Ҫmontim i hipokrizisë politike të Duda Baljes
Karriera politike e Duda Baljes është ndërtuar në kauzën e mbrojtjes të dy indetiteteve të cilat i përfaqëson: të drejtat e grave dhe të drejtat e minoriteteve etnike në Kosovë. Mirëpo, Duda Balje, deputete, dhe kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, me deklaratat e saj na ka treguar shumë herë se është kundër të drejtave të personave LGBTQ+ dhe nuk i sheh të barabartë para ligjit si të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Kosovës.
Pse mbrojtja e të drejtave të pakicave etnike, e jo të personave LGBTQ+, quhet hipokrizi, dhe pse Duda Balje është hipokrite?
Duda Balje përfaqëson komunitetin etnik boshnjak në Kosovë, komunitet i cili është pakicë e që iu sigurohet përfaqësimi politik, dhe iu njihet identiteti dhe gjuha, e të cilët rrjedhimisht janë kundër etnocentrizmit nga i cili kanë vuajtur shumë pakica kombëtare nëpër botë nga mentaliteti dhe pushteti shtypës i shumicës së privilegjuar. Pra, etnocentrizmi ndan të njëjtat vlera me homofobinë, dhe Duda Balje nuk mund ta kundërshtojë etnocentrizmin, e në anën tjetër të përkrahë homofobinë.
Etnocentrizmi është një lloj paragjykimi që përfshin vëzhgimin dhe gjykimin e kulturave të ndryshme të botës përmes prizmit të një kulture të vetme.
Etnocentrizmi supozon se grupi më i madh etnik (grupi me të cilin identifikohen shumica) është norma, ndërkaq grupet e tjera më të vogla, apo nëngrupet, duhet të gjykohen bazuar në sjelljet që shihen si të pranueshme dhe ideale nga grupi më i madh.
Një aspekt se si manifestohet etnocentrizmi është nëpërmjet besimit se mënyra se si janë gjërat në një kulturë, është mënyra e duhur dhe disi superiore ndaj të tjerave. Ky qëndrim nënkupton gjithashtu se kulturat e tjera janë inferiore dhe se veprimet e tyre janë të pasakta. Kështu mendon edhe Duda, një heteroseksuale (grupi i saj), karshi personave joheteroseksualë (grupi tjetër).
Homofobia është tërësia e qëndrimeve dhe ndjenjave negative ndaj njerëzve që identifikohen ose perceptohen si lezbike, gej ose biseksualë.
Ku takohen etnocentrizmi dhe homofobia:
– Vlerat e përbashkëta konservatore: Etnocentrizmi dhe lëvizjet anti-LGBTQ+ ndajnë vlera konservatore si rolet tradicionale gjinore, respektimi i rreptë i normave fetare ose kulturore, dhe kundërshtimi ndaj ndryshimeve progresive shoqërore. Të dy lëvizjet sulmojnë grupet e margjinalizuara, duke përfshirë individët LGBTQ+ dhe grupet e pakicave etnike.
– Aleancat politike: Lëvizjet etnonacionaliste dhe anti-LGBTQ+ krijojnë aleanca politike bazuar në qëllimet dhe vlerat e tyre të përbashkëta. Për shembull, disa parti politike të ekstremit të djathtë në Evropë kanë krijuar aleanca me grupet anti-LGBTQ+ si pjesë e platformës së tyre më të madhe kundër emigrantëve.
– Nacionalizmi si një forcë bashkuese: Nacionalizmi përdoret si një forcë unifikuese si për lëvizjet etnonacionaliste, ashtu edhe për lëvizjet anti-LGBTQ+, pasi krijon një ndjenjë përkatësie dhe identitet të përbashkët vetëm në mes të shumicës dhe të privilegjuarëve. Kjo forcë ushqehet me ndjenjën e superioritetit të një grupi shumicë ndaj një grupi tjetër më të vogël.
Shembuj nga bota të ndërlidhjes midis etnonacionalizmit dhe homofobisë:
Gjatë historisë nëpër botë kemi shembuj të shumtë të marrëdhënies midis etnocentrizmit dhe lëvizjeve anti-LGBTQ+. Ja disa prej tyre :
– Gjermania naziste: Regjimi nazist në Gjermani synonte dhe persekutonte individët LGBTQ+, duke i konsideruar si “të degjeneruar” dhe një kërcënim për “racën ariane”. Ata u arrestuan, u torturuan dhe u vranë në kampet e përqendrimit së bashku me hebrenjtë, romët dhe pakicat e tjera. Meqë Duda Balje ka përkatësi boshnjake, duhet t’ia rikujtojmë se përveç që ka boshnjak LGBTQ+, gjatë Gjermanisë Naziste boshnjakët heteroseksualë dhe gejë kanë pasur një armik të përbashkët. Marrëdhënia mes nazistëve dhe myslimanëve boshnjakë ka qenë e ndërlikuar. Ndërsa nazistët fillimisht i panë ata si aleatë të mundshëm, i panë gjithashtu edhe si inferiorë ndaj tyre për shkak të trashëgimisë jo-evropiane dhe besimit islam. Disa zyrtarë të lartë nazistë gjithashtu mbanin stereotipe negative për muslimanët, duke i parë ata si fanatikë dhe të prapambetur. Deri në fund të luftës të dytë botërore, muslimanët boshnjakë iu nënshtruan të njëjtit trajtim brutal si grupet e tjera të shënjestruara nga nazistët, që i karakterizoheshin nga dhuna dhe shtypja. Ndërsa muslimanë boshnjakë të tjerë bashkëpunuan me nazistët, shumë të tjerë rezistuan dhe luftuan kundër tyre, u arrestuan dhe u dërguan në kampet e përqendrimit.
