Tu e lexu qitash
Rusia urdhërohet të njohë ligjërisht lidhjet e të njëjtit seks nga Gjykata më e lartë e Evropës
Nale Dheze

Rusia urdhërohet të njohë ligjërisht lidhjet e të njëjtit seks nga Gjykata më e lartë e Evropës

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka urdhëruar Rusinë të njohë partneritetet e të njëjtit seks, por nuk ka gjasa që Rusia të zbatojë mbrojtje për çiftet queer.

Vendimi erdhi si përgjigje pas një lufte të gjatë nga tre çifte queer për njohje ligjore dhe mbrojtje pasi atyre iu mohua e drejta për t’u martuar nga Rusia, njofton Pinknews.

Aplikantët fillimisht ishin refuzuar nga ofiqarët rus mbi bazën se Kodi i Familjes Ruse e përcakton martesën si një “bashkim vullnetar martesor midis një burri dhe një gruaje”.

GJEDNJ vendosi të mërkurën (18 janar) se Rusia kishte obligim për të vënë në dispozicion të çifteve të të njëjtit seks mbrojtje ligjore ekuivalente ndaj martesës sipas nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në mungesë të barazisë martesore, gjykata konstatoi se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë detyrim të vendosin një “kornizë specifike ligjore” për njohjen dhe mbrojtjen e çifteve të të njëjtit seks.

Rusia pushoi së qeni palë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në shtator 2022 si rezultat i përjashtimit të saj nga Këshilli i Evropës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, gjykata ruan juridiksionin mbi kërkesat e paraqitura përpara kësaj date.

Rusia argumentoi se shtrirja e martesës me çiftet e të njëjtit seks do të ishte “në kundërshtim me Kushtetutën dhe politikën publike ruse” dhe se shtimi i çdo forme tjetër të bashkimit ligjor do të ishte “i paarsyeshëm nga një këndvështrim ligjor”. Gjithashtu, u argumentua se “familja në formën e saj tradicionale ishte një vlerë themelore e shoqërisë ruse” pasi “është e lidhur thellësisht me qëllimin e ruajtjes dhe zhvillimit të racës njerëzore”.

Megjithatë, gjykata vendosi se këto argumente nuk ishin të mjaftueshme për t’i mohuar çifteve të drejtat e tyre. Gjithashtu, arriti në përfundim se Rusia “tejkaloi kufirin e saj të vlerësimit dhe nuk ka përmbushur plotësisht detyrimin e saj pozitiv për të siguruar të drejtën e aplikantëve për respektimin e jetës së tyre private dhe familjes”.

Pierre Karleskind, nënkryetar i Ndërgrupit LGBTI, tha se “drejtësia është arritur në të gjithë zonën e Këshillit të Evropës” për shkak të vendimit.

“Ky vendim gjykate kristalizon atë që komuniteti LGBTIQ+ ka bërë të ditur prej vitesh: që marrëdhëniet e tyre meritojnë po aq të drejtë për njohje (dhe mbrojtje) ligjore sa çdo çift tjetër,” tha Karleskind.

“Duke pasur parasysh këtë, ne do të vazhdojmë të avokojmë që vendet e mbetura anëtare të BE-së të bëjnë përparim drejtë respektimit dhe zbatimit të këtij interpretimi të gjykatës.”

Aktualisht, gjashtë shtete anëtare të BE-së – Bullgaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia – nuk ofrojnë asnjë kuadër ligjor për njohjen e marrëdhënieve të të njëjtit seks.

Maria Walsh, e cila është gjithashtu nënkryetare e Ndërgrupit LGBTI, e quajti vendimin një “ditë të lavdishme për komunitetin tonë dhe energjinë e tyre të pashterur”.

“Ky vendim mund të konsiderohet vetëm si një qëndrim kategorik se ku qëndron kontinenti ynë evropian,” tha Walsh.

“Është koha e fundit që familjet e ylberit të marrin mbrojtjen dhe njohjen që meritojnë, dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë presion për të siguruar që ky gjykim një ditë do të përkthehet në një njohje të detyrueshme të marrëdhënieve në rastet ndërkufitare.”

Megjithatë, është pothuajse e sigurt që Rusia nuk do zbatojë vendimin e gjykatës duke qenë se edhe në të kaluarën ka injoruar urdhrat për çështjet LGBTQ+.

Në vitin 2017, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se ligji i Rusisë për “propagandën LGBTQ+” është diskriminues, nxit homofobinë dhe shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky ligj e ka kriminalizuar shpërndarjen e informacionit për identitetet dhe njerëzit LGBTQ+ tek të miturit. Rusia e injoroi vendimin dhe e mbajti ligjin në fuqi, madje duke zgjeruar kufirin e moshës në dhjetor 2022.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top