Qerkica e Mustafa përjetësohen në muralin “Dashuria është Dashuri është Dashuri”
Të enjten me 4 gusht është lançuar murali “Dashuria është Dashuri është Dashuri” në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë.
Dy njerëz shumë të veçantë, të përqafuar ngrohtësisht me njëri-tjetrin, tani dominojnë kampusin universitar në një sfond të pastër portokalli. Bëhet fjalë për më të dashurit e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë, Qerkica e Mustafa, të cilët përmes këtij murali u përjetësuan në memorien kolektive të Prishtinës.
Qerkica është një grua transgjinore ashkalike, e cila është mjaft e njohur për publikun shqiptar, sidomos për personat LGBTQ+. Aktivizimi i saj konsiston kryesisht në ekzistencë, në fuqinë dhe guximin për të sfiduar çdo normë shoqërore dhe për ta manifestuar identitetin e saj gjinor përballë mohimit dhe asgjësimit sistematik.
Tashmë 26 vite, Qerkica jeton bashkë me Mustafën, mikun e saj më të dashur. Shoqëria e tyre, përkushtimi dhe dashuria e pakusht që kanë për njëri-tjetrin janë të jashtëzakonshme dhe thurin një histori përrallash. Të harruar nga familjet e tyre dhe nga institucionet shtetërore dhe të paragjykuar nga shoqëria, ata kishin vetëm njëri-tjetrin.
Miqësia mes Qerkicës e Mustafës, dhe dashuria e tyre e pastër ndaj personave LGBTQ+, tani do të mund të frymëzojë gjithë banorët e Prishtinës të cilët kalojnë afër Fakultetit Filozofik në Prishtinë, ku është ngritur ky mural.
“Si pjesë e Manifesta 14, Sekhmet dhe Orange Girl kanë zgjedhur formën më të dukshme dhe publike të artit, artin e rrugës, për ta thirrur qytetin në një reflektim shumë të nevojshëm. Një reflektim se kush do të jetë në sy të publikut, në mënyrë të sigurt dhe me dinjitet. Një reflektim mbi atë që mund të na mësojnë ata që janë hedhur në margjina, nëse jemi të gatshëm të dëgjojmë” thuhet në njoftimin e Institutit Sekhmet mbi lançimin e muralit.
“Me DASHURIA është DASHURI është DASHURI, një ndërhyrje artistike duke filluar me muralin tonë, themi se është koha për të sfiduar margjinalizimin dhe fshirjen nga hapësira publike të pakicave gjinore, seksuale dhe etnike. Ne gjithashtu ftojmë publikun të eksplorojë se çfarë mund të na mësojnë marrëdhëniet në dukje të pazakonta për respektin, solidaritetin dhe humanizmin tonë të përbashkët” u tha më tutje.
Kuratori i këtij murali, Dardan Hoti nga ndarë me të pranishmit edhe frymëzimin e tij për punimin e muralit.
“Siç mund ta shihni, murali portretizon dy persona, të cilët zënë një vend shumë të veçantë në zemrat tona. Këta janë Mustafa dhe Qerkica, të cilët janë sot këtu. Qerkicën dhe Mustafën e kam njohur vite më parë, ndërkohë që isha duke kërkuar për personazhe për një dokumentar mbi jetën LGBTQ+ në Kosovë. Kur i takova, u godita aq shumë nga ndershmëria dhe thellësia e tyre si individë dhe më pas si familje, sa i premtova vetes: ‘Do të bëj diçka më shumë për ta, duhet t’u jap një skenë të tyren’” tha Hoti në fjalimin e tij.
Ndër të tjera, Hoti ndau edhe narrativët që përçon ky mural, duke përfshirë ekzistencën e personave queer në Kosovë edhe para se të shihet si “diçka e ardhur” nga Perëndimi, llojllojshmërinë e identitetit queer, lirinë e personave LGBTQ+ nga patriarkati dhe homofobia e transfobia, si dhe dukshmërinë e të gjithë atyre personave që nuk i takojnë identitetit heteroseksual e cisgjinor.
Ky mural pritet të plotësohet me punime të reja, që do të përfshijnë koncepte të ndryshme të dashurisë, të cilat Instituti Sekhmet do ti mbledh nga publiku përmes një thirrje të hapur.