Të paktën pesë të vdekur dhe 18 të plagosur nga të shtënat në një klub nate LGBTQ+ në Kolorado
Një person i armatosur ka vrarë pesë persona dhe ka plagosur 18 të tjerë në një klub gej në shtetin amerikan të Kolorados mbrëmjen e së shtunës.
Një i dyshuar për këto sulme është në paraburgim. Policia e Kolorados Springs ka thënë se morën një telefonatë urgjente për sulme në orën 23:57 të shtunën. I dyshuari është gjetur brenda klubit kur policia ka hyrë brenda.
Policia nuk ka sugjeruar menjëherë motive për të shtënat dhe tha se numri i të vdekurve dhe të plagosurve mund të ndryshojë derisa hetimet vazhdojnë.
Klubi po organizonte një festë vallëzimi në atë kohë dhe ishte planifikuar të zhvillohej një performancë të dielën në mbrëmje për të festuar Ditën e Përkujtimit të Transgjinorëve.
Në vitin 2016, 49 persona u vranë nga të shtënat në një klub gej në Florida.
Kolorado Springs është një vend me rreth 500,000 banorë në jug të Denverit, është një bastion i republikanëve dhe për dekada ka qenë qendër e përpjekjeve konservatore të krishtera për të miratuar ligje që kufizojnë të drejtat LGBTQ+. Ajo ka qenë shtëpia e një numri udhëheqësish fetarë me platforma kombëtare që kanë dënuar homoseksualitetin.