Reagime anekënd Britanisë së Madhe pasi vajza trans Brianna Ghey u vra me thikë në park
Paralajmërim: Ky postim diskuton vrasjen, therrjen dhe bullizmin dhe përmbajtja e mëposhtme mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues.
Një djalë dhe një vajzë, të dy 15 vjeç, janë arrestuar të dyshuar për vrasjen e një 16-vjeçareje, e cila u vra me thikë në një park.
Brianna Ghey, 16 vjeç, u gjet e vdekur në Linear Park në Culcheth, Warrington, Cheshire, të shtunën.
Shërbimet e urgjencës u thirrën vetëm pasi ajo u gjet e shtrirë në një shteg me plagë me thikë.
Brianna ishte një vajzë transgjinore, por detektivët thanë se nuk kishte prova që të sugjeronin se vrasja e saj ishte një krim urrejtjeje. Shoqëria e saj e ngushtë dhe aktivistët në Britani po thonë të kundërtën duke treguar se Brianna ishte cak i ngacmimeve transfobike prej vitesh.
Brianna-s i janë bërë homazhe, me një person që e përshkruan atë në rrjetet sociale si një “engjëll i ëmbël” dhe një “vajzë e bukur”.
Një nënë, Sharon Cawley, shkroi në Facebook për të ndarë ngushëllimet dhe mbështetjen e saj për familjen e Brianna-s në një mesazh prekës që ajo postoi.
Ajo shkroi: “Unë e kam vendosur postimin tim në Facebook (të hapur) për publikun me shpresën që kjo disi të arrijë tek ju, dhe ju e dini që ka qindra nëna dhe baballarë që mendojnë për ju dhe dhimbjen tuaj, nuk ka fjalë për të filluar e çfarë të them tani.
“Vajza jote, Brianna, një vajzë e re kaq e bukur, do të mbetet në zemrën time çdo ditëlindje që ka vajza ime; Do të mendoj për të dhe ty me kalimin e viteve dhe kur të hekuros këmishën e shkollës të dielën në mbrëmje, do të jesh në mendimet e mia.”
Mësuesja kryesore në shkollën e mesme të komunitetit Birchwood, Emma Mills, ku Brianna ishte një nxënëse, tha: “Jemi të tronditur dhe vërtet të shkatërruar kur kemi dëgjuar për vdekjen e Brianna-s.
“Kjo është e kuptueshme një kohë shumë e vështirë dhe shqetësuese për shumë njerëz dhe ne do të bëjmë çmos për të mbështetur nxënësit tanë dhe komunitetin e gjerë të shkollës.”
Deputetja laburiste Jess Phillips shkroi në Twitter se vdekja e Brianna ishte “tërësisht tragjike” dhe u dërgoi prindërve të saj “dashuri” për “humbjen e tyre të paimagjinueshme”.
Ndërsa vigjiljet zhvillohen në të gjithë vendin, shumë kanë theksuar se Ghey do të referohet gabimisht ndaj gjinisë së saj në vdekje pasi gjinia e saj nuk njihej ligjërisht përderisa ishte gjallë.
Sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar, vetëm ata të moshës 18 vjeç e lart mund të marrin një GRC (çertifikatë) e cila lejon që gjinia e një personi trans të regjistrohet në certifikatat e lindjes, vdekjes, martesës dhe partneritetit civil.
Ndërkohë në rrjetet sociale ka filluar një fushatë me hashtag #DignityForBrianna me qëllim që Ghey të fitojë një GRC pas vdekjes.
Një person kujton se u pushtua nga “trishtimi i cili u shndërrua me shpejtësi në një zemërim të zjarrtë” kur kuptoi se Ghey kishte vdekur pa iu ofruar ndonjëherë mundësia e njohjes gjinore.
“Vendosa ta kanalizoj atë në diçka që mund ta ndihmojë atë të marrë dinjitetin që meriton”, tha Mimi për PinkNews.
“Të gjithë, përveç njerëzve trans, e marrin si të mirëqenë se në vdekje do të kenë dinjitetin të kujtohen për atë që kanë qenë në jetë. Nëse një person trans nuk ka një GRC, atëherë kjo është diçka që nuk lejohet, veçanërisht nëse është nën 18 vjeç.”
Brianna Ghey ishte krenare që ishte trans dhe do të fliste për identitetin e saj në TikTok.
Miqtë kanë folur për mënyrën se si ajo do të ndante këshilla me gra të tjera të reja trans dhe ishte “vazhdimisht në kërkim” për bashkëmoshatarët e saj.
Një mik i tha Vice: “Ajo më ndihmoi të gjeja mënyra për qasje në kujdesin mjekësor për tranzicionin tim në mënyrë të sigurt. Ajo gjithmonë do të sigurohej që ne të ishim në duar të mira.”