Prishtina Pride 2022 në retrospektivë
Përderisa po bëhemi gati për fillimin e përgatitjeve të programit të Javës së Krenarisë 2023, po i kujtojmë aktivitetet e programit të këtij viti të organizuara në Prishtinë në kuadër të Javës së Krenarisë.
Këtë vit, Dylberizm ju bashkua Grupit Organizativ të Prishtina Pride për të kuruar një program alternativ me ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike.
Për të e shpërndarë programin e Krenarisë përtej kryeqytetit, Dylberizm gjatë muajit maj ka organizuar 4 shfaqje të filmave të shkurtë në rajone të ndryshme të Kosovës.
Filmat të cilët janë shfaqur janë me regji të artistëve kosovar dhe prodhime të programeve të ndryshme të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest. Filmat janë shfaqur në Prizren në Kino Lumbardhi; Pejë në kinemanë “Jusuf Gërvalla”; Mitrovicë në Qendrën Shoqnore për Dekonstruksion dhe në Prishtinë në Kino Armata.
Këto shfaqje të filmave janë të rëndësishme për kolektivin e aktivistëve të Dylberizm jo vetëm për të shpërndarë informatën për Prishtina Pride, mirëpo edhe për të synuar decentralizimin e lëvizjes queer në Kosovë duke iu ofruar hapësira të sigurta personave të cilët nuk janë cis-heteroseksual e që jetojnë jashtë Prishtinës.
Përmbledhjen e plotë të këtyre ngjarjeve mund ta gjeni në këtë vegzë.
Në bazë të përvojave të ndara nga personat queer të cilët jetojnë në rajonet tjera të Kosovës, Dylberizm në bashkëpunim me Katarzë Films ka përgatitur një video promovuese të Javë së Krenarisë.
Videoja përmbledhë bukurinë e të qenit queer, në një ambient të sigurt, i cili në shumicën e rasteve në Kosovë, është një dhomë.
Këtë vit, në Javën e Krenarisë në Prishtinë, e kemi shtjelluar përvojën e personave LGBTQ+ në familjet tona.
Të rritesh si një fëmijë jo-heteroseksual e cisgjinor në një familje kosovare, në shumicën e rasteve është si të rritesh në një familje “të huaj”. Izolohemi brenda vetës, krijojmë një fasadë të pranuar nga anëtarët tjerë të familjes, vetëm që të ndihemi të sigurt, përderisa i dëgjojmë ata duke thënë se njerëzit si ne janë njerëz të fëlliqur, të sëmurë e të mallkuar. Ata/ato që guxojnë t’ju tregojnë mbi identitetin e tyre të vërtetë, në shumicën e rasteve abuzohen mentalisht e fizikisht, e përjashtohen nga ky ambient të cilën e quajmë familje.
Prandaj, shumica nga ne, marrim rrugë tjetër për ta gjetur familjen tonë të vërtetë. Aty ku mund të jemi plotësisht vetja, e ku na dojnë për atë që jemi. Kjo përvojë është vizuelizuar nga Katarzë Films në videon e radhës të prodhuar në kuadër të Javës së Krenarisë 2022.
Më 06/06/2022 në ora 18:00 në objektin e qeverisë të Republikës së Kosovës është hapur zyrtarisht Java e Krenarisë në Prishtinë nën slloganin “Edhe n’shtet edhe n’familje”.
Në hapjen zyrtare përveç organizatave, kolektiveve dhe aktivistëve/eve të pavarur/a të grupit organizativ të pranishëm ishin edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu; Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë; Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier; Shefi i Zyrës të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Sunjog, të cilët u drejtuan të pranishmëve dhe mediave me nga një fjalë rasti.
“Java e Krenarisë është dëshmia më e pastër e guximit të personave të komunitetit LGBTIQ+ për të sfiduar narrativën e dëmshme, për t’u ballafaquar me ata që i luftojnë, për ta përqafuar plotësisht atë se kush janë, dhe për të shprehur hapur gatishmërinë për të bashkëpunuar e në të njëjtën kohë për të dashuruar çdo njeri në çdo rrethanë.”
tha ndër të tjera Presidentja Osmani në fjalimin e saj.
