Tu e lexu qitash
Xheni Karaj flet pas sulmit në Beograd: Askush nuk e ndal luftën tonë për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë

Xheni Karaj flet pas sulmit në Beograd: Askush nuk e ndal luftën tonë për një shoqëri të drejtë dhe të barabartë

Gjatë javës që lamë pas në Beograd të Serbisë është mbajtur Europride, një javë me ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike për të festuar personat LGBTQ+. Të shtunën me 17 shtator u mbajt edhe Parada e Krenarisë, ku morrën pjesë edhe aktiviste e aktivistë të komunitetit LGBTQ+ nga vende të ndryshme të rajonit dhe botës. Në këtë paradë ishin pjesmarrës edhe aktivistë nga Shqipëria, të cilët janë solidarizuar me kauzën.

Në të njëjtën ditë, pas përfundimit të Paradës së Krenarisë, 8 aktivistë nga Shqipëria janë dhunuar fizikisht nga huliganë serbë, të cilët atë ditë po vandalizonin dhe po sulmonin pjesëmarrësit e Paradës në anë të ndryshme të kryeqytetit serb.

Ndër aktivistet që u sulmuan në Beograd ishte edhe aktivistja dhe drejtuesja e Aleancës LGBT, Xheni Karaj, së bashku me partneren e saj dhe aktivisten Livija Zotrija, aktivisti Arbër Kodra dhe disa të tjerë.

Në një reagim në rrjetet sociale Karaj tha se dhuna do të ishte e shmangshme nëse policia serbe do të bënte punën e saj.

 

‘Dhuna që pësuam dje në Beograd ishte e shmangshme nëse policia do të kishte bërë punën e saj. Pavarësisht kësaj në dje pamë me sytë tanë se sa e vështirë është të jesh vetvetja në një vend ku dhuna është sistemike, është pjesë e kulturës politike dhe normalizohet nga qarqe esktremiste deri në qeveri. Dje kuptuam rëndësinë e solidarizimit me njëri tjetrin, rëndësinë e planifikimit në mënyrë realiste dhe rëndësinë për të qenë strategjikë në betejën tonë. Kjo paradë dhe dhuna që shoqëroi atë është një mundësi për të reflektuar bashkarisht por në këtë reflektim disa vetë kanë më shumë përgjegjësi se disa të tjerë. Falenderoj nga thellësia e zemrës të gjithë aktivistët që na qëndruan pranë pas sulmit deri në orët e vona të mëngjesit. Parada është forma më e lartë e ekzistencës dhe rezistencës. Askush nuk do ta ndali luftën tonë për një shoqëri të drejtë të barabartë dhe të lirë për të gjithë.’- u shpreh ndër të tjera Karaj.

Në një interivistë me gazetaren Rudina Magjistari, Karaj tha se sulmi nuk është bërë për shkak të identitetit të tyre shqiptarë, por atë ditë në Beograd janë targetuar të gjithë pjesëmarrësit e Paradës së Krenarisë, pa marrë parasysh prejardhjen e tyre etnike.

Ndërsa aktivisti Kristi Pinderi, e konsideron shëmtinë rreth ‘Europride’ si një gjykim të keq dhe të parandalueshëm nga organizatorët.

 

‘Serbia është një vend i korruptuar i qeverisur nga një burrë autoritar i rrethuar nga një bandë oligarkësh. Ata të gjithë e urrejnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe aftësinë e njerëzve për të rezistuar. Serbia pra, është tamam si Shqipëria! Në vende të tilla, është detyrim moral për lëvizjen queer të refuzojë çdo flirt me ata që sundojnë vendin! Nuk mund të jesh në të njëjtën skenë me të ashtuquajturën kryeministre queer që është një populiste e krahut të djathtë, sepse duke e lejuar veten të shndërrohesh në një mjet të propagandës së tyre, po pamundëson të gjithë lëvizjen të bëjë ndonjë pretendim politik kuptimplotë. Unë e konsideroj shëmtinë rreth Europride-it të Beogradit, një gjykim të keq dhe të parandalueshëm nga organizatorët e tij. Dhe gjithashtu shpresoj që motrat dhe vëllezërit tanë në Beograd do të kërkojnë llogari nga udhëheqësit e tyre dhe do të ndërmarrin një reflektim serioz. Dhe shpresoj që vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë, të mbajnë shënime dhe të mos guxojnë kurrë të flirtojnë me pushtuesit e korruptuar të hapësirës politike.’- shkruan Pinderi.

 

Grupi prej 8 personash nga Shqipëria janë sulmuar fizikisht në Beograd, teksa po ktheheshin nga Parada e Krenarisë e organizuar nga Belgrade Pride si pjesë e Europride, Parada e Krenarisë Evropiane. Sulmuesit e tyre u identifikuan si ekstremistë serbë. Ata janë sulmuar 10 metra larg nga policia, e cila nuk ka ndërhyrë. Më vonë ka ndërhyrë një patrullë e policisë rrugore.

Zyra e Prokurorit në Beograd tha se do të bëjë gjithçka që të identifikojë dhe ndjekë penalisht ata që shkaktuan dhunë gjatë marshimit të EuroPride. Në deklaratën e publikuar dje, thuhet se autoritetet e drejtësisë në Serbi do të punojnë me Ministrinë e Brendshme për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit për dhunën e shkaktuar të shtunën me 17 shtator.

Në Prokurorinë e Parë Themelore Publike në Beograd të hënën janë marrë në pyetje gjashtë persona për shkak të trazirave gjatë demonstratave të së shtunës, tre prej të cilëve u propozua të mbahen në paraburgim.

Qëndrojmë në solidaritet me aktivistët/et queer nga Shqipëria dhe nga vende tjera të rajonit të cilët guximshëm morrën pjesë në Paradën e Krenarisë në Beograd, edhe përkundër kërcënimeve të ndryshme nga grupet ekstremiste, aktivistët e rajonit i dolën në krahë komunitetit LGBTQ+ në Serbi, duke përçuar mesazhin se lëvizja queer na bashkon të gjithëve, pa marrë parasysh prejardhjen etnike.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top