Për herë të parë në Indi, një shtëpi botuese queer merr pjesë në Panairin e Librit
Revolucioni po ndodh në Indi, në qytetin Chennai, në Panairin e 46-të të Librit. Në tezgën numër 28, kalimtarët ndalojnë me kuriozitet dhe disa nga pjesëmarrësit e tjerë të tezgave ndalojnë për të biseduar me ata që menaxhojnë hapësirën.
Në shtand shkruan Queer Publishing House (Shtëpia Botuese Queer). Ka pamje disi të ngushtuar anash, pasi që është shtyrë ca tutje. Mirëpo aktivistja dhe shkrimtarja transgjinore, Grace Banu, dhe ekipi i saj i përbërë nga gra dhe burra trans vazhdojnë të mbajnë qëndrim të fortë aty. Së fundmi, në rrjete sociale ajo postoi lajme se në panair ka hasur në komente transfobike.
Kjo është hera e parë që shtëpia e tyre botuese që përfaqëson komunitetin queer, ka vendosur një tezgë në ngjarjen prestigjioze, që ka mbi 1000 tezga. Në hyrje ndodhet një statujë e Budës që mban logon e shtëpisë botuese, që simbolizon pranimin në shoqëri. Ka perde muri të varura që përfaqësojnë flamurin e krenarisë dhe tavani është zbukuruar me pëlhura të versionit të përditësuar të flamurit queer, të titulluar Progress Pride Flag.
Gazeta e përditshme indiane në gjuhën angleze, The Hindu, ka intervistuar Grace-in në hark kohor prej dy ditësh, dhe ka arritur të sjellë informacione rreth punës së tyre në këtë panair, dhe jo vetëm. Grace drejton Kolektivin Trans Rights Now, që ka mbi 70 burra dhe gra trans nga e gjithë India, dhe për të diskriminimi nuk është diçka e re.
“Kur shkrova librin tim të parë Talks Of Grace Banu, shkova nga një botues në tjetrin, vetëm për t’u përballur me të njëjtin lloj trajtimi diskriminues,” ka thënë ajo.
Në fund ajo vendosi ta publikonte vetë librin e saj, në vitin 2019. Gjatë një diskutimi me krahun e Arteve dhe Kulturës të organizatës së saj, vitin e kaluar, ajo zbuloi se disa anëtarë nga komuniteti ndanin të njëjtën shpresë për t’u bërë shkrimtarë një ditë.
“Ajitha, një grua trans nga qyteti industrial indian Kovilpatti, tha se donte të botonte një libër me poezitë e saj,” kishte deklaruar Grace. Ky ishte momenti kur Grace mendoi, pse të mos fillonin shtëpinë e tyre botuese?
“Nuk doja që njerëzit e mi të kalonin të njëjtin diskriminim me të cilin u përballa unë kur kërkoja botues për librin tim,” kishte thënë ajo. Pikërisht atëherë, Shoqata e Librashitësve dhe Botuesve të Indisë Jugore (BAPASI) dërgoi një njoftim për panairin e tyre vjetor të librit dhe gjithçka ra në vend të vet.
“Por nuk ishte e lehtë të sigurohej një tezgë,” tha Grace. U desh që ekipi i saj të përfshihej duke ecur para e mbrapa në zyrat e organizatorëve. Shtëpia Botuese Queer u nis me tre tituj në gjuhën tamile: një përmbledhje me poezi nga Ajitha, Arun Karthik dhe Neha, dhe një aktore transgjinore që fitoi çmimin Kerala State Film Award vitin e kaluar.
Në tezgë, Grace ka kuruar 50 tituj në gjuhët tamile, malajalame dhe anglisht, të shkruar nga dhe për komunitetin LGBTQ+.
Grace poashtu tha se “kur fillova të flisja me botuesit për të kërkuar tituj, kuptova se shumë vepra të komunitetit tonë nuk ishin botuar. Ky ishte një zbulim shqetësues. Na e kishin humbur bazën tonë të të dhënave; Historinë tonë!”
Kështu Grace e kuptoi se kishte shumë punë përpara që duhej të bënte.
“Tani po i kthej ato vepra përmes Shtëpisë Botuese Queer. Shpresuam të kishim 100 tituj në panair, por arritëm të siguronim vetëm 50. Kemi arritur të sigurojmë një tezgë tek në panairin e 46-të të librit. Që i bie se është gati gjysmë shekulli mohim i komunitetit”, ka thënë Grace.
Disa nga titujt janë We Are Not The Others, Kuri Aruthaen nga Kalki Subramaniam, Vellai Mozhi nga A Revathi, I Am Vidya nga Living Smile Vidya, etj.