Përmbledhjen e plotë të kësaj ngjarje mund ta gjeni në këtë vegzë.
Më 8 qershor në Fondacionin Shtatëmbëdhjetë u organizua diskutimi rreth shëndetit mendor të personave LGBTIQ+. Ky diskutim u moderua nga Bind Skeja, Themelues i Linjës së Jetës, ndërsa pjesë e panelit ishin edhe Nol Musa nga Support Group Kosova dhe Lirije Lokaj, Psikologe Klinike nga Klinika Uni. Në këtë diskutim janë ftuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, mirëpo nuk i janë përgjigjur ftesës.
Në këtë ngjarje u diskutua për ndikimin e mos pranimit të familjes në shëndetin mendor të personave LGBTIQ+, mekanizmat të cilat mund t’i përdorim për ta ruajtur shëndentin mendor në rrethana kur të duhet ta fshehësh identitetin gjinor dhe orientimin seksual për shkak të rrethit, mungesën e statistikave rreth cështjeve LGBTIQ+ në Kosovë, dhe rëndësinë e ndarjes së profesionalizmit nga bindjet personale të psikologëve në Kosovë të cilët në shumicën e rasteve, sidomos jashtë Prishtinës janë homofob, bifob dhe transfob.
Përmbledhjen e plotë të kësaj ngjarje mund ta gjeni në këtë vegzë.
Në të njëjtën ditë, kolektivi Hyjneshat në bashkëpunim me kolektivin Genevegas nga Zvicra kanë organizuar nejën queer me performanca të artistëve dhe dj queer nga Kosova dhe Zvicra.
Përmbledhja e kësaj ngjarje ishte edhe videoja më e shikuar gjatë Javës së Krenarisë, e prodhuar poashtu nga Katarzë Films.
Aktiviteti i radhës ishte diskutimi për situatën e grave trans në Kosovë dhe brenda lëvizjes. Për shkak të patriarkatit dhe transfobisë të cilat mbizotërojnë në Kosovë, gratë trans vazhdojnë të jenë një nga grupet shoqërore më të shtypura dhe të guximshme në të njëjtën kohë, si brenda edhe jashtë lëvizjes LGBTIQ+.
Diskutimi u fokusua në të drejtat dhe pranimin e grave trans, solidaritetin në mes tyre, dhe sfidat e tyre në një shoqëri e cila i glorifikon burrat cis-straight. Në këtë diskutim morën pjesë Qerkica, një nga nismëtaret e lëvizjes queer në Kosovë, Barbie, aktiviste dhe mbretëreshë drag, dhe Viki, aktiviste dhe mbretëreshë drag poashtu. Diskutimi u moderua nga një nga aktivistët më të zëshëm për çështjet queer, Agon Rexhepi.
Përmbledhjen e plotë të kësaj ngjarje mund ta gjeni në këtë vegzë.
Java e Krenarisë u përmbyll me mbajtjen e Paradës së Krenarisë, e cila ishte Parada e gjashtë me radhë e organizuar në Kosovë.
Parada është dokumentuar nga Dylberizm dhe Katarzë Films përmes kësaj videoje përmbledhëse.
Ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit fjalimi përmbyllës i Javës së Krenarisë u mbajt nga Shemsije Qerkini, një nënë kosovare e cila ka ndarë me të pranishmit mesazhin e saj si një nënë krenare e një djali gej.
Fjalimin e plotë të zonjës Qerkini mund ta gjeni më poshtë.
Pas fjalimit të nënës Shemsije, ngjarja ka vazhduar me koncertin “Krejt bashkë” në të cilin kanë performuar Jimmy Mustafa Band, Zwada, Tuna, Matale dhe Rebiswan.
Koncerti është dokumentuar në këtë video.
Prodhimi i materialeve përmbledhëse, duke përfshirë artikujt dhe videot, është bërë i mundur me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës. Përmbajtja është përgjegjësia e vetme e Dylberizm dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Zvicrës. Sponsor fiskal i mbështetjes ishte Instituti Sekhmet.