Mijëra persona protestuan në Bratislavë për të nderuar 2 burra gej të vrarë me armë zjarri
Presidentja e Sllovakisë i është bashkuar mijëra protestuesve për të nderuar dy burra gejë që u qëlluan për vdekje në kryeqytet në fillim të kësaj jave, dhe për ta shfaqur mbështetjen e saj për komunitetin LGBTQ+.
Qindra njerëzi ndezën qirinj në vendin ku ndodhën të shtënat përpara se të marshonin në një nga sheshet qendrore të Bratislavës. Policia tha të premten se po i hetojnë vrasjet si krime të urrejtjes.
Në fjalimin e saj para turmës, Presidentja Zuzana Caputova u kërkoi personave LGBTQ+ falje “për shkak të pamundësisë për tu ndje të sigurt në Sllovaki”.
“Ju përkisni këtu dhe keni vlerë për shoqërinë tonë,” tha ajo.
Caputova dhe kryeministri Eduard Heger u bënë thirrje politikanëve të tjerë të enjten që të zgjedhin me kujdes fjalët e tyre. Disa politikanë, përfshirë edhe nga koalicioni qeverisës, kanë bërë komente nënçmuese për komunitetin LGBTQ+.
Policia tha se dy burra të moshës 23 dhe 26 vjeç u vranë të mërkurën në mbrëmje përpara një bari queer, i cili është vend i njohur për komunitetin lokal LGBTQ+ në qendër të Bratislavës. Një 28-vjeçare ka pësuar lëndim në këmbë.
I dyshuari 19-vjeçar i identifikuar si Juraj K. është gjetur i vdekur mëngjesin e së enjtes. Policia tha se ai ka të ngjarë të ketë qëlluar me armë veten.
I dyshuari postoi një tekst racist në Twitter duke shprehur urrejtje për hebrenjtë dhe njerëzit LGBTQ+, dhe bëri postime në lidhje me të shtënat.
Sllovakia është një bastion i katolikëve romakë në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku çiftet e të njëjtit seks nuk mund të martohen ose të regjistrojnë partneritetin e tyre.
Lajmi është publikuar nga ABC News dhe është përkthyer në shqip nga Dylberizm.