– Rusia: Vitet e fundit, Rusia ka dëshmuar rritje të lëvizjeve etnonacionaliste dhe anti-LGBTQ+. Në vitin 2013 u miratua ligji që ndalon “propagandën e marrëdhënieve seksuale jotradicionale”, i cili ka çuar në rritjen e diskriminimit dhe dhunës ndaj personave LGBTQ+. Në Rusi poashtu është e ditur se diversiteti etnik ka qenë burim dhe nxitës i konfliktit për shekuj me radhë dhe mbetet aspekt kryesor i jetës politike ruse sot me qëllim të supermacisë ndaj grupeve të tjera etnike.
– Turqia: Në Turqi, partia në pushtet ka promovuar një agjendë etnonacionaliste që përfshin armiqësi ndaj grupeve etnike. Ndër këto grupe etnike janë kurdët dhe armenët të cilët edhe sot vazhdojnë të shtypen nga pushteti. Në anën tjetër, nga i njëjti pushtet, individët LGBTQ+ në Turqi janë përballur me dhunë dhe diskriminim të intensifikuar viteve të fundit.
– Shtetet e Bashkuara: Në Shtetet e Bashkuara, lëvizjet etnonacionaliste si nacionalizmi i njerëzve të bardhëve, kanë qenë të lidhura ngushtë me lëvizjet anti-LGBTQ+. Shumë grupe të cilët proklamojnë supermacinë e të bardhëve ndaj racave të tjera kanë deklaruar në mënyrë eksplicite se i shohin personat LGBTQ+ si një kërcënim për racën e bardhë, dhe kanë bërë thirrje për përjashtimin e tyre nga shoqëria.
Duda Balje përveç mbrojtjes të të drejtave të minoriteteve etnike, në këtë rast të boshnjakëve në Kosovë, pretendon se mbron edhe të drejtat e grave dhe lufton për barazi.
Pse mbrojta e njërit grup e jo e tjetrit është hipokrizi?
Lëvizja LGBTQ+ dhe lëvizja për të drejtat e grave ndajnë shumë qëllime dhe përvoja të përbashkëta, kjo është arsyeja pse ato ndërlidhen me njëra-tjetrën. Disa prej arsyeve:
– Lufta e përbashkët kundër shtypjes: Të dyja lëvizjet kanë një histori të përbashkët të luftës kundër shtypjes, diskriminimit dhe margjinalizimit. Gratë kanë luftuar për të drejtat e tyre me shekuj dhe komuniteti LGBTQ+ është përballur me diskriminim të madh ligjor dhe social për dekada të tëra.
– Ndërthurja:
Ka shumë gra në mesin e komunitetit LGBTQ+ të cilat kanë përjetuar seksizëm dhe diskriminim për shkak të identitetit ose shprehjes së tyre gjinore. Ndërthurja është koncepti që forma të shumta të shtypjes kryqëzohen dhe nuk mund të kuptohen veçmas. Përmes ndërthurjes kuptohen përvojat unike të individëve që përballen me diskriminim bazuar në gjininë, etninë dhe orientimin e tyre seksual.
– Lufta për autonomi trupore: Të dyja lëvizjet luftojnë për të drejtën e autonomisë trupore dhe integritetit trupor. Gratë kanë luftuar prej kohësh për të drejtat riprodhuese dhe autonomi mbi trupat e tyre, dhe komuniteti LGBTQ+ ka luftuar për të drejtën për të shprehur identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual pa frikë nga dhuna apo diskriminimi.
Prandaj është e rëndësishme që Duda Balje dhe personat të cilët ndajnë të njëjtat mendime si ajo, të reflektojnë dhe t’i qasen në mënyrë kritike problemeve, duke anashkaluar popullizmin i cili shkakton përçarje dhe urrejtje.
Të drejtat e njeriut nuk janë çështje mendimesh e pikëpamjesh personale! Mohimi i të drejtave të njeriut ndaj personave LGBTIQ+ kontribuon në shtypjen sistematike ndaj tyre, asgjësimin e përvojave të tyre dhe çnjerëzimin e këtij grupi të shtypur shoqëror.