Aktivistët: Narrativa e vazhdueshme anti-LGBTQ+ në RS të BiH e ka origjinën në Rusi
Fushata e vazhdueshme anti-LGBTQ+ në Banja Luka është pjesë e një përpjekjeje të autoriteteve në entitetin e Republikës Serbe (Republika Srpska) të Bosnje dhe Hercegovinës për të imponuar “politika autoritare”, duke përdorur një narrativë që “origjinën e ka në Rusi”, thanë aktivistët për kanalin televiziv N1.
Kohët e fundit, Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, ka njoftuar për një ligj që do të miratohet në entitet që parasheh t’i ndalojë personat LGBTQ+ të kenë qasje në institucionet arsimore. Kjo vjen menjëherë pasi aktivistët e komunitetit LGBTQ+ u sulmuan nga huliganët në Banja Luka, që është Qendra Administrative e entitetit, dhe deklaratave pasuese të Dodikut ku ai dënoi një tubim që aktivistët kishin planifikuar në qytet.
Sipas Drazhen Crnomat nga Qendra Sociale e Banja Lukës (BASOC), e cila u shkatërrua nga huliganët javën e kaluar, “dhuna kundër komunitetit LGBT po imponohet dukshëm në qytet” dhe komuniteti LGBT dhe mbështetësit e tyre po përndjeken.
Ai argumentoi se situata është rezultat i një përplasjeje ndërmjet autoriteteve dhe atyre që i kundërshtojnë, “atyre që kanë mendime të pavarura apo që kanë një burim të pavarur financimi“.
Ai tha se, për shkak të kësaj, viktimat e sulmeve të tilla nuk mund të presin që policia t’i mbrojë ata.
Emina Bosnjak, drejtoresha e Qendrës së Hapur të Sarajevës (Sarajevo Open Center), tha se kohët e fundit ka pasur progres të dukshëm sa i përket të drejtave të komunitetit LGBT në vend, por se në Republikën Serbe është një fushatë e vazhdueshme anti-LGBT në këto kohë.
“Është narrativë dhe politikë që origjinën e ka në Rusi e që u përhap në disa vende të Evropës Qendrore, e tillë është parë edhe në Poloni dhe Hungari,” tha ajo, duke argumentuar se grupet shoqërore më të cenueshme, siç është komuniteti LGBT, po përdoren për të imponuar “politika autoritare”.
“Ajo që po shohim sot është e tmerrshme dhe për disa është vetëm një mundësi për të qëndruar në pushtet, pavarësisht faktit se ata po bëjnë thirrje për dhunë”, tha Bosnjak.
Aktivistët nga Banja Lluka kanë nisur tashmë me padi kundër atyre që janë përgjegjës për thirrjet për dhunë, si dhe atyre që qëndrojnë drejtpërdrejt pas sulmit, tha ajo, duke shtuar se këtu përfshihen gjithashtu politikanë si presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik, dhe kryetari i Banja Lukës, Drashko Stanivukoviq.
Bosnjak komentoi edhe projektligjin kontravers, duke thënë se “nuk ka kuptim”.
“Sepse asnjë organizatë, edhe në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nuk ka qasje në shkolla nëse nuk ka miratim nga Ministria e edhe nga shkolla,” shpjegoi ajo.
Ajo argumentoi se aktivistët e komunitetit LGBTQ+, tashmë nuk kanë qasje në shkolla dhe se kjo nismë përfaqëson “një sinjal të një qeverie autoritare që praktikon rreptësi ndaj të pafuqishmëve dhe eventualisht çon në anulim të lirisë së shprehjes dhe lirisë së identitetit”.