Komisioni i BE-së padit Hungarinë lidhur me ligjin LGBTQ+
Lëvizja ligjore e Brukselit mbi të drejtat LGBTQ+ mund të bëjë që Hungarisë t’i hiqen fondet e saj nga BE për shkeljen e standardeve të bllokut, raporton Deutsche Welle.
Hungaria ka vendosur kufizime të rrepta për “shfaqjen ose promovimin” e homoseksualitetit.
Komisioni Evropian po padit Hungarinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për të përmbysur një ligj që e kufizon qasjen në informacion mbi çështjet LGBTQ+, si dhe një vendim për të hequr licencën e transmetimit të radiostacionit të fundit të pavarur të vendit.
“Komisioni konsideron se ligji shkel rregullat e tregut të brendshëm, të drejtat themelore të individëve (në veçanti të personave LGBTQ+) si dhe vlerat e BE-së”, thuhet në një deklaratë të BE-së.
Zhvillimi i fundit mund të bëjë që fondet e BE-së për Hungarinë të ngrihen për shkak të shkeljeve të sundimit të ligjit.
Komisioni ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me kryeministrin konservator të Hungarisë Viktor Orban mes pretendimeve se qeveria e tij ka keqpërdorur paratë e BE-së dhe ka thyer ligjet e bllokut, si dhe ka kufizuar të drejtat e njeriut.
Orban vazhdimisht ka hedhur poshtë akuzat se legjislacioni i cili hyri në fuqi në 2021, diskriminon duke argumentuar se ligji ndalon “promovimin” e përmbajtjes rreth LGBTQ+ për fëmijët në shkollë.
Për gjatë vitit të kaluar, BE-ja është përpjekur të bindë Hungarinë që të ndryshojë ligjin që ndalon përmbajtjet që portretizojnë apo promovojnë homoseksualitetin tek të miturit.
Çfarë është saktësisht ligji mbi cështjet LGBTQ+ i Hungarisë?
Kufizimi hungarez për qasjen e të rinjve në informacionin mbi LGBTQ+ është pjesë e një “Akti Anti-Pedofili” më të gjerë, i cili fillimisht u fokusua në dënime më të ashpra kundër abuzimit të fëmijëve.
Por, parlamenti hungarez në qershor të vitit të kaluar miratoi projektligjin me amendamente të mëtejshme, duke përfshirë një ndalim të edukimit seksual dhe përmbajtjes mediatike.
Ligji ndalon “shfaqjen ose promovimin” e homoseksualitetit ose ndryshimin e gjinisë në materiale edukative ose shfaqje televizive për personat nën 18 vjeç.
Cilat çështje të tjera e shtynë BE-në të padisë?
Si pjesë e lëvizjes legjislative të së premtes, BE po e çon gjithashtu Hungarinë në GJED lidhur me vendimin e Budapestit për të hequr një licencë transmetimi nga radiostacioni i fundit i pavarur i vendit.
Për më tepër, blloku tha se rregulloret në Hungari për të ofruar çmime të reduktuara të karburantit për automjetet me targa hungareze diskriminojnë dhe shkelin ligjin e BE-së.