre – kështu ka vendosur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
Rumania aktualisht nuk i njeh partneritetet civile apo martesat midis çifteve të të njëjtit seks.
Të martën, më 23 maj, GJEDNJ vendosi se qeveria e Rumanisë ka shkelur nenin e tetë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare.
Vendimi u dha pasi që 21 çifte, të gjithë shtetas rumunë, të lindur ndërmjet viteve 1967 dhe 1996, parashtruan ankesa në GJEDNJ përgjatë viteve 2019 dhe 2020.
Në aplikimet e tyre, çiftet janë ankuar se nuk ka asnjë mënyrë për të mbrojtur ligjërisht marrëdhëniet e tyre në Rumani për shkak të mungesës së njohjes.
Secili prej çifteve ka njoftuar zyrat e tyre lokale të gjendjes civile duke shprehur synimin që kishin për t’u martuar, por kërkesat e tyre janë refuzuar sipas një neni që përcakton se martesat lejohen vetëm midis një burri dhe një gruaje.
Kërkesat e tyre poashtu janë refuzuar sipas një tjetër neni të veçantë, i cili thekson se martesat e të njëjtit seks janë “të ndaluara” në Rumani, shkruan PinkNews.
Çifteve të komunitetit LGBTQ+ në Rumani u janë mohuar të drejtat sociale dhe civile
Një shumicë prej shtatë gjyqtarësh përfundimisht kanë vendosur se Rumania po shkel nenin tetë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vendimin e saj, Gjykata ka thënë se shteteve anëtare në Bashkimin Evropian u kërkohet të ofrojnë ndonjë formë të njohjes ligjore për çiftet e të njëjtit seks bazuar në vendimet e kaluara.
Gjykata ka konstatuar se çiftet në qendër të kësaj çështjeje ligjore nuk kanë pasur mundësi të kenë qasje në shumë nga të drejtat sociale dhe civile të dhëna për çiftet heteroseksuale për shkak të mungesës së njohjes ligjore.
GJEDNJ ka hodhur poshtë argumentin e qeverisë rumune se këto të drejta mund të riprodhoheshin nga marrëveshjet kontraktuale private.
Në fund, GJEDNJ ka vendosur që kundërshtimi shoqëror ndaj martesave midis të njëjtit seks në Rumani nuk duhet të dominojë të drejtën e çifteve të të njëjtit seks për njohje ligjore të marrëdhënieve të tyre.
Përfundimisht, asnjë nga argumentet e qeverisë rumune nuk arriti të justifikonte ligjet kufizuese ndaj të drejtës njerëzore të çifteve queer për njohje ligjore të marrëdhënieve të tyre në atë shtet.
Vendimi vjen vetëm disa javë pasi ILGA-Europe (Rajoni Evropian i Shoqatës Ndërkombëtare për Lezbike, Gejë, Biseksualë, Transgjinorë dhe Interseksualë), e vlerësoi Rumaninë me rezultat prej vetëm 18 përqind për sa iu përket të drejtave të personave LGBTQ+ në vend.
Shteti rumun u rendit si një nga vendet më të këqija për të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në Evropë.
Në një sondazh të vitit 2019, 53 përqind e personave LGBTQ+ në Rumani thanë se “pothuajse kurrë nuk kishin dalë hapur” sa iu përket identitetit të tyre, ndërsa 23 përqind thanë se “rrallë kishin dalë hapur”.Në vitin 2022, qeveria rumune u sulmua kur prezantoi një projektligj të ashtuquajtur “propaganda” LGBTQ+, i cili do të ndalonte përdorimin e materialeve në shkolla që “promovojnë” të qenit queer.