GIMI, artisti kosovar që po sfidon narrativën e identitetit kosovar
Përveç motit me shi, xhaketave dhe kungullit, vjeshta njihet edhe si sezonë e publikimit të krijimeve artistike muzikore. Kështu është edhe për artistin e ri queer kosovar, GIMI i cili së fundmi ka publikuar këngën e re me titull “Worth the Calories”.
GIMI është një artist, kompozitor dhe producent kosovar, i cili jeton në Kopenhagë, Danimarkë. Ai do ta publikoj EP-në e tij debutuese ‘POLARI’ këtë vjeshtë. Krahas publikimit të muzikës, ai është duke punuar për materiale të reja nga studioja e tij në Kopenhagë, ku ai shkruan, regjistron dhe prodhon muzikë dhe gjithashtu bashkëpunon me producentë dhe kompozitorë të tjerë.
“Një pjesë e madhe e artit tim është ana vizuale, ku mund të shpreh idetë e mia kreative përmes fotografisë dhe videos” tha ai për një intervistë për Dylberizm.
Në lidhje me publikimin e këngës së tij të fundit “Worth the Calories”, GIMI tregon për Dylberizm se si ka ardhur deri te frymëzimi mbrapa këngës.
“E kisha të shkruar në telefonin tim titullin ‘Worth the Calories’, ku shkruaj shumicën e ideve të mia fillestare. Më pëlqeu ideja sesi ushqimi shpesh lidhet me ndjenjën e fajit dhe kënaqësinë. Kështu që doja të përdorja ushqimin dhe kaloritë si metaforë për diçka që është e keqe për ty, por të bën të ndihesh mirë. U takova me producentin Stefan Luth dhe shkruam dhe realizuam këngën së bashku. Procesi ishte aq argëtues dhe kënga pothuajse u shkrua vetë. Ishte një nga ato këngë që u shkrua pa asnjë gjykim dhe doli vërtet natyrshëm.”
“Worth the Calories” është pjesë e EP-së së tij debutuese e cila do të publikohet në nëntor.
“Jam vërtet krenar që kam bërë një EP që më pëlqen dhe që do ta publikoj. Në të kaluarën kam shkruar dhe prodhuar shumë muzikë dhe madje kam përfunduar një EP të tërë, por nuk e kam publikuar kurrë për shkak se nuk mendoja se ishte mjaftueshëm i mirë. Kështu që jam i lumtur që po lë pak anash gjykimin tim dhe thjesht po i lë gjërat të ndodhin dhe i besoj procesit.”
Ai tregon se zhvendosja dhe të jetuarit në Londër për 5 vjet ishte një nga gjërat më të mahnitshme që ka bërë dhe jështë shumë krenar me veten që ka shfrytëzuar këtë shans për të ndjekur karrierën e tij muzikore.
“Është gjithashtu vendi ku gjeta miqtë e mi më të mirë dhe u rrita aq shumë si person dhe si muzikant” vazhdoi ai.
Kur është pyetur rreth frymëzimit të tij në muzikën dhe artin që bën, GIMI tregon se atij i pëlqen të tregoj histori përmes muzikës.
“Frymëzimin e gjej në jetën e përditshme. Mund të jetë përmes përvojave të mia, ose përmes bisedave me njerëz, në art dhe filma.”
“Duke u rritur u frymëzova shumë nga MTV dhe divat e mëdha të popit si Britney Spears dhe Christina Aguilera. Edhe sot, muzika e fillimit të viteve 2000 ende më frymëzon kur shkruaj. Më pëlqen të eksploroj pikën e ëmbël midis asaj që është e kapshme dhe eksperimentale dhe t’i kombinoj të dyja. Është pjesa ku gjërat më emocionojnë si kantautor. Sa i përket teksteve më pëlqen humori dhe sarkazma dhe e përdori shpesh për të përcjellë mesazhin tim në këngët e mia” tha GIMI për Dylberizm.
Përderisa EP e tij debutuese ‘POLARI’ pritet të lançohet së shpejti, ai është veçse në proces të prodhimit të materaleve të reja.
“Po shkruaj plot materiale të reja që mendoj se do të shndërrohen në album. Unë i shpreh emocionet e mia përmes muzikës dhe tregoj histori, dhe ndërsa e përdor atë si një rrugëdalje për veten time, shpresoj se mund të jetë gjithashtu një lloj rrugëdaljeje për njerëzit që dëgjojnë muzikë. Ndoshta dikush mund të lidhet me historitë dhe të ndjehet i/e dëgjuar, i/e parë dhe i/e përfaqësuar.”
GIMI tregon se ishte në Prishtinë disa vite më parë kur u takua me komunitetin më të mrekullueshëm dhe të ngrohtë, komuniteting LGBTQ+.
“Komuniteti atje ishte shumë mikpritës dhe u ndjeva sikur u bëra pjesë e familjes shumë shpejt.”
“Nuk e di nëse e konsideroj veten aktivist, por një pjesë e punës time adreson shoqërinë dhe flet për çështjet queer. Për shembull, unë kam një këngë nga EP-ja ime e re e që quhet ‘When We Walk’ e cila tregon se si mund të ndihem ndonjëherë, kur unë dhe i dashuri im ecim dorë për dore nëpër rrugë” vazhdoi ai.
Përveç këngës “When We Walk” shumë nga prodhimet e GIMI-t janë histori në të cilat shumë persona queer mund ta gjejnë vetën dhe të ndihen të përfaqësuar.
Duke qenë një ndër artistët e rrallë kosovarë që flet hapur për identitetin queer, ekzistenca e GIMI-t është frymëzuese si e tillë, dhe puna e tij në videoklipe dhe tekste muzikore, vetëm se e bën atë një figurë e cila po sjellë ndryshim të narrativës së identitetit kosovar.
“Gjeni njerëzit tuaj. Gjeni njerëzit që ju bëjnë të ndiheni sikur përkisni dhe jeni të denjë” është mesazhi që GIMI ka për përcjellësit e Dylberizm-it dhe për të gjithë persona queer në Kosovë.
EP debutuese e GIMI-t do të lançohet me 18 nëntor. Pas leximit të këtij artikulli, ju ftojmë ta shpërndani krijimtarinë e GIMI-t me rrethin tuaj të ngushtë queer e artisitik.